Propozohet të ndahet në 3 rajone ose në 6 rajone. Si shihet edhe në këtë propozim numrat janë kryesorët. Ky propozim në një farë mënyre të krijon përshtypjen se propozuesit e tij “luajnë” me numra. Këtë e përforcon më shumë fakti se nga 3 shkohet tek 6, duke e kapërcyer p.sh. numrin 4 rajone. Pse? Ndofta sepse 4 nuk e ka cilësinë për të gjeneruar diskutim dhe kundërshti.
Ndërkohë theksoj se edhe trajtimi dhe zgjidhja e këtij problemi nuk duhet të kërkohet tek numrat.
Pas konferencës së shtypit që zhvillova javën e shkuar kanë qenë të shumtë gazetarët që kanë kërkuar të shpreh mendimin tim në lidhje me reformën terrioriale administrative. Në të gjitha rastet pyetja e tyre është paraprirë nga shprehja “Ju keni propozuar ndarjen e vendit në 4 rajone….”dhe në asnjë rast, nuk kanë pytetur pse në propozimin e bërë kërkohet që “Rajoni të vetëqeveriset nga Këshilli i rajonit që duhet të zgjidhet direkt nga qytetarët, çdo katër vjet, sipas sistemit propocional me listat e hapura”. Një qasje e tillë e gazetarëve, për mendimin tim është reflektim dhe është e ndikuar direkt nga mënyra se si në Kuvendin e Shqipërisë është kërkuar që të trajtohen dhe të zgjidhen problemet e pushtetit vendor. Si dihet, me kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës, Kuvendi vendosi të ngrejë Komisionin për reformën territoriale -administrative, detyrë kryesore dhe e vetme e të cilit është trajtimi i çështjeve dhe formulimi i propozimit për mënyrën sesi duhet të rindërtohet harta territoriale -administrative. Një kërkesë e tillë u mbështet me arsyetimin se ndarja aktuale e vendit, për efekte të pushtetit vendor, në 61 bashki dhe 12 qarqe, ndarje, e cila është rezultat i reformës së realizuar nga mazhoranca, në periudhën 2014-2015, favorizon vetëm këtë mazhorancë në garën zgjedhore për organet e pushtetit vendor. Në kërkesën e tyre deputetët e opozitës kanë theksuar se, ky organizimin në territor i pushtetit vendor nuk i ka shërbyer, si u deklarua nga mazhoranca në kohën kur mori vendimin e interesit të qytetarëve.
Harta aktuale e ka zvogëluar cilësinë e funksionimit të demokracisë përfaqësues në pushtetin vendor, veçanërisht për komunitetet, që banojnë në zonat rurale dhe, për pasojë nuk ka arritur të ndikojë sipas pritshmërive në rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, etj…Kërkesa e deputetëve të opozitës u pranua pa shumë vështirësi nga mazhoranca. Një fakt i tillë nxiti opinionin tek ndjekës të ndryshëm të jetës politike të vendit se, dakordësia për të ngritur një Komision të tillë parlamentar, parathoshte mundësi për grupin e deputetëve të opozitës për kompromise të tjera me mazhorancën në interes të grupit të tyre. Ndërkohë, koha po tregon se, dakordësia e mazhorancës, në fakt nuk ka qenë e nxitur tërësisht dhe vetëm nga synimi i saj për të krijuar mundësi kompromisi me deputetë të opozitës, për t`u përdorur nesër prej saj, në rastet kur do t`i duhen votat e deputetëve të kësaj opozite për të marrë vendime në Kuvend. Më shumë se sa kaq, arsyeja ndofta duhet të kërkohet tek fakti se puna në një komision parlamentar me detyrë si ajo që i është ngarkuar komisionit aktual për reformën territoriale administrative, nuk ishte e vështirë që të kanalizoje në “lojë“ numrash.Në këtë mënyrë palët të mos arrinë në dakordësi për hartën e re. Pra nga e gjithë kjo, mazhoranca të mos ketë asnjë efekt të padëshiruar. Dhe në fakt puna në Komisionin e reformës territoriale administrative këtu ka arritur. Palët propozojnë zgjidhje me numra të ndryshëm njësish bazë për qeverisjen vendore. Secila mbron numrin e vet dhe, për pasojë vendimi për ndryshim ka shumë pak mundësi për t`u marrë. Ndërkohë, si edhe kam theksuar kohë më parë, në emisioni Dekalog në TVSH, më 17 qershor 2022, kur sa po kishte filluar punën Komisioni për reformën territorale administrative, deputetët e opozitës duhet t`i kishin kërkuar Kuvendit por edhe vetë mazhoranca duhet të ishte e gatshme që, për të zgjidhur problemet dhe sfidat me të cilat përballet pushteti vendor, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ngrinte Komsionin paralamentar, me detyrë Reformën për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor. Harta territoriale administrative duhet të ishte vetëm një pjesë e detyrave të këtij Komisioni.
