Standartet e Ramës dhe mungesa e demokracisë lanë Shqipërinë jashtë BE-së

337
Sigal

Intervista/ Prof. Bamir Topi, ish president: Marrëveshja detare me Greqinë, e mbushur me dyshime, duket si patate e nxehtë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. BE-ja ia mbylli portat e negociatave Shqipërisë për shkak të nivelit të demokracisë, standartit të zgjedhjeve, mungesa e institucioneve dhe  korrupsionit

Pra ne nuk shohim defektet tona që janë me shumicë si niveli i demokracisë, standardi i zgjedhjeve, mungesa apo pamjaftueshmëria e institucioneve, korrupsioni dhe niveli i lartë i borxhit publik

Rrumpalla e kryeministrit si sindromë e kthyer në bumerang dy dekada më vonë

 Ish- Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar çështjes së marrëveshjes së Detit, e cila, pas deklaratave të kryeministrit grek Mitsotakis, në parlamentin Helen, ka shkaktuar debate të mëdha në Shqipëri, shprehet se asnjë individ, sado i mirë, apo i keq, nuk mund të vendosë i vetëm për kufijtë. Ish- Presidenti Topi, thotë, se pyetjet që ne duhet të bëjmë janë: Ne kërkojmë të dimë se çfarë po ndodh me Marrëveshjen e Detit me Greqinë? Në cilin stad të bisedimeve janë dhe sa dijeni kanë institucioni i Presidentit dhe Kuvendi për këtë çështje? Pse duhet të dëgjojmë nga z.Rama për nevojën e ndryshimit të grupit negociator, vetëm pasi foli Kryeministri grek? Ish- Presidenti Topi shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në 2009 është shterues, por problemi qëndron diku tjetër, pasi kualiteti i punës së Ministrisë së Jashtme, lë për të dëshiruar qoftë në standartin formal të përfaqësimit, qoftë në mbulimin me njerëz të delegacionit negociator. Ish- Presidenti Topi pohon se gjatë 7 viteve nuk ka një arritje sinjifikative në qeverisjen e kryeministrit Rama, administrate qëndrore dhe vendore janë shkrirë në një dorë të vetme, kemi një anormalitet parlamentar dhe fajet e moshapjes së negociatave nga BE-ja, ne duhet ti shikojmë dhe kërkojnë tek niveli i demokracisë, standarti i zgjedhjeve, korrupsioni dhe niveli i lartë i borxhit.

Transparenca e Qeverisë dhe gjykimi i ekspertëve ijep garanci marrëveshjes së Detit me Greqinë

-Zoti President Topi, cili është gjykimi juaj: Nga sa dëgjuam nga deklarata e kryeministrit grek Mitsotakis në parlamentin helen, pyesim, a ka marrëveshje të fshehtë midis qeverisë helene dhe kryeministrit Rama për kufijtë tanë detarë?

– Mendoj që jo. Përsa e njoh unë politikën dhe shtetin, marrëdhëniet midis vendeve, për më tepër kur flitet për kufijtë, asnjë individ nuk mundet të vendosë i vetëm qoftë për mire, apo për keq. Sado të dobëta të jenë marrëdhëniet midis institucioneve të shtetit, në fund do të vendoset nga shteti dhe jo nga individi. Besoj se këtë na e rikthen në vëmendje rrëzimi i marrëveshjes së vitit 2010 nga Gjykata Kushtetuese. Në planin politik të tjerët rreth nesh për çështje të ndryshme, kanë ditur të artikulohen para nesh dhe më mirë se ne, duke na dhënë përshtypjen që opinion publik në Shqipëri informohet nga udhëheqësit e vendeve fqinjë përpara se në vendin tonë të krijohet një debat që më shumë krijon kaos dhe pasiguri, mllef dhe pozicione që lidhen me interesat elektorale të partive dhe jo interesin kombëtar. Sipas meje, gjatë qeverisjes së z. Rama ka një rënie të komunikimit politk dhe të bashkëpunimit me qeverinë e z.Mitsotakis, përveçse ndërhyrjes së detyrueshme për ngjarje akute të marrëdhënieve ndërkufitare. Ne si shqiptarë nuk duhet të merremi gjatë se si prononcohet Kryeministri grek, i cili mbron interesat e vendit të tij. Ne kërkojmë të dimë se çfarë po ndodh me Marrëveshjen e Detit me Greqinë? Në cilin stad të bisedimeve janë dhe sa dijeni kanë institucioni i Presidentit dhe Kuvendi për këtë çështje? Pse duhet të dëgjojmë nga z.Rama për nevojën e ndryshimit të grupit negociator, vetëm pasi foli Kryeministri grek? Me fjalë të tjera, tek ne mungon kultura e transparencës për më tepër për çështje kaq të ndjeshme. Kjo temë nuk mund të jetë vetëm për elitën intelektuale, që jo rrallë merr pozicionin e partive, por për të gjithë. Mund të jesh i pashkollë e i paditur, por je patriot dhe shembuj të tillë ka plot, sikurse mund të ndodhë e kundërta që je njeri i shkolluar dhe mund të shesësh interesat kombëtare për interesa pushteti. Tek e fundit është detyrim kushtetues informimi i Kuvendit nga Qeveria, por në kushtet që jemi, psikologjikisht Qeveria nuk e ndjen të nevojshme t’i raportojë vetvetes!

