Komisioni i BE për Punët e Jashtme kritikoi Shqipërinë mbi çështjet e sundimit të ligjit. Presidenti i Komisionit të Venecias Buquichio deklaroi, se Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe janë miratuar ligje antikushtetuese nga qeveria, pa pasur mundësi për ankimim, duke penguarintegrimin e vendit
Komisioni i BE-së për Punët e Jashtme (AFET) dhe Liritë Civile, Drejtësisë dhe Punët e Brendshme (LIBE): Mungesa e Gjykatës Kushtetuese pengon integrimin
Shqipëria ka bërë hapa mbrapa me sundimin e ligjit
Shqipëria po rrezikohet sërish që të mos marrë dritën jeshile nga BE-ja për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë. Kur duhen edhe 4 muaj, nga data e vendimmarrjes së BE-së, Shqipëria ende nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Gjykata e Lartë nuk funksionon, ende nuk janë krijuar SPAK dhe BKH, kushte të vëna para 1 viti nga BE-ja për Shqipërinë. Komisioni i BE për Punët e Jashtme, dje në Bruksel theksoi edhe një herë, që Shqipëria ka bërë hapa mbrapa për sundimin e ligjit, ndërsa mungesa e Gjykatës Kushtetuese e pengon integrimin. Jo vetëm kaq, por, tashmë Parlamenti shqiptar as nuk përfaqëson më elektoratin, derisa Opozita është larguar përfundimisht dhe Shqipëria është në krizë të thellë politike, institucionale dhe kushtetuese.
Stanjacion në zbatimin e ligjit
Komisioni i BE-së për Punët e Jashtme (AFET) dhe Liritë Civile, Drejtësisë dhe Punët e Brendshme (LIBE) kritikuan Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate për Ballkanin në BE për “stanjacion” për sa u përket çështjeve të sundimit të ligjit. Seanca e djeshme dëgjimore shqyrtoi përparimin e bërë dhe sfidat e vazhdueshme, me të cilat përballen vendet kandidate të BE-së në përmbushjen e kritereve themelore të BE. Mes të ftuarve ishte edhe Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Bisedimet e Zgjerimit në Komisionin Evropian, dhe Gianni Buquichio, President i Komisionit të Venecias. Para se të pranohet në Bashkimin Evropian, secili vend kandidat duhet të përmbushë kriteret e Traktatit të Kopenhagenit, të cilat përbëhen nga rregulla themelore që përcaktojnë, nëse një vend ka të drejtë të bashkohet me bllokun apo jo. Gjatë seancës dëgjimore, Danielsson, i cili vizitoi Tiranën pak ditë më parë, komentoi se sundimi i ligjit është një vlerë themelore dhe thelbësore dhe se një vend duhet të respektojë dhe të promovojë vlerat e përbashkëta duke përfshirë sundimin e ligjit. Ndërsa vërejmë se ka pasur disa përmirësime në rajon, përmirësimi ka qenë I kufizuar dhe disa nga vendet kanë bërë hapa pas dhe jo përpara. “
Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese
Shumë vende që dëshirojnë të bashkohen me BE janë larg arritjes së kritereve dhe në disa prej tyre kemi kthim mbrapa”, tha ai, duke shtuar se shtetet kandidate, si Shqipëria, duhet të tregojnë vendosmëri për të ecur përpara me proceset e anëtarësimit në BE. Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquichio tha se Gjykatat Kushtetuese duhet të jenë të pavarura, në mënyrë që ata të mbrojnë sundimin e ligjit, duke vënë në dukje se politikanët janë të prirur t’i sulmojnë këto gjykata, kur nuk u pëlqen gjykimi. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kjo ka rezultuar në situata ku ligje antikushtetuese, nga të cilat përfiton qeveria janë miratuar pa pasur mundësi për ankimim, në dëm të vendit dhe sundimit të ligjit. Buquichio shtoi se prania e sundimit të ligjit duhet të jetë një “element kyç” për të vendosur, nëse një vend pranohet në BE.