Skaneri mungon te publiku dhe gjendet te privati

469
Sigal

Gazeta Telegraf/

Denisa Kona

Nëse në spital apo urgjencën spitalore ju thonë të shkoni të blini vetë preparatet e diagnostifikimit, njoftoni menjëherë policinë për mos ofrim të shërbimit shëndetësor, gjë që përbën vepër penale. Ministri im i Shëndetësisë me bllokon mundësinë që t’i shkruaj në facebook! Kjo ka ngjarë pas mesazhit në faqen e tij në facebook si dhe në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë në facebook, që i dërgova mbrëmë në orët e vona të natës. E shoh të arsyeshme ta ndaj me publikun. “Z. ministër, pse nuk e ka vetë spitali solucionin për skaner, që kushton 7400 lekë te reja? Si mund ta lini ju qytetarin V.K.. në urgjencë pa e skanuar, i dyshuar për çarje aorte? Edhe një pyetje tjetër: Si është e mundur, që ky solucion gjendet në farmaci? Ka ndonjë qytetar skaner në shtëpi që t’i duhet ky solucioni Ultra-Vit?” Arsyeja që po ju shkruaj në këtë orë të vonë, është se sapo jam njoftuar nga i afërmi i një pacienti të shtruar në gjendje të rëndë në Urgjencën e QSUT-së, tek zona e kuqe. Pacientit nuk po i ofrohet kujdesi mjekësor. Më qartë, pacienti V.K. i paraqitur në gjendje të rëndë dhe i dyshuar për çarje të aortës, duhet të bëjë një skaner, por mjekët e shërbimit thonë se nuk kanë solucionin e skanerit, në mos gaboj, quhet Ultra-Vit. Mjekët u thonë së këtë solucion e gjen në farmaci. Pas kësaj, me sa më komunikojnë, familjarët po maten të telefonojnë policinë, për mos ofrim të kujdesit shëndetësor ndaj pacientit, gjë që përbën vepër penale. Nga ana ime, doja të dija: Si është e mundur që ky solucion mungon në spital dhe në urgjencë, ndërkohë që gjendet në farmacitë rrotull, ndërkohë që nuk është një produkt që pacienti mund ta marrë dhe ta administrojë vetë në shtëpi, por hyn tek paketa spitalore? Dhe meqenëse farmacitë rrotull i kanë këto që i mungojnë farmacisë së QSUT-së, pse nuk furnizohen atje repartet sipas nevojave që kanë të planifikuara? Në pritje të përgjigjes suaj, Denisa Kona”. Ju bëj të ditur se këmbëngulja për të drejtat tuaja, refuzimi për të paguar padrejtësisht dhe paralajmërimi për padi penale funksionon. Edhe në 10 tetor funksionoi. Pacientit iu mundësua solucioni i skanerit ‘gjoja’ në Sanatorium!