Shqipëria dhe Kosova përkujtojnë eksodin e refugjatëve të luftës

453
Sigal

Qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës përkujtuan dje 15 vjetorin e eksodit masiv të shqiptarëve të Kosovës, nga dhuna e ushtrisë serbe. Veprimtari të ndryshme u zhvilluan në qytetin e Kukësit, i cili ishte mikpritësi kryesor dhe më i madh i qindra mijëra shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre prej ushtrisë dhe paramilitarëve serbë. Në përfundim të ceremonisë u zhvillua konferenca “Nga eksodi te partneriteti strategjik”,  e cila u hap me shfaqjen e një mini-dokumentari, me temë luftën e Kosovës, dramat që prodhoi, ndër to dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e rastit vuri në dukje ndryshimin ekstrem mes realitetit të 15 viteve më parë në dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë dhe atij aktual. “Kur e sheh me sytë e të sotmes të shkuarën e 15 viteve më parë, duket sikur ka kaluar një jetë e tërë. Në njërën anë të kufirit në Shqipëri një vend i brishtë i dalë nga një rrënim ekonomik si ai i vitit ‘97, me një qeveri në krye të së cilës ishte një djalë 30- vjeçar dhe nga ana tjetër e kufirit, Kosova në errësirën e një diktature gjithnjë e më barbare në një përpjekje të zgjatur në kohë e sakrifica, që shtrihej nga rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës, tek fillimet e Luftës Çlirimtare të Kosovës”, -kujtoi ai. Sipas Ramës, ishte aleanca e madhe ndërshqiptare, solidariteti mes tyre dhe humanizmi që i karakterizon, ç’ka bënë që Kombi ynë ta përballojë këtë dramë. Ai veçoi kontributin e kryeministrit të asaj kohe, Pandeli Majko. Por Kryeministri i Shqipërisë nuk harroi të shprehte mirënjohjen edhe për paraardhësin  e tij në krye të qeverisë, Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, si pjesë e kontributit të përbashkët, për atë që siç tha ai, tashmë quhet çështja e shqiptarëve. Kjo gjë hapi dhe shumë polemika tek politikanët dhe qytetarët. Mirënjohja e Ramës për mbështetjen ndaj çështjes shqiptare dhe kontributin e SHBA-së, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, erdhi edhe për Presidentët e Amerikës, Xhorxh Bush e Bill Klinton dhe për Aleancën Euroatlantike, të NATO-s. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se, lufta e shqiptarëve ishte e drejtë, ndaj edhe nderimi për viktimat dhe heronjtë e tyre është i madh. Ai tha se, mikpritja e Shqipërisë për qindra mijë civilë të pambrojtur bëri që ata ta përballojnë luftën me dinjitet. Gjithashtu, z.Thaçi u shpreh se, politikat gjenocidale ndaj popullit shqiptar ishin krime kundër njerëzimit. Kjo është arsyeja pse e gjithë bota na ka mbështetur. Kosova – tha ai – po ndërmerr hapa të shpejtë në integrimin euro-atlantik, pas një procesi të suksesshëm të shtetformimit”.  Po dje, Kukësi i akordoi Kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, titullin “Qytetar Nderi”. Në fundin e mijëvjeçarit të kaluar, në Kosovën martire u zhvillua një luftë e përgjakshme e me pasoja  tragjike, luftë, e cila mori me vete mijëra jetë njerëzish të pafajshëm. Përpos ceremonisë së organizuar dhe fjalimeve që u mbajtën nga figura të politikës Shqiptare dhe ajo e Kosovës, u vu re se, listës së falënderimeve i mungonin dhe shumë emra të shquar që kanë dhënë kontribut në këtë ngjarje. Gjatë falënderimeve nuk u lakuan emrat e Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i cili në luftën e Kosovës ka qenë komandant i UÇK-së. Gjithashtu, qëndresa  patriotike e Jasharajve në Prekazin heroik, me në krye legjendarin Adem  Jashari, i cili jo vetëm që ngriti peshë shqiptarët e kudondodhur, por jehona e saj ushtoi dhe tronditi një botë të tërë, duke i treguar mbarë njerëzimit se cilët janë shqiptarët dhe si flijohen ata për atdheun dhe kombin. Ky fakt nuk u përmend gjatë ceremonisë. Midis këtyre trimave të rrallë, rreshtohet edhe luftëtari patriot nga qyteti i Kavajës, atdhetari i flaktë i fisit tepër të dëgjuar të Carajve historik, Indrit Lulzim Cara, i cili dha jetën, duke rënë dëshmorë. Në këto ceremoni ra në sy mungesa e përfaqësuesve të opozitës dhe veçanërisht ajo e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Lidhur me këtë fakt, në një prononcim për median, z. Basha, deklaroi se, opozita nuk ka marrë ftesë për të qenë e pranishme në ato veprimtari përkujtimore kushtuar 15-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës.

Pandeli Majko: Ka ardhur koha që të kthejmë borxhin e Kukësit

Pandeli Majko, ish-Kryeministër i Shqipërisë në kohën e eksodit kosovar gjatë fjalës së tij në ceremoni u shpreh se, sot është koha t’i kthehet borxhi Kukësit. “Ka ardhur koha që të kthejmë borxhin e Kukësit. Kukësi ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Vështirë gjen njerëz që nuk kanë dhënë kontribut”. Majko i emocionuar vijon deklaratën duke thënë se, për të personalisht, Shqipëria dhe Kosova janë një e vetme. “Viti ‘99 kujtohet si dramë e madhe. Kukësi mbetet simbol, këtu ishte stacioni i parë. Shqipëria bëri të vetën. Për mua Shqipëria dhe Kosova janë një e vetme”.