Spartak Ngjela: Mbështetja për luftën e Kosovës, një bashkim që duhet vazhduar

444
Sigal

 Avokat Ngjela, ndër të tjera shprehet se, fakti që z.Majko nuk hapi fjalën në tubimin përkujtimor,  i bën dëm figurës së kryeministrit aktual, i cili  ende nuk ka krijuar realisht një figurë normale si kryeministër dhe si politikan i kualifikuar, përpara opinionit shqiptar e të huaj.

Z. Ngjela, si e gjykoni ju eksodin e Kosovës para 15 vitesh? Çfarë mund të ishte bërë ndryshe?

-Nuk besoj se mund të ishte bere ndonjë gjë më mirë. Ishte hera e parë pas pesë shekujsh që shqiptarët dolën në botë me eventin e tyre madhor unifikues dhe kjo nuk është pak. Sigurisht që gjithçka drejtohej nga Presidenti Amerikan dhe aleatët e tij, por edhe pritja e madhe që i bënë shqiptarët 1 milionë kosovarëve këtu, ka qenë një gjest që tani ka hyrë në histori. E gjitha kjo, mbajtja e shqiptarëve të Kosovës dhe kthimi i tyre në Kosovë pa humbje ose me humbje shume të vogla, pa dyshim që është meritë e të gjithë shqiptarëve. Ai ishte një bashkim, që duhej vazhduar. Politika që erdhi më pas, e zbehu. Dhe nuk dihet nga se, nga injoranca e saj, apo nga dëshira e keqe!

Z. Pandeli Majko, vetëm 30 vjeç në atë kohë, Kryeministër i vendit, menaxhoi krizën më të madhe njerëzore që kanë pasur shqiptarët pas luftës. A ju duket e drejt hapësira që ju la në këtë ceremoni? A nuk mendoni se do ishte më me vend që fjalën ta hapte z. Majko?

-Patjetër që Pandeli Majko duhej që ta hapte atë tubim përkujtimor, por ja që kjo është politika infantile shqiptare. Majko ka hyrë në histori dhe as që pyet për sjelljen e Ramës apo të të panjohurve të tij. Por gjithsesi, fakti që kjo ka rënë në sy, i bën dëm figurës së kryeministrit aktual, i cili ende nuk ka krijuar realisht një figurë normale si kryeministër dhe si politikan i kualifikuar, përpara opinionit shqiptar e të huaj. Mund e jetë xhelozi, por më së shumti është naivitet fëminor në politikë.

Për sa i përket lënies jashtë të heronjve që dhanë kontribut për këtë luftë siç janë: Adem Jashari, Indrit Cara, Ramush Haradinaj.. A është e drejtë që nuk u përmendën? A mendoni se, ka pikëpyetje për këto figura udhëheqëse të UÇK-së?

Nëse për rastin e parë, naiviteti “luftues kundër” i takon Ramës, për këta të dytët naiviteti “luftues kundër”, pa dyshim që i takon Thaçit. Siç duket, në raport me rivalet, Thaçi dhe Rama kanë të njëjtën sëmundje: paaftësinë për të qenë burra shteti.

Në lidhje me mungesën e opozitës në këtë ceremoni, dhe veçanërisht mungesën e z. Basha. Mendoni se është e drejt mungesa e një ftese nga ana e maxhorancës?

-Nuk besoj se, opozita nuk ka pasur ftesë. Unë besoj se, atë nuk e ka lënë Sali Berisha. Dhe, po ta vendosësh edhe këtë pengesë “ala Berisha” në gjykimin e me sipërm, Berisha do të quhej kampioni i politikës primitive, kundrejt kundërshtarit në politikën shqiptare. Përderisa ju i keni kapur këto defekte, mendoj se, duhet t’i luftoni gjithmonë, se këto janë pengesat tona për modernitetin në politikën shqiptare.