Nga Zef Preçi: Papërgjegjshmëri apo bashkëpunim në aferën e inceneratorëve?

169
Sigal

Mbasi njihesh me qëndrimin publik institucional të Autoritetit Kontraktor (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) në rastin e inceneratorit të Fierit, lehtësisht mund të arrish në disa konstatime dhe përfundime që nuk kërkojnë domosdoshmërisht të jesh ekonomist ose jurist.
Kështu, është pjesërisht i vërtetë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor deklarimi se nuk mund të ketë dijeni lidhur me transaksione të Koncesionarit që nuk janë pjesë e objektit të kontratave koncesionare. Them “pjesërisht e vërtetë”, sepse Koncesionari ushtron edhe biznese të tjera, por… Sipas parashikimeve kontraktuale, për ndërtimin dhe operimin e inceneratorit duhej krijuar një kompani e posaçme, si dhe me propozimin e Koncesionarit, Autoriteti Kontraktor miraton supervizorin e punimeve (individ ose kompani), siç edhe ka ndodhur. Qëllimi është që në këtë rast të garantohen taksapaguesit për përdorimin sipas destinacionit qëllimor të parave publike (vetëm për ato zëra të punimeve të specifikuara ne kontratën koncesionare) dhe garantimit të kryerjes së tyre (dmth shmangies së pagesave mbi bazën e situacioneve fiktive). Kjo do të thotë që në rastin e parë, nëse kompania koncesionare e krijuar posaçërisht kryen investime dhe shpenzime të tjera, të paparashikuara në zërat e punimeve si pjesë e kontratës, Autoriteti Kontraktor nuk i likujdon si të tilla me para buxhetore. Në këtë rast Autoriteti Kontraktor është në pozitën e vet ligjore dhe në mbrojtje të interesit publik. Gjatë komisionit hetimor Tabaku, por edhe në denoncimet e LSI janë referuar raportime zyrtare dhe dokumente që provojnë pagesa me paratë buxhetore për shërbime fiktive konsulence, për udhëtime me avione jashtë vendit, madje edhe në kohën e pandemisë së Covid-19, etj. Këtë nuk duhej dhe nuk duhet as sot e kësaj dite ta certifikojë Autoriteti Kontraktor, nëse nuk ishte dhe nuk është pjesë e një makro-skeme të grabitjes me ligj të parave publike, siç edhe po provohet ditë mbas dite, për fat të keq. Së dyti, likujdimi i faturave të lëshuara nga Koncesionari nga Ministria si Autoritet Kontraktor nuk duhet parë thjesht si proces formal sikurse thuhet në deklaratën e djeshme të shtypit, duke përmbushë kështu: “…detyrimin kontraktual të garantojë pagesën e kësteve të mbështetjes financiare sipas kushteve të kontratës…”. Ministria është përgjegjëse përpara taksa-paguesve, Kuvendit të Shqipërisë, institucioneve të auditit të jashtëm (KLSH), institucioneve të hetimit (Prokuroria, SPAK), por edhe përpara medias për të garantuar që investimet dhe punimet përkatëse janë kryer, që pagesat buxhetore janë bërë dhe bëhen vetëm për zërat e kontraktuar të tyre, që nuk janë fiktive dhe që çdo qindarkë e parave buxhetore përdoret me efektivitet. E kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministrisë si Autoritet Kontraktor sëbashku me supervizorin e punimeve. Gjatë punimeve të komisionit hetimor Tabaku rezultoi se asnjë faturë e paguar deri më sot apo që vazhdon të paguhet psh në inceneratorin e Tiranës nuk është verifikuar nëse është e ligjshme apo fiktive. E kjo ngarkon padyshim me përgjegjësi ligjore e penale personat përgjegjës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe supervizorin përkates. Të bën përshtypje edhe fakti që përveçse nuk bëhet publike asnjë faturë e refuzuar apo e verifikuar, si dhe vazhdimi me stoicizëm i pagesës prej 29 Euro/ton në të cilën përfshihet edhe djegija e mbetjeve urbane në Tiranë, ndërkohë që vetëm dërgimi në landfill ka qenë vlerësuar në studimin fillestar në vetëm 12 Euro/ton. Por edhe me e çuditshme është fakti se si nuk kemi ende ndjekje penale nga SPAK dhe kërkesë zyrtare nga Autoriteti Kontraktor për arkëtimin në buxhetin e shtetit të shumave të parave buxhetore të paguara për zëra të tjerë shpenzimesh, të ndryshme nga parashikimet në kontratën përkatëse, si dhe për ndëshkimin ligjor e financiar të kompanisë së supervizionit që ka certifikuar shpenzime të tilla. Po kështu, heshtja e Ministrisë së Financave për pagesat e Bashkisë së Tiranës dhe mungesa e kërkesës së këtij dikasteri për të rikthyer në buxhetin e shtetit të diferencës së paguar më tepër për punë të pakryer prej disa miliona Eurosh dhe për të vënë përpara përgjegjësisë penale personat përgjegjës dëshmojnë kapjen politike të SPAK dhe shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës nga këto institucione të shtetit.
Ja përse reagimi i Autoritetit Kontraktor në rastin e inceneratorit të Fierit është vetëm një përpjekje e dëshpëruar “për të larë duart” për njerën nga aferat më të mëdha korruptive të dekadës së fundit të qeverisë shqiptare. Ndërkaq përshpejtimi i hetimeve dhe zbardhja e përgjegjësive përkatëse nga ana e SPAK mbetet edhe “guri i provës” për këtë institucion dhe për reformën në drejtësi në tërësi.