Sot nis protesta e opozitës në Tiranë

595
Sigal

Shqiptarët në manifestimin më të madh të tranzicionit. Do “rrethojnë” kryeministrinë paqësisht dhe nuk do të largohen pa dhënë dorëheqjen kryeministri. E Majta i përgjigjet me antimiting nga Vlora

Kryeministri na risjell 1991-s, me antimitingun në Vlorë, ndërkohë, që shteti, ka bllokuar rrugët drejt Tiranës

Sot shqiptarët në protestën më të madhe, “rrethojnë” kryeministrinë, kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Jakup B. GJOÇA

Sot Tirana do të jetë e mbushur nga mijëra e mijëra protestues, të cilët kanë mbërritur që ditën e djeshme. Sot do të jetë protesta më e madhe, ndoshta pas atyre të 1991-shit, kur u rrëzua regjimi komunist.

Opozitë e Bashkuar

Është hera e parë, që kësaj here opozita është e bashkuar. Të gjitha forcat partiake, që nuk janë në koalicion me qeverinë, kësaj here janë bashkuar në një platformë bashkëpunimi, për të protestuar kundër kryeministrit Rama. Qëllimi i protestës është: Largimi i Edi Ramës nga kryeministria. Krijimi i një qeverie tranzitore, me kryeministër socialist dhe zgjedhje të parakohshme. Kjo qeveri, pas zbardhjes të fakteve se votat janë blerë, elektorati është shantazhuar në fushata zgjedhore nga grupe kriminale, se kandidatë në listat zgjedhore kanë bashkëpunuar me persona me rekorde kriminale, dhënia e koncesioneve publike personave me rekorde kriminale, apo me prokurim të drejtpërdrejtë, varfëria gjithnjë edhe më e madhe, rritja e papunësisë, braktisja masive e Shqipërisë nga shqiptarët thjesht për arsye ekonomike, e kanë humbur legjitimitetin e kësaj qeverie. Qeveria u përpoq që ta pengojë me çdo mënyrë dhe mjete protestën, sa arriti që të bllokojë edhe autostradën kryesore Tiranë – Durrës për 4 ditë, me pretekste të palogjikshme. Ndërkohë, Policia e Shtetit nuk ka dhënë leje për protestë, duke paragjykuar se mund të ndodhin veprime të dhunshme. Është fakt, që çdo protestë e deritanishme e opozitës, ka ndodhur në mënyrën më paqësore të mundshme, nuk ka ndodhur asnjë incident, asnjë veprim i dhunshëm. Por, siç duket, qeveria i trembet revoltës masive të qytetarëve, prandaj mundohet ta pengojë, ta injorojë.

Detajet e protestës

Protestuesit do të mblidhen në pika të ndryshme të Tiranës. Protestuesit që do vijnë nga juglindja do të mblidhen pranë Fakultetit Ekonomik. Një grupim tjetër protestuesish mbështetës të opozitës do të mblidhet tek korpusi. Para hapësirës së universitetit do të mblidhen protestues të njësisë 5. Protestuesit që do vijnë nga juglindja do të bashkohen me pjesën tjetër tek korpusi dhe do të drejtohen para kryeministrisë. Një pikë tjetër do të jetë “Rruga e Kavajës” pikërisht kryqëzimi i “21 Dhjetorit” dhe “Zogu i Zi”. Ata do të marshojnë drejt sheshit “Skënderbej” për t’u bashkuar me pjesën tjetër të protestuesve. Në shesh është parashikuar të mblidhen protestues të njësisë 8, 9 dhe ata që do të vijnë nga Babrruja dhe Paskuqani. Pas bashkimit në sheshin “Skënderbej”, të gjithë do të nisen drejt kryeministrisë. Pika tjetër e takimit për njësinë 3 dhe 4 do jetë kryqëzimi i rrugës së Elbasanit. Burimet kanë konfirmuar se protestuesit gjatë gjithë marshimit do të shoqërohen nga deputetët e zonave. Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të dalë nga selia e partisë për t’iu bashkuar protestuesve i shoqëruar nga disa të rinj. Lulzim Basha ka vendosur të mos mbajë fjalim para protestuesve. Ajo që nuk dihet apo nuk thuhet ende mbetet orari i përfundimit të protestës. Burimet thonë se nga baza e partisë ka një kërkesë për rezistencë dhe për vazhdimësi të saj. Por nëse do të vijojë, ende nuk është përcaktuar mënyra sesi do të operohet.

Basha: Qytetarët e kanë në dorë fatin e Shqipërisë

Opozita ka shkuar në çdo cep të Shqipërisë, për të ftuar shqiptarët në protestë. Dje, ishte dita e 105-të e protestës të banorëve tek Unaza e Re, të cilët protestojnë kundër koncesioneve të korruptimit, sidomos pas skandalit me “DH Albania”, kundër vendimit të qeverisë, që t’u prishë shtëpitë dhe t’i hedhë në rrugë dhjetëra familje pa u dhënë dëmshpërblimin, ndërkohë që koncesionarit i jep 20 milionë euro për kilometër. Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, duke iu bashkuar kësaj proteste, i ftoi qytetarët, që në protestën e sotme, ata të marrin në dorë fatin e tyre. Basha u tha dje banorëve protestues: “Sot pas 105 ditësh bashkimi dhe rezistence shikoni fytyrat se si ndrisin të banorëve të cilët nuk lejuan që shtëpitë e tyre të shembeshin. Nesër (sot) keni në duar fatin tuaj dhe e vendosni ju. EE keqja nuk është varfëria, varfëria është pasojë, e keqja është vjedhja të cilën e zbuloi edhe Zëri i Amerikës duke vjedhur votat dhe të ardhmen tuaj. Mbetet një shtyllë që nuk bie kurrë, kjo shtyllë quhet vullneti i sovranit. Ai jeni ju dhe ju e keni në dorë të diktoni çdo ndryshim”.

Kryemadhi: Zoti të na japë fuqi, populli i merr karrigen Ramës

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi: “Ne jemi peng i një njeriu që nuk e lëshon karrigen. Ai ka frikë. Sot ne kemi nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët. Populli do i japë leksionin që është ai që të jep karrigen dhe populli të heq nga karrigia. Hapja e negociatave ka rëndësinë më të madhe për ne. Qytetarët janë me popullin. Sot me shumë se kurrë kemi nevojë për Bashkim Kombëtar.