Që nga viti 1945, qeveritë në Shqipëri kanë bërë regjistrime të rregullta të popullsisë (cense) të paktën një herë në 10 vjet, përveçse dy vitet e fundit. Grupet e interesit, si partitë politike, qeveria, komuniteti i biznesit dhe bota akademike i kanë emergjente të dhënat mbi popullsinë dhe banesat, pasi tranzicioni demografik është bërë shumë i egër nga emigracioni masiv. Politikat e zhvillimit po rezultojnë problematike nga të dhënat e pasakta mbi kapitalin human Duket paradoksale që angazhimi më i madh statistikor në vend të mbetet peng i një tenderi. Në një sqarim të posaçëm për “Monitor”, Instituti i Statistikave (INSTAT) sqaroi se, Censi i Popullsisë dhe Banesave është shtyrë si pasojë e mossigurimit të mjeteve për një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe njëkohësisht monitorimit të informacionit në terren që janë tabletët. Ndryshe nga Censi i Popullsisë dhe Banesave i vitit 2011, INSTAT në këtë cens do të mbledhë informacionin pranë familjeve me tabletë me të cilët përpunimi i informacionit të mëtejshëm do të jetë më i shpejtë, më i saktë, totalisht i monitorueshëm dhe do të mundësojë publikimin e rezultateve në një periudhë më të shpejtë se sa ai i vitit 2011, sqaroi INSTAT. Përpjekjet për tenderimin e tabletëve kanë dështuar dhe procesi ka hyrë në një rrugë të gjatë, pasi pjesëmarrësit në garë kanë ankimuar te Komisioni i Prokurimit Publik, i cili do kohën e tij për të marrë vendimet që shpesh kërkojnë ribërjen e tenderëve.Në mars të këtij viti, INSTAT shpalli garën për blerjen e rreth 8 mijë tabletëve me vlerë 225 milionë lekë, të cilët do të shërbenin për regjistrimin e popullsisë në tetor të këtij viti. Të dhënat nga Agjencia e Prokurimit Publik treguan fituese subjektin “PC Store” sh.p.k., me ofertën më të ulët 169.6 milionë lekë, me kursim gati 500 milionë lekë nga fondi total.Në qershor, dy kompani pjesëmarrëse në garë, “Infosoft Systmes” dhe “Ligus” u ankuan te Komisioni i Prokurimit Publik, edhe pse kishin paraqitur vlera të larta në ofertat e tyre, me idenë se kompania fituese nuk plotësonte kriteret teknike.
Ankesat lidhen me disa kritere teknike që duhet të përmbushnin tabletët dhe aktualisht janë proces vlerësimi nga KPP, por ndërkohë është penguar një nga operacionet më të mëdha statistikore, ku i interesuari kryesor është vetë qeveria.
Burime nga INSTAT bënë të ditur se ankesat e kompanive për kriteret teknike të tabletëve nuk qëndrojnë. Tabletët do të përdoren vetëm një herë dhe nuk ka asnjë kuptim të kërkohen kritere të përdorimit të zakonshëm dhe as të ketë një servis të autorizuar, siç kanë kërkuar konkurrentët.
Fatura 15.8 milionë euro e 2018-s nuk mjafton
Këto kohë, regjistrimi i popullsisë është bërë i kushtueshëm kudo në botë. Censet që u bënë në dekadën e kaluar kishin kosto mesatare të regjistrimit për një person 1 dollar, por në vitin 2021 arriti mesatarisht në 3 dollarë, sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara.
Në Shqipëri, për të realizuar censin e vitit 2020, që në vitin 2018 ishte miratuar një buxhet prej 15.8 milionë eurosh, i cili do të përdorej për regjistrimin e popullsisë dhe banesave.
Shqiptarët po tkurren
Në 1 janar 2022, popullsia e Shqipërisë zyrtarisht është 2,793,593 persona, me rënie 1.3% nga viti 2020. Kjo ecuri është më negative se skenari pesimist i projeksioneve të INSTAT për ecurinë e popullsisë 2019-2030. Shqipëria ka hyrë në një fazë rënie pa kthim të popullsisë, duke bërë një kthesë historike që kur tregojnë të dhënat zyrtare të regjistrimit të popullsisë në vend.



















