Soreca si një ‘marsian’ në Tiranë: Fajëson ‘të gjitha palët’ për negociatat

314
Sigal

Pas lajmit se Holanda pritet që të vendos veton, duke bllokuar hapjen e negociatave me Shqipërisë, më në fund edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca,  bëri një reagim për këtë proces të rëndësishëm.

‘Shqipëria vazhdoi të bëjë përparim dhe marsin e kaluar, bëri një hap të madh me BE kur vendosi të hapë negociatat e pranimit. Tani Shqipëria është afër përmbushjes së kushteve të kërkuara. Në këtë moment kritik, të gjitha palët politike duhet të investojnë në ndërtimin e konsensusit të domosdoshëm politik, dhe të gjitha institucionet e pavarura duhet të japin rezultatet e nevojshme, për të ndjekur objektivin e përgjithshëm që ata ndajnë.  Kjo është ajo që dëshirojnë më shumë se 90% e popullit shqiptarë’ shkroi ai këtë të hënë në faqen e tij në Twitter.

Në këtë prononcim nuk shihet asnjë nga problematikat dhe kushtet e parealizuara nga qeveria Rama që i pretendon qeveria Holandeze, apo edhe vendet e tjera skeptike si Franca, Spanja, Danimarka dhe së fundmi edhe Gjermania. Lista prej 15 kushtesh që ju vendosën Shqipërisë në muajin Mars, të cilin Soreca e përmend vetëm si datë, është e gjatë por për ambasadorin e BE-së, ajo që ka mbetur për të bërë është vetëm konsensusi mes palëve politike!

‘Në këtë moment kritik, të gjitha palët politike, duhet të investojnë në ndërtimin e konsensusit të domosdoshëm politik’, është zgjidhja, Eureka, sipas ambasadorit Soreca.

Problemi është se këto palë politike në Shqipëri janë Partia Socialiste dhe qeveria e saj nga njëra anë, si dhe Partia Demokratike me gjithë forcat e tjera politike (opozita e bashkuar) nga ana tjetër.

Konsensusi që kërkon Soreca, në fakt  këto palë e arritën njëherë. Fillimisht me krijimin e Këshillit Politik dhe më pas me ‘Marrëveshjen e 5 Qershorit’ në të cilën ai vetë, së bashku me ambasadoren e SHBA dhe atë të Britanisë Së Madhe, ishin kumbarë dhe garantë.

Por kjo marrëveshje që tejkalonte një nga kushtet më kryesore (Reforma Zgjedhore me konsensus) për hapjen reale të negociatave, u prish në mënyrën më flagrante nga Edi Rama.

Ai e hodhi përfundimisht në kosh këtë konsensus që kërkon sot Soreca pas votimit të fundit në parlament, edhe pse Gjermania, Komisionieri për Zgjerim dhe shumë deputetë të Parlamentit Europian ‘ju lutën’ dhe e paralajmëruan, që të presë mendimin e Komisionit të Venecias.

Këshilli Politik që prodhoi ‘Marrëveshjen konsensuale historike të 5 Qershorit’ siç e quajti në atë kohë vetë ambasadori, në fakt ishte rruga që ai po kërkon sot në mënyrën më absurde.

Themi absurde, pasi Edi Rama sa herë që i kërkohej që ti qëndrojë konsensusit të Këshillit Politik, tundte flamurin e ‘parlamentit sovran’. Sa herë që ndërkombëtarët që kanë në dorë fatin e integrimit, e këshillonin dhe paralajmëronin që ti përmbahet konsensusit të arritur, fliste për ‘deputet legjitim’ të cilët dihet se si u futën në këtë parlament.

Nëse Soreca e ka pasur me Edi Ramën që shkel marrëveshje e konsensuse hapur dhe në mënyrën më arrogante, atëherë duhet ta nominojë dhe ta tregojë atë me gisht.

Nëse e ka seriozisht këtë, ‘të gjitha palët’, atëherë kemi një ‘marsian’ që punon si ambasador në Tiranë!

Sepse parulla të tipit; ‘të gjitha palët duhet…’ apo, ‘kjo është ajo që dëshirojnë më shumë se 90% e popullit shqiptarë’, kanë dalë boje me kohë.

Sepse është Rama dhe vetëm Rama, ai që po shfaqet hapur kundër BE-së  (të cilën Soreca e përfaqëson në Tiranë) duke shkelur çdo premtim e çdo konsensus brenda e jashtë vendit.