SHBA dhe BE përgënjeshtrojnë qeverinë Rama për “Anti KÇK”

450
Sigal

Zëri i Amerikës/ Bie alibia e qeverisë se paketa “Anti KÇK” është bërë në bashkëpunim me SHBA dhe BE. Ambasada amerikane : Nuk kemi pasur mundësi të studiojmë variantin më të fundit. Delegacioni i BE: Nuk e kemi parë aktin normativ të miratuar. Reagojnë ekspertët dhe shoqëria civile; VKM-ja përmbys Reformën në Drejtësi dhe vendos diktaturën mbi Kushtetutën. Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe 12 organizata për të drejtat e njeriut dalin kundër aktit normativ për paketën “KÇK”

VOA/SHBA, BE: Nuk e Kemi Parë Ende Paketën “Anti KÇK”

Në Shqipëri qeveria miratoi dje një paketë të re ligjore, përmes një akti normativ, që sipas zyrtarëve, synon forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizimit dhe krimeve të tjera të rënda. Para dy javësh, më 13 janar, duke bërë të ditur planet për hartimin e pritshëm të kësaj pakete, që qeveria në njoftimin e saj zyrtar e quan “Anti-KÇK” (anti-kap-ç’a-të-kapësh) Kryeministri Rama u shpreh se “… kemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore që jemi duke e kolauduar këto ditë që flasim edhe me partnerët tanë të pazëvendësueshëm, SHBA dhe BE dhe në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, duke zhvilluar një aktivitet si asnjëherë më parë agresiv në terren të Policisë së Shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar, por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi, ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre. Paralelisht me ta, ne do bëjmë të mundur vendosjen me shpatulla pas murit të çdo anëtari të KÇK në Prokurori apo Gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”. Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës për paketën e re ligjore, një zëdhënës i ambasadës amerikane në Tiranë nuk mundi të jepte një vlerësim për të pasi, siç u shpreh zëdhënësi, “Nuk kemi pasur mundësi që ta studiojmë variantin më të fundit të legjislacionit “Anti-KCK”. Presim që të kuptojmë detajet” duke theksuar se “E vlerësojmë shprehjen nga Kryeministri të vendosmërisë dhe vullnetit politik për të luftuar murtajën e krimit të organizuar”. Edhe zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, duket se nuk është e informuar për paketën ligjore të miratuar sot. Përfaqësia e BE-së i tha Zërit të Amerikës se “Delegacioni i Bashkimit Evropian nuk e ka parë aktin normative të miratuar sot dhe nuk mund të bëjë komente në këtë moment”. Duke njoftuar paktën e re ligjore, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha të premten se objekt i saj janë edhe gjithë personat e akuzuar për krime të rënda, përfshirje në krim të organizuar dhe terrorizëm, por që nuk janë dënuar për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Opozita, nga ana e saj, e priti me skepticizëm këtë paketë ligjore, duke e quajtur një nismë propagandistike. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi tha në rrjetet sociale se “qeveria Rama nuk ka bërë kurrë luftë kundër krimit, por ka bashkëpunuar me të, ndaj edhe kjo nismë e re do të dështojë, ashtu si dështoi nisma e mëparshme “Forca e ligjit”.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës për paketën e re ligjore, një zëdhënës i ambasadës amerikane në Tiranë nuk mundi të jepte një vlerësim për të pasi, siç u shpreh zëdhënësi, “Nuk kemi pasur mundësi që ta studiojmë variantin më të fundit të legjislacionit “Anti-KCK”. Presim që të kuptojmë detajet”