Tallja që i bën Rilindja – SPAK: Institucionet shtetërore ‘zero’ denoncime tek ‘afërmendshi’ Dumani

71
Sigal

Rama e përdor SPAK-un si një letër higjenike për interesa të tij dhe madje e tallë deri në qesharakëzim.

E kam krijuar unë SPAK, thotë, jo Amerika, e urdhëron publikisht që të arrestojë dhe përndjekë politikisht drejtuesit e opozitës dhe i hedh herë pas here nga të vetët, njerëz të cilët pasi i përdor sa mundet për afera korruptive, i lëshon dhe u ndërsen SPAK.

Kjo gjë kuptohet lehtë edhe nga evidencat zyrtare, tregohet se asnjë institucion shtetëror që administron paranë publike, bën tendera, jep konçensione etj nuk denoncon asnjë rast shkelje ligji apo aferë korruptive në SPAK.

Pra, për institucionet e Ramës SPAK nuk ekziston, drejtësia bëhet nga kryeministri.

SPAK-u Altin Dumanit që vihet në lëvizje nga një mashtrues i çertifikuar si Idajet Beqiri, por jo nga denoncimet me emra dhe mbiemra të Arben Ahmetajt, ka zero denoncime nga institucionet e ekzekutivit të Edi Ramës.

Shkrimi i Birn:

Të dhënat statistikore lidhur me kallëzimet e kryera ndaj korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar nga institucionet sinjalizuese dhe ato ligjzbatuese pranë SPAK, tregojnë se veç Policisë së Shtetit, shumica e enteve të tjera publike nuk kanë gjetur paligjshmëri për të referuar.

Apatia e institucioneve publike ndaj korrupsionit dhe paligjshmërive të funksionarëve të lartë bëri që drejtuesi i SPAK, Altin Dumani të evidentojë në mënyrë të përsëritur gjatë raportimeve të analizave vjetore pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në Kuvend, mungesën e kallëzimeve penale për korrupsion dhe krim të organizuar nga ana e enteve publike që kanë funksion të hetojnë paraprakisht këto krime dhe ti adresojnë ato pranë organeve të drejtësisë.

Sipas të dhënave që BIRN siguroi përmes kërkesave për informacion pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK, i vetmi institucion që ka depozituar çdo vit kallëzime është Policia e Shtetit. Për periudhën 2020-2024, Policia e Shtetit ka depozituar gjithsej 293 kallëzime penale, nga të cilat 205 për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe 88 denoncime që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Konkretisht, për vitin 2020 janë depozituar në total 67 kallëzime; 68 kallëzime penale për vitin 2021; 44 kallëzime në vitin 2022; 65 kallëzime penale në 2023-in dhe 49 në vitin 2024.

Institucioni që renditet i dyti përsa u përket kallëzimeve penale të regjistruara në SPAK, është Kontrolli i Lartë i Shtetit, që në vitin 2020 ka depozituar 1 kallëzim; në 2021-in 4 kallëzime; 2 në vitin 2022 dhe 11 në 2024-ën – të gjitha kallëzime që kanë të bëjnë me vepra penale që lidhen me korrupsionin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka depozituar një kallëzim në vitin 2023; Administrata Doganore Shqiptare dhe ILDKPKI, nga një kallëzim në vitin 2024, edhe këto për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Institucione të tjera që kanë për detyrë funksionale apo janë krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk kanë kryer asnjë kallëzim. Një prej strukturave që nuk ka bërë asnjë referim prej krijmit të saj, është dhe Rrjeti i Koordinatorëve Anti-Korrupsion, që drejtohet nga Ministri i Drejtësisë, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit.

Kjo strukturë u krijua bazuar në urdhërat nr.106, të datës 25 korrik 2019 dhe 25 qershor të vitit 2020, me objektiv luftën kundër çdo lloj korrupsioni dhe forcimin e besimit për një administratë publike, efiçente dhe me integritet të lartë në shërbim të qytetarit.

Të tjera institucione veprimtaria e të cilëve ka të bëjë dhe me veprimtarinë e krimit të organizuar apo korrupsionin, por që nuk kanë depozituar asnjë kallëzim gjatë këtyre katër viteve në SPAK, janë Agjencia e Inteligjencës Financiare; Administrata Tatimore Shqiptare; Komisioneri i Prokurimit Publik;  Autoriteti Mbikqyrjes Financiare; Shërbimi Informativ Shtetëror; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; Banka e Shqipërisë, etj..