“Arroganca e maxhorancës mbulon shkeljet kushtetuese dhe ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes”

425
Sigal

INTERVISTA/ Ilir Gjoni: “Kryeministri, në gjykimin tonë është bashkëpunëtori, në mos ideatori i shkeljeve në Ministrinë e Mbrojtjes

Zoti Gjoni, cila është arsyeja që akoma pengohet mbikëqyrja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes?

– Arsyeja e vetme në gjykimin tonë është arroganca e kësaj maxhorance dhe përpjekja për të mbuluar shkeljet kushtetuese, ligjore e administrative në Ministrinë e Mbrojtjes.

– Faktet që PS-ja paraqiti për trafiqe armësh të bëra nga  Ministria e Mbrojtjes kanë mbetur vetëm në kontekstin e akuzave politike. Përse nga PS-ja nuk është bërë kallëzimi penal, sikurse e ka edhe për detyrim politik opozita?

– Partia Socialiste, si një forcë politike dhe deputetët e saj nuk kanë detyrim politik për të bërë akuza penale. Besoj kjo është e qartë. Deputetët e saj kanë denoncuar publikisht ato që ajo i gjykon, në bazë të dokumenteve që disponon, afera dhe abuzime me zbatimin e ligjit nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave në varësinë e saj. PS-ja dhe grupi i saj parlamentar kanë për detyrë të informojnë publikun për gjithçka konstaton se, është në shkelje me ligjin. Nga ana e PS-së,  ende nuk është ndërmarrë një hap i tillë, pasi në gjykimin tonë ne ende nuk kemi shteruar të gjithë rrugët dhe mjetet që na ofron Kushtetuta, ligjet në fuqi dhe Rregullorja e parlamentit për të ushtruar të drejtën legjitime për të realizuar mbikëqyrjen e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Prokuroria, nga ana e saj mund ta fillojë, siç e dini, një çështje kryesisht, ( fakte të shumta janë bërë publike për të justifikuar një veprim të tillë). Për këtë duhet të presim dhe pak besoj. Për më tepër që fakte shkeljesh skandaloze të ligjit po bëhen publike dita -ditës.

 – Nga ana tjetër, mbrojtja politike që Kryeministri i dha Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetë ministrit,  ndaj akuzave të PS-së, mos  është një ndërhyrje politike në të drejtën e drejtësisë që të hetojë?

 – Është shumë e thjeshtë, kryeministri, në gjykimin tonë është bashkëpunëtori, në mos ideatori i këtyre shkeljeve.

– Por, Kryeministri, duke marrë rolin e avokatit politik ndaj akuzave që i bëhen Ministrisë së Mbrojtjes për trafiqe armësh, a nuk merr edhe përgjegjësinë politike, po qe se drejtësia do të provojë fajësinë për këto trafiqe armësh?

– Marrëdhënia e Kryeministrit me tregtinë e armëve është një marrëdhënie intime që e ka shoqëruar tërë karrierën e tij politike. Ju sjell në vëmendje të gjitha faktet e bëra publike përsa i përket tregtisë së armëve me ish -Jugosllavinë e vende të tjera, siç edhe është shprehur vetë në disa deklarime publike brenda e jashtë vendit, (sidomos në emisionin “Hard Talk të BBC dhe gazetën prestigjioze italiane “Corriere della Sera”), për të vijuar më pas me lidhjen e tij direkte me tragjedinë e Gërdecit e deri te këto historitë e fundit. Kështu që përgjegjësia politike e Sali Berishës ka kohë që është provuar.

– Si ka mundësi një vend anëtar i NATO-s, sikurse është Shqipëria, të bëjë trafiqe armësh me vende që nuk janë të interesave të NATO-s? Që NATO nuk ka reaguar, do të thotë që pret  rezultatet e hetimeve, apo nuk i përket asaj fare?