Përgjigja për pyetje në se duhet apo jo të trajtohet problem i rindërtimit të hartës territoriale me objektivin që zgjedhjet e ardhshme për organet e vetëqeverisjes vendore të bëhen me një hartë të ndryshuar, në vlerësimin tim është pozitiv. Se si ndahet territori në njësi vendore përveç se ka efekt në garën elektorale, më shumë se sa kaq është një faktor me efekt të rëndësishëm në funksionimin e pushtetit vendor. Ai është një ndër faktorët që ka ndikim të ndjeshëm në cilësinë e demokracisë përfaqësuese në nivel vendor dhe, për pasojë edhe në ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe në përputhje me interesat e qytetarëve. Por për ta realizuar këtë ndikim është shumë e rëndësishme që ndërhyrjet që mund të bëhet në ndarjen territoriale administrative të jenë të shoqëruar edhe me rregullimet e nevojshme në legjislacionin që trajton çështje të funksionimit të pushtetit vendor dhe në legjislacionin për zgjedhjen e organeve vetëqeverisëse lokale. Në të kundërtën efektet e hartës kufizohen vetëm në ndikimin që ajo ka në garën elektorale dhe, për pasojë edhe ndryshimi i saj është i vështirë për t`u arritur. Duke e kufizuar hapësirën për trajtimin e çështjeve dhe sfidave me të cilat përballet aktualisht pushteti vendor vetëm me ato që lidhen me ndryshimin e hartës, praktikisht është zvogëluar deri në kufijtë fundor, përpjekja për të krijuar kushte për funksionimin më efektiv të pushtetit vendor në plotësimin e interesave të qytetarëve dhe për mirë administrimin e resurseve lokale. Përpjekja për t`i zgjidhur problemet e këtij pushteti, vetëm duke u mbështetur tek numrat i ka të vogla mundësitë për sukses. Ndërhyrja në legjislacion për mirërregullimin e funksionimit të këtij pushtetit ka qenë dashur të artikulohej kohë më parë nga opozita dhe të kërkohej prej saj, kohë më parë, që ky mirë rregullim të realizohej si një reformë e thellë, në të cilin të perfshihej i gjithë sistemi sipas të cilit oganizohet dhe funksionon pushteti vendor. Pjesë e propozimit të deputetëve të opozitës, kërkues për ngritjen e Komisionit për reformën territoriale administrative është edhe trajtimi i qarkut si njësi aktuale e pushtetit vendor. Kërkohet që të ndryshohet harta sipas të cilës ndahet aktualisht territori, në 12 qarqe. Propozohet të ndahet në 3 rajone ose në 6 rajone. Si shihet edhe në këtë propozim numrat janë kryesorët. Ky propozim në një farë mënyre të krijon përshtypjen se propozuesit e tij “luajnë” me numra. Këtë e përforcon më shumë fakti se nga 3 shkohet tek 6, duke e kapërcyer p.sh. numrin 4 rajone. Pse? Ndofta sepse 4 nuk e ka cilësinë për të gjeneruar diskutim dhe kundërshti. Në katër rajone ekonomike e ka ndarë mazhoranca territorin e vendit në ligjin për kohezionin social. Referuar ndarjes në katër rajone mazhoranca ka realizuar një numër të ndjeshëm ndërhyrjesh për qeverisjen e tyre si janë p.sh. ngritja dhe funksionimi i drejtorive