Dr. Blerina Shalari: Kristalet muzikore të Endri Sinës

66
Sigal

Nga Dr. Blerina SHALARI

Kompozitore, muzikologe në Qendrën e Studimeve të Artit, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Kompozitorin dhe profesorin Endri Sina, e kam ndjekur përpara se të hyja për studime në Universitetin e Arteve. Emrin e këtij kompozitori e ndeshja shpesh në festivalet e këngës, atje ku muzika e tij vlerësohej gjithmonë me çmime. E ndjeja që në notat e para se kjo këngë, apo ajo romancë do të ishte e profesor Endrit. Ky autor suksestar i heshtur, pa zhurma e reklama nga ato që jemi mësuar, përmes koncertit të tij të fundit “Kristal”, i dha botes shqiptare një ekspozitë të përmbytur përplot me telajo muzikore, mbi të cilat ndrin parreshtur kurmi i penelit të artistit të vërtetë.
Ajo që të bën të flasësh për këtë artist është, mbi të gjitha thjeshtësia e tij, një pretendim ky për të gjithë artistët shqiptarë, veti të cilën ai e shfaq edhe në tingujt e shpirtit të tij.
Ajo që më ndrin në mendje si medalion, është pikërisht një dramë e brendshme, tragjiku i shpirtëzuar në nota, prirje kjo e talentit, dhe ndoshta dallimi substancial mes tij dhe të kundërtës.
Pianoja është altari i muzikës së profesor Endrit. Atje ai zhvishet nga kërkesat eksteriore, ato që të mbysin e të vrasin veshin me zhurma pa fre, dhe me teka të stilit gjoja bashkëkohor të krijimit. Por jo, kompozitori Endri Sina i kundërvihet këtij antisimboli duke përkthyer në tinguj simbolikën e përhershme, ose romantikën e humbur, siç e quan në koncertin ku derdhi pafund kristale tingujsh.
Kompozitori është një melodist fanatik, një neoromantik i vonshëm, ndoshta shkrepja e parë e një agimi të ri për melodinë shqipe, e cila sot gjendet e plagosur dhe me portretin e shkujdesur me flokë të shpupurisur, dhe që kalon para veshëve tanë pa e vënë re.
Po harqet? Ato i binden verbërisht dramës së kompozitorit, në një kujtim apotetik që ka për një engjëll të vogël, që siç duket, s’i ka harxhuar qirinjtë që kompozitori ia ka blatuar në tokë, dhe tani ai ia ndez muzikës së tij në qiell. Violonçeli i Dorina Laros, oboja e Xhovana Markut, por edhe pianoja e Kristina Laços (nismëtarja dhe finalizuesja e koncert-portretit të krijuesit Sina), i’a plotësuan këtë dëshirë mjeshtrit, i dhanë një velë përjetësie anijes së tij tingullore, e cila ka shumë udhë për të bërë.
Po kënga dhe romanca?
Ato duket se i dërgojnë një kartolinë tokësore Shubertit të madh dhe sikur duan t’i thonë se testamenti yt, për të mos e lënë botën pa melodi, do të zbatohet, sepse është amaneti i një kompozitori.
“Këngë për mijëra vjet” si dhe “Dora jote” me tekstin e Lasgushit, përzier me këngët violinëtare për Moravën (nën harkun dhe gishtat e violinistit Dejon Bendaj), i dhanë një shije që vazhdon ende, pas mbrëmjes që ndoqëm në sallën e Universitetit të Arteve.
Ndërsa, sopranoja Ulpiana Aliaj, mbajti një finale të ëmbël, finale romance, duke e ngjyrosur me një pianisimo sipas stilit të kompozitorit, hijeshuar në sfond edhe nga tingujt e violinës së Stela Bellos.
Refreni i Gjolekës, të birit të Abazit, ta sillte si në ekran tragjikun e kohës së errët, përzier me fyellin baritor të kullotave shqiptare të imagjinuara përmes pianos së Herka Mejdanit.
Do ta përveçoja Zenicën, një kronikë tingullore për një qytet të trazuar nga lufta, që mund të ishte ndoshta edhe shqiptar, ku përmes gërvishtjes së telave të pianos me dorë nga pianistja Kristina Laço, i jepet publikut ankthin për trazirën, dhe mosngushëllimin pas saj.
Po kështu, troku i kalit të dramës “Ekus”, ishte një aureolë që i qëndroi përmbi – tingujve të pianos së Era Kumes, tinguj që shpalosin një filozofi dramatike efektuale e të arrirë të regjizorit boshnjak Dino Mustafiq, apo muzika e dramës “Galactia”, krijuar nga kompozitori me tisin venecian dhe kenduar ëmbëlsisht nga dueti cello-piano.
Përmbyllja e koncertit të kristaleve të kompozitorit Endri Sina erdhi përmes akuarelit pianistik të “Mimozave” të çelura dhe kohës së tretë të simfonietës së tij “Paladea” – një valle elegante, e luajtur nga orkestra e harqeve “Kristal”, nën drejtimin e Fabio M. Rocchi-t, e cila dukej se për një moment e ndihmoi kompozitorin që t’i hidhte pas dramat e muzikës, të shkrira me trandjet e jetës.
Nuk ka dyshim se kompozitori Endri Sina, e ka institucionalizuar muzikën e dramës dhe i ka krijuar kompozitorit statusin e paprekshëm, si një autor legjitim për këtë zhanër, i cili nuk mund dhe nuk duhet të jetë një makiazh ilustrues, por të imponohet artistikisht si një aktor i vërtetë në skenë.
Mendojmë se mjeshtri Sina duhet t’i qëndrojë fort impresionit të dramës si dhe shpirtëzimit të romancës. Prej të dyja këtyre formave artistike, presim kristale të tjera nga dora e tij.
Një vlerë që flet, përmes muzikës së këtij krijuesi, është poetizmi, një neoromantizëm i përzier, jo domosdoshmërisht me aksin modern të krijuesve të sotëm. Ky kompozitor nuk e paragjykon tonalitetin, por e bën atë pashmangshmërisht pjesë të integritetit të tij artistik.
Ky kompozitor e universalizon veprën, pse jo, edhe përmes afrimit në të, të inspirimeve të Morikones, Kujtim Laros, e të gjithë melodistëve më të shquar, të cilët, ashtu si dhe Endri Sina, e kanë shumë të shtrenjtë melodinë, duke e shpallur si një bijë të denjë të krijimit.
Koncerti “Kristal”, nuk më la mundësinë të “vjedh” ndonjë kritikë nga vehtja, dhe kjo për të vetmen arsye se melodia e mjeshtrit Sina mbizotëronte skenën dhe sallën. Ndoshta mund të themi këtu se kompozitori Sina e ka suksesin më të madh në muzikën e dramës, shquhet me të, por edhe romanca, kënga dhe aranxhimi orkestral nuk mbeten pas.
Suksese mjeshtër Endri Sina!
Do të jem e nderuar nëse më besoni ndonjë ngjyrë, nga pejsazhi juaj krijues.