A mendoni se kryeministri Rama ka të njëjtin qëndrim, kur dje deklaroi nga Vlora se pa firmën e Presidentit të Republikës nuk ka marrëveshje detare me Greqinë, nga deklarata e parë e Tij, kur tha se Greqia zgjerohet në 12 milje në të drejtën e saj, sipas Konventës Detare?

– Unë nuk e di se çfarë ka në mendje Kryeministri kur shprehet, për më tepër që asgjë e thënë prej z.Rama nuk më bind në planin e marrëdhënieve me fqinjët. Ajo që më bind është si funksionon filtri kushtetues, domethënë plotfuqia e Kreut të Shtetit për grupin negociator, cilësia e njerëzve që do negociojnë dhe koherenca me ligjet ndërkombëtare, por edhe me specifikën e kufijve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Po të mos ishin këto specifika, nuk do kishte nevojë për bisedime dhe gjërat do ishin vendosur mbi hartë. Deklarimi për 12 milje, mesa njohim gjeografinë e zonave midis dy vendeve, nuk realizohet pa marrëveshje të veçantë për metodën që do të përdoret dhe kriteret që do zgjidhen. Sipas meje ky proces do jetë jo i lehtë, i mbushur me dyshime, për më tepër nuk shoh një angazhim dhe motivim të shpejtë nga Qeveria Shqiptare për të përballur një temë delikate që duket si patate e nxehtë, sidomos para zgjedhjeve politike të Prillit që vjen.

Sipas Jush, pse kryeministri Rama nuk pohon publikisht, se çfarëdo marrëveshje detare që mund të arrihet me Greqinë, nga qeveria Shqiptare do ketë bazë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2009?

– Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet me gjykimin e substances së Marrëveshjes së prillit 2010 dhe natyrisht duhet të shërbejë si dokument orientues për të mos rënë në gabime të ngjashme. Në artikulimin politik të z. Rama pak rëndësi ka a i referohet apo jo vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në çdo rrethanë ai është i detyruar të jetë brenda kornizës që përcakton Kushtetuta për çështje të interesit kombëtar.

– Mendoni, se nga kryeministri Rama mund të anashkalohet ky vendim?

– Kurrsesi jo, pasi arsyetimi i vendimit është i plotë, shterues dhe detyrues për çështjet e marra në shqyrtim. Problemi qëndron diku tjetër, pasi kualiteti i punës së Ministrisë së Jashtme, lë për të dëshiruar qoftë në standardin formal të përfaqësimit, qoftë në mbulimin me njerëz të delegacionit negociator.

– Zoti President, derisa edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkoi publikisht kryeministrit Rama informacion për negociatat me Greqinë për marrëveshjen e Detit, a do të thotë, që këto negociata të Qeverisë “Rama” me Greqinë, mbahen të fshehta edhe ndaj Presidentit të Republikës dhe mund të kenë produkt në dëmshëm për interesat Kombëtare të Shqipërisë?

– Deklarata e Presidentit Meta, nënkupton së pari një klimë difidence midis tij dhe z.Rama si Kryeministër, dhe kjo e rëndon situatën e negociatave me Greqinë. E ritheksoj se interesi kombëtar duhet të shkojë përtej klimës së marrëdhënieve të acaruara. Presidenti po kërkon një gjë tepër normale, të informohet për anët e padukshme të komunikimit. Nëse kjo nuk ndodh, ky moment ngarkon me përgjegjësi Kryeministrin. Ne, jashtë këtij komunikimi nuk dimë gjë, por interpretojmë shqetësimin e Kreut të Shtetit. Mungesa, apo pamjaftueshmëria e informimit kthehet në moment negativ për Shqipërinë dhe një epërsi psikologjike për palën greke. Deri më sot kemi parë për këtë çështje marrëdhënie të acaruara midis Presidentëve dhe Kryeministrave shqiptarë dhe marrëdhënie mirëkuptimi të homologëve të tyre grekë, që dëshmon shumë. Pastaj, është e tepërt të pretendosh që të të njohin më mire europianët se si është gjendja në Shqipëri. Pyet shqiptarër dhe e merr përgjigjen saktë dhe shpejt. E kam thënë dhe herë tjetër: Europa për shqiptarët duhet të bëhet në Shqipëri dhe jo në Bruksel.

Mohimi i BE-së për të mos hapur negociatat me Shqipërinë për të tretën vit rradhazi, sipa jush, për çfarë arësyesh u mor?

– Kjo pyetje meriton një intervistë të veçantë, të plotë dhe të argumentuar dhe nuk mund të ezaurohet në pak rreshta, pasi në rastin më të mirë mund të akuzohem për nihilizëm. BE nuk është një projekt PPP, por një ndërmarrje historike serioze që i takon historisë politike të brezave që jetojnë në Shqipëri pas vitit 1992. Çdo qeveri vlerësohet për hapat konkretë që realizon. Ajo që më bëri përshtypje të thellë është fakti se kur nuk marrim provimin e rradhës, fajin e merr konjuktura e vendeve të BE që janë kundra zgjerimit. Pra ne nuk shohim defektet tona që janë me shumicë si niveli i demokracisë, standarti i zgjedhjeve, mungesa apo pamjaftueshmëria e institucioneve, korrupsioni dhe niveli i lartë i borxhit publik.

