Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të kthehet në epiqendrën e Europës gjatë tri ditëve të ardhshme, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian që zhvillohet në Tiranë më 16 maj.
Në një deklaratë publike, Rama bëri të ditur se kryeministri i Britanisë së Madhe do të mbërrijë të mërkurën në Tiranë për një vizitë bilaterale – e para në histori nga një shef i qeverisë britanike në Shqipëri. Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron do të largohet i fundit nga samiti, duke qëndruar më tej për një tjetër vizitë bilaterale me autoritetet shqiptare.
“Shqipëria e tre ditëve që vijnë do të jetë qendra e Europës. Pastaj do ta nisë javën e re me një imazh më të mirë dhe më të fortë, si Europa e Ballkanit,” u shpreh kryeministri Rama. Ai theksoi gjithashtu se kjo është një ngjarje që reflekton jo vetëm forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë, por edhe një vlerësim për përpjekjet integruese dhe stabilizuese të vendit në rajon.
Samiti do të mbledhë në Tiranë liderët më të rëndësishëm të kontinentit, ndërsa masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm. Shqipëria pret për herë të parë një aktivitet të tillë në këtë nivel.