Spitali Ushtarak u privatizua edhe nga…PS-ja

456
Sigal

Pardje, me seancën dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë, të ministrave Imami e Tavo, u shënua epilogu i privatizimit të Spitalit Ushtarak të Laprakës. Pavarësisht, termave që u dhanë nga të dy ministrat Imami e Tavo, për gjoja transferimin e varësisë të Qendrës Kombëtare të Traumës nga ministria e Mbrojtjes  në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk mund të fshihet dot e vërteta. Që heqja e QKT-së nga Spitali Ushtarak  dhe kalimin e tij te spitali civil “Nënën Tereza” shënon edhe denigrimin, shpërbërjen e Spitalit Ushtarak. Ministri Imami pohoi se, FA-ja do të ketë një spital më të vogël, në Zallher, gjë që do të thotë, që Spitali Ushtarak në Laprakë do të pushojë së ekzistuari. Por, ajo që bie në sy është se leja politike e vdekjes të spitalit Ushtarak është dhënë në 18 korrik 2012, kur me dyer të mbyllura, është zhvilluar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, seanca që kishte të bënte më planshtrirjen e FA-së. Në atë seancë të Komisionit të Sigurisë, është rënë dakord, edhe nga deputetë të PS-së, që shqyrtimi i shpërbërjes të Spitalit Ushtarak të bëhet në Komisionin e Shëndetësisë, pasi në këtë komision parlamentar, do të ishte më e lehtë që të kamuflohej më lehtë shpërbërja e Spitalit Ushtarak. Nga deputetët e PD-së është e kuptueshme, që ata të zbatojnë urdhrin nga lart, kjo në shërbim të privatizimit të spitalit, të diktuara nga interesa të ngushta të qeveritarëve, por përshtypja mbetet, përse deputetët e PS-së pranuan që shqyrtimi i shpërbërjes së Spitalit Ushtarak të kalonte vetëm në Komisionin e Shëndetësisë, e jo në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Mos ndoshta, kompanitë e interesuara, kanë afruar oferta edhe për deputetët e PS-së për  heshtjen e tyre, derisa këta pranuan kaq lehtë, dhe me dyer të mbyllura që Komisioni i Sigurisë Kombëtare të mos shqyrtojë shpërbërjen e Spitalit Ushtarak? Dyshime të tilla mund të lindin, pasi Kryetari i PS-së, ende nuk është i informuar  nga deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare për rolin e dyshimtë që luajt në Komisionin e Shëndetësisë, me shkëputjen e QKT-së e Reaminacionin,  nga Spitali Ushtarak në spitalin “Nënë Tereza”. Spitali Ushtarak përbën objekt strategjik të FA dhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të ishte komisioni parlamentar, që duhet të gjykonte, së pari, nëse duhej ose jo shpërbërja e Spitalit Ushtarak, dhe Komisioni i Shëndetësisë nuk kanë as performancën profesionale të gjykojnë rëndësinë strategjike  të një objekti strategjik ushtarak kaq të rëndësishëm, sikurse është Spitali Ushtarak në Laprakë. Kjo u duk qartë, kur deputetët socialistë të Komisionit të Shëndetësisë nuk dinin të argumentonin kundërshtinë e tyre për shpërbërjen e Spitalit Ushtarak, përballë një shpjegimi vulgar që dha  ministri Imami se Ministria e Mbrojtjes nuk ka fondet e nevojshme, për të zbatuar një program afatgjatë për Spitalin Ushtarak. Spitali Ushtarak  përherë ka patur fondin e dhënë veçmas nga shteti dhe nuk financohej nga Ministria e Mbrojtjes, por  vetëm kishte varësi administrative.  Madje, deputetët socialistë në Komisionin e Shëndetësisë, as aritmetikën e FA nuk ditën ta bënin, derisa Imami u thjeshtoi efektivin e FA në 10.000 veta, duke përjashtuar-qëllimisht- forcat e ndryshme të policive, të ish-ushtarakëve dhe të pjesëtarëve të familjeve të tyre, që përbëjnë më shumë se 120.000 vetë.