Reforma Zgjedhore, ja çfarë propozojnë partitë e vogla

632
Partitë e vogla kanë përmbledhur propozimet e tyre në lidhje me reformën zgjedhore në një draft, i cili mësohet se është depozituar pranë Komisionit të Posaçëm Zgjedhor për Reformën Zgjedhore. Në propozimet e tyre, partitë e vogla propozojnë që në zgjedhjet e ardhshme t’i njihet e drejta e votës çdo shtetasi shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç, pavarësisht se mund të banojë apo jetojë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë partitë e vogla propozojnë që Kodi Zgjedhor të mos pengojë votën e emigrantëve shqiptarë, duke i krijuar mundësinë atyre të marrin pjesë në zgjedhje. Po kështu një tjetër propozim ka të bëjë me ngritjen e komisioneve të administrimit të votës apo siç njihen komisioneve zgjedhore, me persona jo politikë. Në draftin e propozuar kërkohet që edhe KQZ të jenë një institucion jo-politik ku propozimet të bëhen nga Akademia e Shkencave, Dhoma Kombëtare e Noterisë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Konferenca Gjyqësore. 

Propozimet kryesore të partive të vogla

Çdo shtetas shqiptar, me banim në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod. 

Çdo parti politike apo kandidat i propozuar nga zgjedhësit, i regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe për çdo tavolinë në Vendin e Numërimit të Votave pas regjistrimit të kandidatit/kandidatëve për zonën zgjedhore përkatëse ose pasi ka paraqitur listë shumemërore. Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka çdo subjekt politik pavarësisht se është pjesë e koalicionit. Kandidatët e partive politike nuk kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues. 

Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së të propozuar: ( sipas kësaj procedure )
Një anëtar i propozuar nga Dhoma Kombëtare e Noterisë
Dy anëtarë të propozuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë 
Tre anëtarë të propozuar nga Konferenca e Gjygjësorit
Një anëtar i propozuar nga Akademia e Shkencave .Këto institucione duhet të garantojnë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent në përzgjedhjen e anëtarëve që propozohen. 

Lista e kandidatëve i kalon komisionit të Kuvendit, që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve ligjore. 
Në rast të mbarimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të KQZ-së, Kuvendi emëron një anëtar zëvendësues brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vakancës nga KQZ-ja, sipas shkronjave “b” “c” dhe “ç” të pikës 1 të nenit 18 të këtij Kodi ose nga çasti i shkarkimit. Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt Ligjor që kishte propozuar anëtarin që i kishte mbaruar mandati, nëse subjekti i plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Në të kundërt, kandidaturat propozohen nga Konferenca e Gjygjësorit, e cila i plotëson kriteret e renditjes dhe përkatësisë. Në rastin e zëvendësimit të Kryetarit, zhvillohet e njëjta procedurë votimi, sipas nenit 15 të këtij Kodi. 
KQZ-ja ka të drejtë të miratojë rregulla të posaçme, lidhur me procedurat e votimit dhe të numërimit të votave, zbatimin e teknologjisë së informacionit për identifikimin e zgjedhësve, votimin, numërimin dhe nxjerrjen e rezultatit zgjedhor. 

KZAZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët emërohen nga KQZ-ja, ndërsa KQV-ja përbëhet nga 3 anëtarë, ku një anëtar ushtron detyrën e kryetarit. Kryetari i KQV-së zgjidhet nga KZAZ-ja. Në KQV-të kryetar zgjidhet njëri nga anëtarët e KQV-së. 
Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 500 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 1, 000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit. Fondet nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje të bëhen për një periudhë 10-12 vjeçare, me synim shmangien dhe përdorimin e kapitaleve të dyshimta. 
Sigal