rajonale. Propozimi i opozitës për të rishikuar ndarjen e vendit në rajone, me numër ndjeshëm më të vogël se sa numri i qarqeve aktual është një propozim në kohë dhe i domosdoshëm për t`u trajtuar. Ndërkohë theksoj se edhe trajtimi dhe zgjidhja e këtij problemi nuk duhet të kërkohet tek numrat. Ajo duhet të kërkohet tek hartimi i legjislacionit në të cilin të përcaktohet mënyra se si do të funksionojnë rajonet, tek detyrat dhe të drejta që ato duhët të kenë tek përcaktimi i qartë i lidhjes dhe bashkërendimit të funksioneve të tyre me njësitë bazë të qeverisjes vendore bashkitë dhe me qeverisjen qendore, etj… E ritheksoj se për të trajtuar problemin në këto dimensione është e domosdoshme që puna të mos kufizohet vetëm në numrin e rajoneve dhe shtrirjen e tyre në territor. Vlerësoj se puna duhet të fillojë nga zgjidhja e problemit që lidhet së pari me organet vetëqeverisëse për rajonin. Në propozimin që kemi depozituar ne Kuvendin e Shqipërisë, rajonin si njësi të qeverisjes vendore e keni përcatuar një njësi që duhet të përbëhet nga disa njësi bazë të qeverisjes vendore me karakteristika gjeografike, socio-ekonomike, historike, kulturore, mjedisore, institucionale dhe politike, që e identifikojnë atë edhe fizikisht. Për vetëqeverisjen e tij propozojmë që qytetarët të zgjedhin, një herë në katër vjet, Këshillin e rajonit, duke votuar për listën e subjektit dhe për një nga kanditetët e subjektit që duan.
Nëpërmjet propozimit për njësisë vendore Rajon synojmë që jo vetëm të krijohen mundësitë që kjo njësi te funksionojë si njësi vendore që realisht të prodhojë të mira për qytetarët dhe të shërbejë për të rritur efektivitetin e vetëqeverisjen lokale, por në të njëjtën kohë edhe për të krijuar kushte më të mira për harmonizimin e politikave të qeverisjes qendrore me parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore. Nëpërmjet zbatimit të ligjit për kohezionin social, në fakt qeveria qendrore është duke interferuar me vetëqeverisjen vendore, ndërkohë që pushteti vendor për të qenë sa më efektiv në këtë interferim ka të nevojshme që të rrisë dhe të forcojë kapacitetet e tij. Kjo është një ndër arsyet pse ne kemi formuluar dhe kemi paraqitur, në Kuvendin e Shqipërisë, propozimin për mënyrën se si mund të organizohet pushteti vendor në nivelin e qarkut (rajoni). Në propozimin që kemi bërë nuk janë dhënë numra, sepse vlerësojmë se në fillim është e rëndësishme të arrihet dakordësia për këtë mënyrë organizimi të kësaj njësie të pushtetit vendor dhe pas kësaj është e logjikshme të kalohet në trajtimin e çështjes për shtrirjen në territor të këtyre njësive. Ndryshe, nëse propozohet vetëm që numri 12 të zëvendësohet me një numër më të vogël, problemi është e vështirë që të arrihet të zgjidhet ashtu si e kërkon zhvillimi aktual dhe perspektiva në mirëqeverisjen e komuniteteve lokale dhe mirëfunksionim e pushtetit vendor.






















