Fejton: Nga Thoma Goga – Çeçua kryetar bashkie?!…

172

Gjithë jetën kishte qënë “krietar” i fshatit. “E pse të mos bëhesh edhe “krietar i qitetit”?!

Sigal

    – Nga defteri i Çeços –

Fejton: Nga  Thoma  Goga

Dikush i cicëriu në vesh Çeços se ishte i thekur për kryetar bashkie. Aq donte byrazeri im që ështe shefi i stanit dhe iu ngrit mendja përpjetë. Çoç ua di ca këtyre punëve të pushtetit, se gjithë jetën kam qënë “krietar” i fshatit. “E pse të mos bëhem edhe “krietar i qitetit”?! E ç’kanë të tjerët më shumë?!” Kështu na i paskësh thënë dikush.

Po që të ngrihej kaq lart edhe byrazeri im, këtë nuk ma merrte mendja. Në fillim mendova se do të ishte ndonjë nga ato shakatë “me kripë” që bluan në mendje. Ja si ajo shakaja kur formoi “qeverinë” e fshatit… U gajasën edhe ndërkombëtarët…

Nejse. Po kur u dhanë në televizor embrat e “krietarëve”, m’u bë zemra mal. Hajde Çeço, hajde. Një copë bari me dhënë e me dhi arrin të kandidojë për “krietar” i madh i bashkisë. Ja kësaj i them demokraci! E që të merrja vesh ca më shumë për këtë haber të madh, mora rrugën andej nga stanet e Çeços.

Ishte kohë dreke. Si gjithmonë një herë në javë bëhet një si biçim “informacioni politik”. U ulëm prapë atje në bythë të fiqve. Hija dhe një erë e lehtë na dukej se stani ishte me kondicioner. Rreth e rrotull u mblodhën dhe kafsharët. Parfumi i markës “Bajga” të çante hundën.

– Po si kështu, o byrazer? Kujt i vajti mendja tek ti? – theva “akullin” unë.

– A lëre, lëre o Çome,- filloi Çeçua rrëfimin. – Vate kjo punë. Në fillim më hëngri torrovilja vetë. E dija të lehtë, meqë kisha qënë “krietar” i fshatit. Po këto marifete paskan gjithë ato garramete.

– Do deklarosh çdo gjë, Çeço,- u hodh një kafshar i gjatë.

– Kjo punë do dhe shkollë,- shtoi nipi i Pinxho Kapellës.- Ti nuk ke as 8- vjeçaren…

– Mbylle gojën ti, kulaku i derrit! Ku e di ti që s’kam shkollë? – Ia priti Çeçua dhe nxorri nga xhepi i pelerinës ushtarake dy copa letre. – Ja deftesa e shkollës së mesme. Ja dhe  “dhiploma” e shkollës së lartë. Hë, ç’do thuash nashti? Punë e madhe pse nuk paskam  8- vjeçaren…

Këtu u pataksa dhe unë. Çeçua vetëm filloren mbaroi. Që kur ishte kërthi e la shkollën. Vate kaçak ndër male bashkë me shokun e tij moshatar, Babale.

– Do deklarosh pasurinë, – u dëgjua një zë nga mesi i kafsharëve.

– Këtu më merr të keqen, zotrote, – u përgjigj Çeçua.- Pasurinë time e kam trashëgim nga gjyshi dhe nga plaku. E kemi me djersën e ballit. Hë, fol o Çome!

– E mo, kështu thonë të tërë, – ia priti ai kafshari që gjithmonë i lyen flokët me gjalpë dhie.

– Dëgjo këtu ti ore, nipi berberit, – drejtoi gishtin shefi i stanit. – Gjyshi yt e bëri pasurinë me synetllëqe, gjyshi Pinxhos me spiunllëqe… Kurse unë e kam nga dhëntë e dhitë. Kam shitur djath “bio”, gjizë dhe hirrë pa hile. Qumështit nuk i kam hedhur dhe aq shumë ujë, siç bëjnë ca e ca…

– Po gjizën e prishur pse e shite sa frëngu pulën? – foli ai zdapi i gjatë që rrinte në këmbë. – Harrove që të zuri policia?!