 – Shqipëria, si çdo vend tjetër, ka të drejtë të bëjë tregti armësh, edhe me vende që nuk janë anëtare të NATO-s. Kjo gjë dihet e s’ka nevojë për shpjegim. Çështja shtrohet që tregtia të jetë e ligjshme, në kuptimin e zbatimit të rregullave ndërkombëtare, pra mos tregtimin në vendet e listës së zezë të OKB-së, shmangies së tregtimit të armëve në vende në konflikt dhe kryerjes së transaksioneve transparente për shitblerjen e armëve dhe municioneve. Nuk kuptoj se çfarë duhet të reagojë NATO, ndonëse edhe ajo si organizatë ka kanalet e veta të komunikimit me Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe jam i bindur që ajo duhet të ketë shprehur interes, në mos shqetësim, për atë çka po ndodh në Shqipëri. Personalisht, mendoj se nuk duhet të presim nga NATO diçka që në radhë të parë e kemi për detyrë ta bëjmë vetë ne shqiptarët.

– Dy deputetë të PS-së i kanë dërguar letër NATO-s, duke i bërë të njohura shqetësimet që ata kanë publikuar këtu. Atëherë, çfarë presim nga NATO?

– Por në lidhje me NATO, ajo çka shqetëson më shumë Opozitën është fakti se Ministria e Mbrojtjes po abuzon me NATO-n duke e përdorur si një m,burojë ndaj abuzimit të pushtetit dhe korrupsionit duke luajtur me gjoja ruajtjen e sekreteve të NATO-s?! Qeveria, Ministria e Mbrojtjes justifikohen me “ruajtjen e sigurisë kombëtare”  dhe “ruajtjen e sekreteve të NATOs”, ndërkohë që e drejta për informim e publikut është një e drejtë themelore. Ne jemi të ndërgjegjshëm  dhe të vetëdijshëm për nevojën për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të ruajtur disa informacione sekrete si mjet legjitim për ruajtjen e sigurisë kombëtare, por ne besojmë me forcë se informacionet që i përkasin përgjegjësive personale apo politike sa u përket abuzimeve me fondet publike, shkeljes së kushtetutës dhe lirive të njeriut, korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike nuk janë sekrete që duhen “mbrojtur” në një shoqëri që sundon shteti ligjor. Këto të ashtuquajtura “sekrete të pista”, në gjykimin tonë, nuk janë të tilla brenda kuptimit të legjislacionit që mbron sekretet shtetërore, të cilat mund të jenë sekrete të ligjshme.

-Përse PS-ja nuk ka kërkuar një interpelancë në Kuvend me këtë temë? Përse deri tani PS-ja nuk ka kërkuar mocion për dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes? Cilat do të jenë hapat e mëtejshme politike që PS-ja do të ndërmarrë për këto çështje politike që ka ngritur deri tani për trafiqet e armëve nga Ministria e Mbrojtjes?

– Tre pyetjeve të fundit, do t’u jap një përgjigje. Sa i përket formave dhe mënyrave, apo ndryshe, thënë taktikave që do të ndjekë Opozita për të realizuar qëllimin e saj, që është bërja transparente dhe kontrolli i ligjshmërisë së të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, është diçka që nuk besoj se prisni që ne t’i bëjmë publike menjëherë. Ndërkohë që, u bë gati një muaj që ne vijojmë me denoncimet për ato që ne i quajmë shkelje, apo abuzim të pushtetit me ligjet në fuqi. Të gjitha hapat që ju përmendini janë opsione të mundshme dhe, siç e theksova që në fillim, ne si opozitë do të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat që na ofron kuadri ligjor aktual. Ne do të vijojmë dhe insistojmë të realizojmë mbikëqyrjen parlamentare, ashtu siç ka vendosur Komisioni i Sigurisë Kombëtare me unanimitet të plotë, ndërkohë që kemi një plan të qartë për të gjitha hapat e mëtejshëm që do të ndjekim. Kësaj çështjeje do t’i shkojmë deri në fund.

– Faleminderit!