Tre mijë euro për të legalizuar pronat. Kjo ishte shuma që Hamza Tola, punonjës shërbimi në Ministrinë e Drejtësisë, kërkoi nga shtetasi Kastriot Kreku për t’i legalizuar tokat dhe shtëpinë. Abcneës.al ka zbardhur edhe dëshminë e këtij të fundit, i cili ka treguar se pavarësisht se i dha Tolës, shofer në Drejtorinë e Burgjeve Tiranë, shumën e kërkuar, ai nuk është ndalur me aq dhe ka kërkuar më shumë. Nga dëshmia e Krekut konfimohen lidhjet e forta të Tolës me drejtoreshën e ASHK-së në Sarandë, Aida Demi. Nisur nga kjo, Tola e ka kërcënuar Krekun se nuk do të marrë certifikatën e pronësisë, pasi debatuan për shumën e kërkuar dhe kjo ishte pikërisht ajo që ka ndodhur. Gjykata e posaçme ka vendosur arrest me burg për Hamza Tolën. Tola, punonjës shërbimi në Ministrinë e Drejtësisë, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave, që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim. Tola është arrestuar me urdhër nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi prokurori Elvin Gokaj, i kërkoi gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Tolën. Tola mbahej si sekser në ministrinë e Drejtësisë, ndërsa më parë ai kishte punuar dhe si shofer pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kastriot Kreku ka dhënë dëshminë e tij edhe për mediat ku ka deklaruar : “Hamza Tola më tha që problemin e tokës e kisha të mbaruar dhe realisht kështu ndodhi, më kërkoi 3 mijë euro dhe unë i dhashë 2 mijë euro, në fund të shtatorit 2021 e përfundoi lejen e legalizimit. Problemi qëndronte se Tola fillloi të më kërkonte lekë të tjera. Që në momentin që marrëdhënia jonë u prish, e vërteta është se unë nuk u pajisa me certifikatën e pronësisë dhe ky problem është edhe sot dhe unë nuk po pajisem dot.