Dëgjoja këtë debat të ndezur e mendja me shkonte te ato studiot televizive që mbushen me llogje pazari. Toidhjo si në stanet e Çeços.

Edhe mua më bluante meraku për byrazerin. Si do ta kalonte vettingun, si do i tereziste gjithë ato shkresa.

– Po pastërtinë e figurës, e kalove?- pyeta unë.

– E kam të pastër qelibar, – tha Çeçua.- Konflike interesi s’kam, borxhe jo, dashnore jo e jo…

– Ke qënë i dënuar kur shite gjizën e prishur,- foli prapë ai zdapi i gjatë.

– Ore maskara,- u nxeh Çeçua.- Unë nuk shita asnjë lugë gjizë. Të dy qypat i rrëmbeu policia. Policët e shkretë i kishte marrë uria. Pse i zuri barku policët?! Aa, për këtë s’kam faj unë. Kush ha një lugë çorbë të prishur, vjell tërë jetën. Edhe policët e shkretë kështu i gjeti. Nuk kishte radhë te haleja, të thom. Ulërinte haleja nga diareja…Megjithatë ja ku e kam edhe dëshminë e penalitetit,- tha Çeçua dhe nxorri një letër tjetër nga kapota ushtarake.

E ndërsa fliste, mua më brente akoma meraku se si do ia dilte në krye kësaj aventure.

– E ke menduar mirë këtë punë, o byrazer, se nuk është e lehtë? Ti vërtetë ke qënë “krieplak”, po është tjetër punë kjo. Nuk do merresh vetëm me “stanin” e vogël në fshat. Të vjen festja vërdallë, se duan dorovitur edhe ata më lartë…Ndaj dhe duhet të zhvatësh ndonjë gjë, që t’u japësh atyre lartë.

– Rri urtë e mos u fiqiros. E di mirë unë si doroviten e tereziten këto punë,- ma ktheu Çeçua si furtunë.

– Po për votat ke menduar; kush do votojë për ty, o mavri?

– Rri o Çome, rri. – Ma ktheu Çeçua.- Ku di gjë ti! Për mua votojnë zagarët, gomarët, dhëntë edhe dhitë…

Ja kështu, që thoni ju. Çeço Çobani na u gdhi kryetar bashkie një ditë.

(Th. Goga)

**Banda “Afërdita” e Elbasanit, 115 vjet histori

Më 2 maj 1908 një grup atdhetarësh formuan në Elbasan shoqërinë “Afërdita”, e cila krijoi edhe grupin e bandës së qytetit, ndërsa kish synim të ngrinte një palestër sportive, dhe të merrej me botimin e librave shkollorë. Shoqata, e cila pati mjaft rëndësi kulturore kremton këtë vit 113-vjetorin e themelimit.  “Kjo shoqëri ka për qëllim të përhapunit e dashurisë, vllaznisë e njisisë ndërmjet vendësve të qytetit e fshatrave rreth, që të marrin rrugën e qytetërimit”, -thuhet në rregulloren e themelimit të saj. Nga drejtuesit e saj përmendim patriotët dhe intelektualët si Lef Nosi, Fot Papajani, Dhimitër Papajani, Petër Dodbiba, Hysen Ceka, Myrteza Demeti e të tjerë. Ajo dha një ndihmesë të veçantë në realizimin e Kongresit të Elbasanit, me hapjen e Shkollës Normale për përhapjen e gjuhës shqipe etj. Që në dokumentin e saj themelues gjejmë vendimin për ngritjen e bandës muzikore “Afërdita”, dhe jehona e tij shkoi shumë larg në qarqet patriotike. Sot në Muzeun e qytetit të Elbasanit ruhet një numër i gazetës ‘Dielli’ i datës 13 gusht 1909 që botohej në SHBA. Në të shkruhej: S’ka shumë kohë që u ngrej këtu një badë buzikore me emrin “Afërdita” ka më shumë se nji qind antarë… qëllimi i kësaj bande nuk është të përhapë muzikën…”