-Zoti President, a mund të pohoni një reformë që kryeministri Rama ndërmori në dobi të Shqipërisë, progresit, demokracisë në 7 vite të qeverisjes?

-Për arritjet e mëdha njeriu nuk ka nevojë të mendohet, pasi veprat vijnë në evidencë natyralisht dhe pa sforcim. Përsa ju pyesni sinqerisht gjatë këtyre 7 viteve, Shqipëria nuk ka një arritje sinjifikative. Qeverisja duket që po bën një punë rutinë pa synime të mëdha. Projekti madhor i integrimit nuk ka pritshmëritë e deklaruara vite më parë. Reformat në arsim e shëndetësi kanë krijuar një situatë kaotike pa rezultate të prekshme, ndërsa administrata po shkrihet çdo ditë e më shumë me pjesën politike të qeverisjes. Reforma e pensioneve apo mbështetja sociale për shtresat në nevojë lenë për të dëshiruar. Projekti i rindërtimit dhe fondet financiare duhet të shoqërohen me transparencë pasi në muajt elektoralë do shtohen risqet e shpërdorimit për qëllime politike. Shenjat që po jep propaganda janë paralajmëruese se situata do të ngarkohet me orë mediatike në favor të qeverisë. Sa i përket reformës institucionale problem mbetet paraliza e disa institucioneve të drejtësisë ku është humbur shumë kohë për t’i vënë në funksion normal. Sot sipas mendimit tim ndarja e pushteteve po sfumohet gjithnjë e më shumë, ku administrata qendrore e locale, thuajse janë shkrirë për shkak të drejtimit politik nga një dorë e vetme, si dhe për ta mbyllur me anormalitetin parlamentar. Mesa duket fjala “Rrumpallë”, aq e përdorur nga z. Rama dikur, për të përshkruar situatën e krijuar nga kundërshtari politik, i shkon përshtat qeverisjes së tij.

– Një qeveri, sikurse Rilindja Socialiste, që shqiptarëve dhe Shqipërisë u mohoi 7 vjet integrimin në Bashkimin Europian, a duhet të rifitojë një mandat të tretë qeverisës?

– Pyetja juaj shpreh notat e një pyetje retorike. Nuk jam unë që bëj parashikimin, për më tepër kur situata politike dhe reforma elektorale, nuk më thonë se administrimi i zgjedhjeve do të ndryshojë. Mëkatarët e papenduar nuk japin garanci që nuk do bien në një mëkat të ri. Më vjen keq ta them por historia përsëritet nëse nuk parandalohet. Nëse zgjedhjet do të vidhen, kam bindjen që metoda do të ndryshojë dhe do bëhet më e sofistikuar. Sa i përket orientimit të shoqërisë mos harroni se jetojmë në Shqipëri ku kultura demokratike nuk jep shpresë për të bërë parashikime racionale. Kur presioni për bukën e gojës ende është prezent në një vend europian situata është e rëndë. Për këtë arsye them duhet kurajo e fortë, ose mungesë modestie për të kërkuar atë që morali normal nuk ta lejon.

– Ju falënderoj, Zoti President!

Ne kërkojmë të dimë se çfarë po ndodh me Marrëveshjen e Detit me Greqinë? Në cilin stad të bisedimeve janë dhe sa dijeni kanë institucioni i Presidentit dhe Kuvendi për këtë çështje? Pse duhet të dëgjojmë nga z.Rama për nevojën e ndryshimit të grupit negociator, vetëm pasi foli Kyeministri grek?

Marrëveshja detare do jetë jo e lehtë, i mbushur me dyshime, për më tepër nuk shoh një angazhim dhe motivim të shpejtë nga Qeveria Shqiptare për të përballur një temë delikate që duket si patate e nxehtë, sidomos para zgjedhjeve politike të Prillit që vjen

Deklarata e Presidentit Meta, nënkupton së pari një klimë difidence midis tij dhe z.Rama si Kryeministër, dhe kjo e rëndon situatën e negociatave me Greqinë. Presidenti po kërkon një gjë tepër normale, të informohet për anët e padukshme të komunikimit. Nëse kjo nuk ndodh, ky moment ngarkon me përgjegjësi Kryeministrin

Gjatë këtyre 7 viteve, Shqipëria nuk ka një arritje sinjifikative. Qeverisja duket që po bën një punë rutinë pa synime të mëdha. Projekti madhor i integrimit nuk ka pritshmëritë e deklaruara vite më parë

Sot sipas mendimit tim, ndarja e pushteteve po sfumohet gjithnjë e më shumë ku administrata qendrore e lokale thuajse janë shkrirë për shkak të drejtimit politik nga një dorë e vetme si dhe për ta mbyllur me anormalitetin parlamentar

Jakup B. GJOÇA