Xhaferri: 54 mijë nxënës më pak në 4 vite dhe hipokrizia 10 vjeçare me ata që ndjekin arsimin profesional

16
Sigal

Besart Xhaferri të martën përmes një reagimi u ndal tek situatë e vështirë që po kalon arsimi në vend dhe veçanërisht arsimi profesional. Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Besart Xhaferri tha në reagimin e tij se të parët që u larguan nga Shqipëria gjatë kohës së Rilindjes sipas tij ishin ata kishin mbaruar arsimin profesional. “Në 2014 me sugjerim të aktivistit, Shpëtim Nazarko, Kryeministri Edi Rama u zotua se arsimi profesional do kishte vëmendjen e qeverisë, e nuk munguan tryezat, panairet, daljet televizive në kuadër të propagandës për këtë nismë. Por si në çdo fushë të arsimit edhe arsimi profesional ka dështuar, pasi drama e eksodit, po e lë Shqipërinë pa nxënës në shkolla. Të parët që nisën eksodin pas ardhjes së Rilindjes në pushtet janë ata kishin mbaruar arsimin profesional. Është hipokrizi t’u thuash të rinjve që ndjekin arsimin profesional që më pas të punojnë në sektorin e shërbimeve tek ata që kanë ndërtuar hotele e resorte luksoze me paratë e narkotrafikut. Në kushtet e ekonomisë shqiptarë këta të rinj, janë të privuar për të ndjekur ëndrrën që të kenë një sipërmarrje të tyre në fushën e gastronomisë, e aq më tepër me këtë nivel pagash nuk do munden asnjëherë të sigurojnë një apartament. 4 vitet e fundit janë larguar 54 mijë nxënës, që shumë prej tyre sot mund të ishin në bankat e shkollave profesionale. Arsimi profesional nuk mund të shihet i veçuar nga panorama në të cilët ndodhet arsimi shqiptar sot, të cilën na e tregoi qartë raporti i fundit i PISA-s, e dëshmon fakti  se në shkencat ekzakte kemi vetëm 27 studentë të regjistruar, e dëshmon fakti se ende në 2024 shumë fëmijë bëjnë deri në 4 orë në këmbë për të shkuar në shkollë.” – tha kreu i forumit rinor Besart Xhaferri.