Sot protestë para Kuvendit/ Seancat parlamentare rinisin me protesta, pasi mazhoranca bllokoi komisionet hetimore dhe Reformën Zgjedhore

24
Sigal

Rinis Kuvendi, kaosi dhe protestat, opozita proteston të hënën, mazhorancës i duhen votat e saj të enjten

Pas javës së gjelbër deputetët do t’i rikthehen seancës plenare këtë të hënë në orën 17:00 me përjashtim të deputetëve të përjashtuar të opozitës. Njoftimi për protesta të opozitës është bërë më herët ku pjesëtarë të rithemelimit kërkuan radikalizmin e aksionit, dhe njoftuan protestë përpara parlamentit teksa brenda mbahet seanca. Protesta është thirrur në orën 17:00 dhe nga parlamenti do të zhvendoset aty ku prej javësh është përqendruar aksioni i Rithemelimit, poshtë banesës së ish kryeministrit Sali Berisha. E hëna pritet të mos prodhojë shumë surpriza nga sa kemi parë deri tani. Por kjo javë fokusin do ta ketë tek dita e enjte. Parlamenti pritet të kaloj një sërë projektligjesh mes të cilëve më i rëndësishmi, ai që rikthen bastet sportive online ku mazhoranca i ka votat, por që opozita e ka kundërshtuar shumë. Ky ligj kërkon shumicë të thjeshtë, por disa nisma të mbetura peng pritet të ngjallin debatin politik pasi mazhorancës për t’i miratuar ato i duhen votat e opozitës si për amnistinë penale, zgjedhjen e avokatit të populli apo edhe pagat e Gjyqtarëve të Kushtetueses.

Berisha thirrje shqiptarëve: Të hënën para parlamentit për të mbrojtur të ardhmen e vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të hënën të dalin para parlamentit për të mbrojtur të ardhmen e vendit. “Arben Ahmetaj u deklaroi shqiptarëve se ndërsa merrej me laminatet dhe pllakat në banjon dhe kuzhinën e tij, nuk merrej me zhdukjen e 60 milionë eurove në Dubai, para të paguara nga taksapaguesit për ndërtimin e djegësit të Tiranës. A ka dëgjuar ndonjë prej jush se çfarë u bë me 30 milionë euro që u faturuan në sipërmarrje të të moshuarve në azil të pleqve? Çfarë u bë me to? Dumani i partisë merret me pllakat dhe laminatet, por nuk merret me 130 milionë euro të zhdukura për ndërtimin e djegësit të Tiranës, për të cilin nuk ekziston asnjë gjurmë. Të gjitha këto pra dëshmojnë rëndësinë jetike të protestës suaj. E hëna është një ditë e madhe, është një ditë e bardhë, është dita juaj para parlamentit shqiptar. Ndaj dhe unë u bëj thirrje demokratëve kudo që janë, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e fuqishme të ditës së hënë para parlamentit për t’i rikthyer tempullin e demokracisë shqiptarëve të lirë, për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve sovranë që kanë votuar, për të mbrojtur aty pluralizmin, për të mbrojtur aty të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.” -tha Berisha.