SPAK të fillojë hetimet për kontratat abuzive që Benet Beci ka firmosur në KESH

212

“KESH në këtë rast merr nga 0.5 deri në 0.8 cent për megavat. Pra, në një mijë megavat apo në dy mijë të shitura, kompania private NOA Energy mund të fitojë nga 400 mijë deri në 800 mijë euro, ndërsa KESH merr pas 800 deri në 1600 euro. Pra, kjo është ajo kontrata e famshme e filluar gjatë kohës që Benet Beci ka qënë drejtues i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.”

Sigal

Një kontratë abuzive, një marrëveshje midis një korporate shtetërore shqiptare me një kompani private, në emër të depozitimit të energjisë. Pra, në emër të një situate që kërkon të jetë zgjidhje për problematikat që mund t’i lindin KESH-it, është kthyer në një kontratë, e cila thjeshtë dhe vetëm i ka dhënë KESH-it disa miliona euro më pak në buxhetin e tij. Dhe këto para kanë kaluar tek një kompani private. Është denoncuar me dokumente ditë pas dite ky skandal që ka filluar nga muaji mars. Sipas dokumenteve të bëra publike prej disa ditësh gjithçka ka filluar me një kërkesë të nisur në datën 4 mars, nga kompania private NOA Energy Trade, drejt Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Dhe është kjo shkresë zanafilla e gjithçkaje. Pas kërkesë së datës 4 mars, në datën 8 mars sërish NOA i dërgon KESH-it, në atë kohë e drejtuar nga Benet Beci, një tjetër kërkesë që është shprehje e interesit për lidhjen e marrëveshjes. Pra, gjithçka ka ecur ditë pas dite. Në datën 4 dokumenti i parë, në datën 5 dokumenti i dytë, më pas shkresa përcjellëse drejtuar KESH-it. Në atë kohë drejtor i KESH-it, ka qënë Benet Beci, i cili është tërhequr në datën 5 mars dhe gjithçka mesa duket e ka inskenuar thjeshtë dhe vetëm që të ishte një periudhë ku ai edhe ishte edhe nuk ishte drejtor, pasi kishte dhënë dorëheqjen se do të kandidonte për deputet. Por, në fakt në institucion ka shkuar deri pas muajit maj, deri pasi është zgjedhur deputet.

Ja dokumenti i tretë, datë 8 mars 2021.

Një dokument që mban firmën e Benet Becit, administratorit të KESH-it. Ky i fundit edhe pse ishte dorëhequr disa ditë më parë ka firmosur një shkresë drejtuar Autoritetit të Konkurencës dhe Entit Rregullator të Energjisë në lidhje me vlerësimin e shprehjes së interesit për shkëmbimin e energjisë elektrike. Më poshtë po sjell dokumentet që tregojnë se është Benet Beci ideatori dhe strumbullari i asaj që është përkthyer më pas në një kontratë mes KESH dhe kompanisë NOA Energy, ku kjo e fundit fiton miliona euro, ndërsa disa thërrime i lihen Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Sipas dokumenteve të njëpasnjëshme. Në datën 4 del i pari. Më pas në datën 5 vjen dokumenti i dytë dhe në datën 8 shkresa përcjellëse dhe menjëherë Benet Beci, letrat që merr nga NOA Energy, të cilat i çon tek Autoriteti i Konkurencës dhe Enti Rregullator i Energjisë. Megjithëse kanë qënë këto institucione, të cilat dy vite më parë kishin amenduar këtë lloj forme apo marrëveshje kontrate të bërë nga KESH-i, e cila shiste apo depozitonte energji tek privatët. Në rastin e kontratës për shkëmbimin e energjisë me NOA Energy ajo që ndodh është spektakolare dhe mund të quhet vjedhje, nëpërmjet një kontrate abuzive, apo korrupsion, sepse qartazi duket se një kompani private, NOA Energy merr në orët e pikut mijëra megavat energji elektrike dhe këtë për shumë muaj, me justifikimin se depozitohet energjia. Dhe kjo energji shitet, sidomos në kohën e tregut tani me këtë krizë me rreth 400 euro megavati. Ka pasur edhe çmime të tjera, në diferencë. Por, edhe pse shitet me këtë çmim, KESH-it i kthehet në orët e pas mesnatës. Dhe KESH në këtë rast merr nga 0.5 deri në 0.8 cent për megavat. Pra, në një mijë megavat apo në dy mijë të shitura, kompania private NOA Energy mund të fitojë nga 400 mijë deri në 800 mijë euro, ndërsa KESH merr pas 800 deri në 1600 euro. Pra, kjo është ajo kontrata e famshme e filluar gjatë kohës që Benet Beci ka qënë drejtues i Koroporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Duket se dorëheqja e tij e dhënë në datën 5 mars është thjesht një lëvizje që më pas të nxisë me shpejtësi skëterre dokumentet për të miratuar tek Autoriteti i Konkurencës, një kontratë, e cila mesa duket ka hequr nga arkat e KESH-it miliona e miliona euro, duke i kaluar këto në llogaritë e një kompanie private. Në ditët në vijim do vazhdojmë të sjellim të tjera dokumente që tregojnë sesi ka pasur një veprim edhe nga Autoriteti i Konkurencës, por deri tek firmosja e plotë me shpejtësi të madhe për shkëmbimin e energjisë mes KESH-it dhe kompanisë NOA Energy Trade, e cila në finale nuk mban firmën e Benet Becit, megjithëse ky i fundit ishte drejtor deri ditën që është mbyllur procedura, le ta quajmë, dhe më pas firma finale është hedhur nga një administrator i përkohshëm. Pra, dikush tjetër ka firmosur kontratën përfundimtare, por qartazi edhe në dokumentet e mësipërme dhe ato hap pas hapi, tregojnë se strumbullari, njeriu që ka drejtuar këtë proces deri në firmosjen e kontratës e ka emrin Benet Beci, aktualisht deputet i Partisë Socialiste. Në ditët në vijim do të sjellë të tjera fakte dhe dokumente, të cilat tregojnë sesi është përfshirë Benet Beci, KESH dhe strukturat e tij në një kontratë skandaloze, e cila jo vetëm i ka sjellë miliona euro të mungura në arkën e korporatës shtetërore, por në këtë skandal duket se janë përfshirë edhe të tjera institucione. Pa përjashtuar këtu edhe Autoritetin e Konkurencës dhe ERE./CNA.al