Braçe: “Ky vend është kthyer në “Çmendinë”

475
Sigal

Shporta e premtimeve politiko-elektorale e Ilir Metës në Berat ishte e (tej)mbushur me aksin e rrugës kombëtare Lushnjë –Berat

Sa  herë që politikanët janë në fushatë elektorale, papritmas zgjohen nga gjumi letargjik i shpërfilljes ndaj halleve të njerëzve,  të cilët i kanë votuar, i injorimit të realitetit, për të cilin u është dhënë votëbesimi për ta ndryshuar për të mirë dhe kujtohen të japin (pa doganë dhe kupon tatimor) premtime të mëdha se për pak ditë, do të bëjnë kaq gjëra të mrekullueshme, sa nuk qenë të zotë (  po këta vetë) t’i bëjnë në 4vjeçarët, në 8- vjeçarët e kaluar. Thua se vitet janë si uji në lumin e Osumit, që rrjedh e rrjedh, pa u shteruar. Këtë traditë politike ndoqi edhe kandidati për kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, në takimin që pati me strukturat partiake të LSI-së, në Berat. Ilir Meta, vetëm në këtë takim elektoral, u kujtua se rruga Lushnjë- Berat është shkatërruar, është jashtë çdo standardi, thua se shirat e ditëve të fundit, e gërryen kaq shumë, saqë gropat e mëdha, të hapura në gjithë gjatësinë e aksit rrugor Lushnjë-Berat,  e tronditën Kryetarin e LSI-së, ish-zëvendëskryeministrin, ish-ministrin e Jashtëm dhe ish-ministrin e Ekonomisë, të kësaj qeverie, i nxorën gjumin në atë shkallë sa e ndërgjegjësuan, se gropat e rrugës duhen mbushur. Zoti Meta, ka mbërritur edhe herë të tjera në Beratin,  në itinerarin kohor të 3 -vjeçarit të qeverisjes të kësaj maxhorance, ku LSI-ja është partneri kryesor i PD-së,  por vetëm pardje kuptoi se rruga Lushnjë – Berat na është katandisur jashtë standardeve. Vallë, herët e tjera, zoti Meta, ka mbërritur me helikopter në Berat, që  nuk iu dha mundësia të shikonte gropat e rrugës Lushnjë-Berat? Apo, ndoshta, zoti Meta, ka rrugëtuar në aksin Lushnjë-Berat dhe ka qenë në gjumë e nuk ka ndjerë hiç tronditjet e gropave të rrugës? Ilir Meta, mirë që nuk i ka parë gropat e rrugës Lushnjë- Berat, kur vetë ka udhëtuar, po a nuk dëgjoi, a nuk i tha njeri, që këto ditë vere, një autobus i tërë i turistëve gjermanë, që kishte marrë rrugën e Beratit, u kthye nga rruga, se autobusi nuk doli i gjallë nga gropat e rrugës Lushnjë-Berat? Thua se nuk ishin turistët  gjermanë në  gushtin e  2012-s që  mbetën në gropat e rrugës për në Berat, por ishin ushtarë gjermanë të 1944-s, që u kthyen se gropat e rrugës i kishte hapur artileria partizane. Ilir Meta, si kryetari i LSI-s, si ish-zv/kryeministër dhe si ish-ministër i METE-s, në këtë qeverisje, nuk mundej të përkujdesej që të rregullonte një nga akset kryesore kombëtare, që të çon në qytetin 2406- vjeçar? Dhe do të mundet të përkujdeset tani, në fushatën elektorale për Kryetarin e LSI-së? Si zv/kryeministër, Ilir Meta a nuk mundej që të përkujdesohej që të rregullonte ( të paktën gropat t’i mbushte me zhavorr) aksin kombëtar Lushnjë-Berat, në një nga pikat më të dëshiruara të më shumë se 80.000 turistëve që çdo vit vizitojnë Beratin, qytetin antik, qytetin muze të 1001 dritareve? Ndërsa tani, si kandidati për Kryetar i LSI-së, zoti Meta, do të “përkujdesuar: duke  ekspozuar gropat e aksit kombëtar Lushnjë-Berat në Kuvend? Kë do të mallëngjejë Meta në Kuvend për gropat e rrugës të Beratit? Zv/kryeministrin  dhe ministrin e METE-s, që është ushtari i tij në LSI? Apo nënkryetarin e Kuvendit, i cili ishte  ministër i METE-s? Kjo qeveri, në këto 4+3 vjetët e qeverisjes, është përkujdesur që të shtrojë 12.000 km në zonat veriore, duke çuar rrugët e asfaltuara  edhe në ato komuna ku ka nga dy shtëpi në një mëhallë, e ka braktisur ( jo rastësisht) zonat e jugut  duke i lënë me rrugët që ka ndërtuar 50 vjet më parë Enver Hoxha. Kjo braktisje qeveritare është një hakmarrje politike e qeverisë. Të mos harrojmë Qarku i Beratit ka më shumë se 250.000 banorë, të cilët janë të dënuar nga qeveria të masakrohen përditë në gropat e rrugës Lushnjë-Berat, si të dënuarit politikë, meqë votat e tyre nuk mbushin hambarët e PD-së.

_____________________________________________________________________________________

“META KA “ZBULUAR” QË RRUGA LUSHNJË- BERAT ËSHTË PA “STANDARDE”

Ju kam thënë që ky vend është kthyer në “Çmendinë”! Ilir Meta ka qenë dje në Berat dhe ka zbuluar që rruga Lushnjë-Berat është  “Pa  standarde”! Madje ka garantuar se do ta ngrejë këtë çështje në Kuvend! Pra, pas tre vitesh në qeveri, si partner themelor dhe zëvendëskryeministër e ministër Ilir Meta zbulon rrugën Lushnjë-Berat pa standarde. Pas tre vitesh në qeveri si partner themelor dhe zëvendëskryeministër e ministër Ilir Meta angazhohet ta ngrejë këtë çështje në Kuvend jo në qeveri!  Kjo është tallje me nam dhe ky është kulmi! Kam më shumë se 6 vjet që tregoj në Kuvend e kudo degradimin e rrugëve  në Qarkun e Beratit. Por pas 4 vjetëve si deputet dhe 3 vitesh në qeveri, del dikush që thotë s’kam dëgjuar gjë dhe tani që pashë  rrugën do ta ngre si çështje në Kuvend, jo në qeverinë, ku bëj pjesë, e mbaj në këmbë e për të cilën kam përgjegjësi! Meqë tallja do vijojë dua të them se: rruga Lushnjë -Berat nuk është më rrugë, jo më të ketë standarde, është shkatërruar plotësisht! Në rrugën Lushnjë- Berat ka 8 ditë sot që po bëhet riveshje në segmentin mes Fiersheganit dhe Barbullinjës, më kot, rruga nuk mban riveshje, është shembur plotësisht nga makineritë e rënda. Rruga Berat -Fier është edhe më e shkatërruar në gjithë gjatësinë e saj, rruga Berat Kuçovë është e shkatërruar;rruga Kuçovë -Belsh ka 5 vite që ka nisur dhe nuk ka përfunduar as gjysma e proceseve që janë parashikuar në projekt, rruga Berat- Skrapar është e shkatërruar në më shumë se 70% të gjatësisë së saj. Ky është izolimi i Beratit dhe përgjegjës për këtë është qeveria Berisha – Meta!