“Tamponët” për të cilat nuk do t’ia dijë kush…!

590
Sigal

Nga Gentian Çala

Nuk e kam fjalën aspak për tamponët e përdorur për detektimin e koronavirusit, por për shëndetin mendor të popullatës. Ngado që lexoj për anketime apo studime në vende europiane, në Britaninë e Madhe, në SHBA dhe Kanada, përfundimet duken të qarta: mirëqënia e shëndetit mendor të popullatës po cënohet ndjeshëm, e thënë në një mënyrë të kuptueshme: rritje domethënëse e ankthit, e frikës, e abuzimit me substanca, e depresionit, e stresit traumatik, e dhunës në familje dhe çrregullimeve të tjera të sjelljes. Një fakt i thjeshtë: në SHBA, biznesi i pijeve alkoolike kishte njohur rritje prej 30%, ndërsa një pjesë e mirë e bareve apo lokaleve janë të mbyllura. A mjaftojnë këshillat e profesionistëve që të parandalojmë problemet e shëndetit mendor? A mjaftojnë vetëm konsultimet online për të zgjidhur afektimin e mirëqënies mendore të popullatës? Natyrisht që të dyja ndihmojnë, por janë të pamjaftueshme? Këto janë intervenimet afatshkurtra, por a po hedhim vështrimin më tej se kaq? Situata është komplekse dhe strategjitë duhen të jenë të tilla. Shumë profesionistë të Psikiatrisë sugjerojnë bërjen e studimeve, madje krjimin e frymës së grupit studimor, pasi mundësitë që na jep teknologjia na e lehtësojnë këtë qasje. Studimet janë si tamponet, na krijojnë mundësinë për të kuptuar atë që po ndodh dhe që dizenjojmë intervenimet e duhura. Nëse ata që kishin nevojë për kujdes shëndetësor nga COVID19 mund të ishin disa qindra pacientë, problemet e pritshme të shtimit të shëndetit mendor mund të jenë me dhjetra mijëra. Mesa duket problemi i ngutshëm aktual, nuk po i le të mendojnë se ka një të nesërme të afërt, për të cilën nëse nuk mendojmë sot, mund të paguajmë nesër një “faturë” mjaft të kripur në shëndetin e qytetarëve. Të neglizhosh problemet e shëndetit mendor të krijuara rishtas ose ato që mund të ndodhin, duket mungesë vizioni dhe përgjegjësie e kujtdo që vendos mbi masat e marra. Komuniteti i profesionistëve duhet stimuluar dhe mbështetur financiarisht për studime dhe anketime, për rekomandime dhe strategji për mirëqënien e shëndetit mendor. Këtë që unë po ngre si shqetësim besoj se e mendojnë edhe shumë nga ju kolegë, madje edhe një pjesë e mirë e opinionit publik, ndaj duhen bashkuar zërat dhe energjitë, në mënyrë që të ushtrojmë një presion te vendimmarrësit. Ata nuk e kanë bërë tani dhe nuk besoj se do ta bëjnë, kurse ne nesër do të na duhet “të korrim” pasojat e heshtjes sonë dhe të neglizhimit të atyre që marrin vendime. Mos harroni se kjo mund të na prekë edhe ne, edhe familjarët tanë. A duhet të rrimë duarkryq e ta shohim të ndodhë?! Përgjigjen besoj se e ka secili prej jush!