Sot nis Kuvendi, PD rikthehet pas 30 muajsh mungesë, por pa Berishën në grupin parlamentar

52
Sigal

Ashtu siç është parashikuar, do të mbahet sot seanca e parë e Kuvendit të ri. Sot, 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit do të ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen zyrtarisht të kësaj legjislature.

Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi do e ketë deputetja e PS-së Luljeta Bozo.

Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre.

Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Seanca e dytë do të nisë në orën 17:00.

Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë.

Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë. Kujtojmë se mbrëmë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, deri në zbardhjen e plotë të vendimit të DASH, e ku të sqarohet e gjithë e vërteta.

Basha tha se PD është partia më proamerikane dhe më proevropiane duke folur dhe për vendimin e DASH për ish-kryeministrin dhe ish-kreun e PD Sali Berisha si dhe kërkesën e ambasadores amerikane Yuri Kim. Nga ana tjetër, dje në një dalje për mediat Berisha konfirmoi pjesëmarrjen e tij në Kuvend.

RIKTHIMI I PD NË KUVEND

Partia Demokratike rikthehet sot në Kuvend pas 30 muajsh mungese. Që prej shkurtit të vitit 2019, e deri më tani kanë kaluar dy vite e gjysmë, qëkur opozita e kryesuar nga PD, dogji mandatet dhe vendosi të ishte jashtë institucioneve parlamentare.

Përgjatë kësaj kohe që opozita ishte jashtë institucioneve, ajo ndërmori akte si protestat dhe moshyrje në zgjedhjet lokale të vitit 2019-të, për të kundërshtuar qeverinë e Kryeministrit Rama.

Skenari i PD-së për të lënë parlamentin nuk u realizua, pasi disa deputetë të opozitës nuk i dogjën mandatet, si Rudina Hajdari apo Myslim Murrizi, por nga ana tjetër, vendet e atyre që i dogjën, i zunë disa deputetë që ishin jashtë listave fituese të PD e LSI.

Ata formuan opozitën parlamentare, që do mbahet mend si votuese e ndryshimeve kushtetuese, ndryshimeve në kodin zgjedhor, apo të çdo ligji tjetër që maxhoranca socialiste kalonte në Kuvend.

Edhe zgjedhjet lokale që opozita bojkotoi nuk ndaluan socialistët të merrnin të gjitha bashkitë e vendit. Hapi i parë i opozitës për t’u rikthyer drejt institucioneve, ishte Këshilli Politik i formuar mes maxhorancës dhe opozitës, për reformën zgjedhore.

Në disa takime u desh ndërhyrja e ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë, që palët të gjenin zgjidhje për çështjet që nuk binin dakord.

Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit, nuk ishte ‘goditja’ e vetme e fuqishme që mori PD, pasi disa javë më vonë, Departamenti Amerikan i Shtetit, mori vendimin për të shpallur ish-liderin e PD-së, Sali Berisha non-grata.

Çështjet që Partia Demokratike pritet t’i ketë me prioritet për të diskutuar me PS, dhe mbi të gjitha të gjejë konsensus janë ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore dhe territoriale, pasi sipas opozitës, këto 3 çështje kanë pasur ndikimin e tyre në humbjen e zgjedhjeve.