Shefja e OSBE në Tiranë: Ja pse u kompromentuan zgjedhjet lokale

89
Sigal

I konceptuar si një seminar teknik që u mbajt edhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri ky takim i dha një rëndësi gjetjeve dhe rekomandimeve në lidhje me edukimin e zgjedhësve. Në hapje të këtij takim Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, tha se nuk është problemi tek ndryshimet ligjore por tek moszbatimi i ligjit si dhe pandëshkueshmëria prej kapjes së organeve të reja referuar zgjedhjeve të fundit vendore

Me fokusin tek gjetjet e raporteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimet e tyre të mërkurën u zhvillua një takim i organizuar nga prezenca e OSBE në Shqipëri dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. I konceptuar si një seminar teknik që u mbajt edhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri ky seminar teknik i dha një rëndësi gjetjeve dhe rekomandimeve në lidhje me edukimin e zgjedhësve. Në hapje të këtij takimi Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, tha se nuk është problemi tek ndryshimet ligjore, por tek zbatimi i ligjit si dhe ndëshkimi për moszbatueshmërinë e tij referuar zgjedhjeve të fundit vendore: “Ka një sërë çështjesh, që ngrihen nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si nga ato më të fundit për zgjedhjet vendore, por edhe nga ato të mëparshmet, që nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime ligjore, të ligjit zgjedhor ose të ndonjë ligji tjetër, por më tepër zbatim të ligjit dhe, në disa raste, ndëshkim për moszbatimin e tij”. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se institucione të tjera duhet të rrisin vëmendjen ndaj disa kategorive që, për arsye të ndryshme ligjore, nuk i qasen dot procesit të votimit. Tryeza shërbeu si një forum diskutimi për përfaqësuesit dhe ekspertët e KQZ-së, institucioneve të tjera shtetërore, shoqërisë civile dhe partive politike se si të përmirësohen fushatat informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese të zgjedhësve. Diskutimet u fokusuan te gjetjet e raporteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e programeve të edukimit të zgjedhësve, si edhe te gjetjet e grupeve të vëzhguesve vendas dhe përvoja nga vëzhgimet e organizatave të shoqërisë civile. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një strategjie më të gjerë për informimin e zgjedhësve, të përshtatur për nevojat specifike të kategorive të ndryshme të zgjedhësve, në kohë për zgjedhjet e ardhshme. Theks i veçantë iu vu përfshirjes së grupeve të nënpërfaqësuara, si pakicat kombëtare, personat me aftësi të kufizuara, përfshirë zgjedhësit me shikim të dëmtuar, gratë, të rinjtë, si edhe zgjedhësit që banojnë në zona rurale ose të largëta.