Rama: Kryeministri dhe Demiraj të dorëzojnë listën me emrat trafikantëve të kanabisit

456
Kryeministri Edi Rama ditët e fundit është shprehur për luftë të hapur ndaj kanabisit dhe pastrim total të të gjitha fushave në të gjithë vendin. Po kështu në një takim me task forcën, ai ka deklaruar se policia ka në duar një listë me emrat e të gjithë personave të konsideruar si koka të trafikut të kanabisit në vend. Të njëjtën deklaratë e bëri edhe Ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj. Ky i fundit është shprehur në një emision televiziv se ka në duar listën me 124 emrat e trafikantëve të mëdhenj. Por ndërsa deklaratat janë bërë publike, nuk kemi një kallëzim konkret në prokurori, madje as një njoftim zyrtar nga ana e Ministrisë së Brendshme. Çdo ditë flitet për arrestime të personave të ndryshëm që mbajnë akuzën e kultivimit, por asnjë emër zyrtari apo trafikanti të përfolur. Nisur nga e gjithë kjo që diskutohet, ka reaguar edhe nënkryetari i LSI-së Luan Rama. Në një postim në FB ai shprehet se kaq nuk mjafton, pasi sipas tij si funksionarë të lartë të shtetit ata kanë për detyrë që këtë listë ta dërgojnë në Prokurori. “Kryeministri e më pas edhe Ministri i Brendshëm, deklaruan se disponojnë një listë me 124 emra të implikuarish në veprimtarinë kriminale të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri! Kaq nuk mjafton! Si funksionarë të lartë të shtetit ata duhet ta dinë se e kanë për detyrë të veprojnë në zbatim të ligjit duke kryer si hap të parë dërgimin e listës së emrave dhe të të gjithë të dhënave që kanë në Prokurori! Ndërkaq, Prokuroria, nëse nuk e ka bërë, duhet të nisë menjëherë procedurat që ligji e detyron, për hetimin dhe fillimin e çështjes penale për emrat e listës që disponon Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm! Shteti ka ligje dhe funksionon përmes zbatimit të ligjit!”- shkruan Rama.
Sigal