Evdal Nuri: “Buka e shtrenjtuar e pensionistëve të varfëruar …!”

275
Sigal

1-Histori e hidhur kjo e bukës! Aq e vertëtë është sa vite pas çlirimit, por dhe më vonë, thoshim do shkoj të ha bukë, ose s’kam ngënë bukë “. U vu sistemi i triskëtimit e kudo që vije merrje bukën me vete. Dekada u punua për të siguruar bukën në vend. “Sihariq” dhe gëzim i madh vitin që u sigurua buka në vend. Për pataten thuhesh, është “ bukë e gjellë!” Pas 85-sës bukë merrte më i forti! Në vitet e para të demokracisë na u tha se dhe” gjashtë ditë bukë kemi”! Me rrixha dhe me para siguroje ndonjë thes me miell. Tani ka shumë familje që e gatuajnë bukën vet, mbasi i bije më lirë. Përfundimisht kemi vuajtur për bukën e jemi shumë bukëngrënës! Këtë e tregon dhe ky fakt:” Shqipëria ka konsumimin më të lartë të bukës në Europë…! “ E në rradhë të parë janë pensionistët se janë të varfërit e në një farë mënyre buka zëvëndëson gjellën! Renditemi të 12-të Evropë për çmimin e lartë të bukës, që tregon përsëri varfërinë.

2-“U gëzova “më shtesën e pensioneve 6%. Them kështu se herë të tjera rritja ka qënë, 2-3%. Së bashku me gruan shtesa ishte 28.340 lekë. Lekë më shumë, por thonë mirë që hesapi që bëhet në shtëpi, s’del në pazar. U binda kur nga rritja e çmimeve solla në shtëpi më pak ushqime dhe më mbetën më pak lekë! Kur më parë për një bukë dhe një qumësht paguanim 180, sot 290. Për një muaj 3300 lekë 466 më shumë sa shtesa vetëm për bukën e qumështin! Po të tjerat…?  Nëse llogaritim dhe sa e sa ushqimet e tjera, me kurcime, duhen mbi 9000 lekë. Kur po bëja këto esape, gruaja më tha, pse lodhe kot, shtesa është dy kg mish në muaj! Pra duhen dhe 6000 lekë për të rrujatur të njëjtin nivel të jetesës që pësëri është i e pamjaftueshëm. Për këtë më bindi Dulja, shitësi i fruta perime. Më parë për furnizim paguaja 60.000lekë, tani për të njejtat lloje e sasi paguaj 120.000, pra dyfishin. Kjo është arsyeja që juve s’ju vjen mirë, por dhe ne s’kemi ç’të bëjmë! Në Berat bizesmeni shqiptaro- francez Gasmen Toska krahas një fasoni ku punojnë mbi 250 punëtorë ka hapur që prej shtatë viteve një menxë ku çdo ditë drekojnë falas 40-50 fukarenj. I pyetur për shpenzimet, sqaroi se me të njëjtën menu e sasi si më parë, shpenzoj 60% më shumë lekë. Në vend janë rreth 769 mijë familje, që mesatarisht shpenzonin në muaj (para rritjes së çmimeve) rreth 27 miliardë lekë (rreth 225 milionë euro) Rreth 42% e shpenzimeve totale shkojnë për ushqime ndaj, një rritje e çmimeve të ushqimeve rëndon më shumë buxhetet e familjeve tona. Sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit për gushtin 2022 për bukën dhe drithërat ishte 20.4%. Emigrantët vijojnë të jenë burimi kryesor i të ardhurave. Në të dhënat e bëra publike nga Banka e Shqipërisë thuhet se nga janari në qershor remitancat u rritën me 36 milionë euro krahasuar me vjet dhe në total arritën në 376 milionë euro. Kjo është vlera më e lartë e dërgesave e bërë në gjashtëmujor, prej 12 vitesh. Vetëm në tre muaj prill, maj, qershor dërgesat e emigrantëve ishin 192 milionë euro, shifër rekord edhe kjo në dekadë. Kjo varfëri është arsyeja që 7-muajt e parë janë larguar për në vendet e B.E. mbi 10000 persona.

3-Kjo gjendje është e lidhur me varfërinë e me pagën nominale dhe atë reale. Pagë nominale quajmë pagën që marrim me lekë në dorë. Kuptohet sa më shumë të marrim aq më mirë do të jetojmë. Por kjo është relative. Ajo nuk përcakton standartin e jetesës. Edhe pse pagat nominale rriten çdo vit, niveli i jetesës ulet. Arsyeja është se çmimet rriten me një përqindje më të madhe sa përqindja e rritjes së pensionit, kështu që niveli i jetesës ulet ! Atë e përcakton paga reale. Paga reale është sasia e të mirave materiale që siguron me pagën nominale. Rritja e çmimeve më tepër se paga nominale ul ndjeshëm standartin e jetesës si po ndodh këtë vit! Si pasojë, të ardhurat reale ulen. Jetesa bëhet më e vështirë edhe pse ti merr më tepër lekë. Nga rritja e pensioneve tek ne përfitojnë  mbi 7400 mijë persona. Ky indeksim ndodh në Shqipëri, aktualisht kur ka vetëm 12% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare. Por numri i të moshuarve në Shqipëri pritet të rritet më shumë se dyfish, në dhjetëvjeçarët e ardhshme. Të dhënat tregojnë se, plakja në Shqipëri do të ndodhë edhe më shpejt se në disa nga vendet më të vjetra, për arsye të largimit në masë i të rinjve. Shqipëria parashikohet të ketë popullsi më të madhe me moshën mbi 65 vjeç se sa vende të tilla si: Franca, Suedia, Serbia, Mali Zi e tjerë.

Indeksimi i pensioneve me 6%, përfitojnë vetëm ata që kanë pensione të larta pasi 6% i pensionit 450 mijë lekëve është sa 3-fishi i pensionit 150 mijë lekë, ose 300% më pak. Me e drejtë do të ishte që të gjithë pensionistëve për indeksimin e çmimeve t’u shtohej e njëjta shumë lekësh, mbase të gjithë përballen me të njëjtat çmime në treg . Kjo mënyrë dëmton shtresat në nevojë. 4- Pleqëria dhe kusuret e saj…! Gjithmonë e më shumë sot po bëhet e domosdoshme të rritet interesimi i shoqërisë për të moshuarit. Ashtu si dhe fëmijët, edhe të moshuarit kanë nevojë për një shërbim  të specializuar. Plakja është një fenomen shumëformësh, e në qoftë se vdekja është e paevitueshme. Çdo njeri duhet të jetë i kënaqur dhe sa më i pavarur si gjatë gjithë jetës së tij ashtu dhe në pleqëri. Por shumë prej të drejtave dhe mundësive  akoma nuk njihen. Del e nevojshme krijimi një shoqate kombëtare, e cila do të ishte jo vetëm i të moshuarve, por dhe i profesionistëve të kujdesit për të moshuar në institucionet përgjegjëse si dhe në shoqërinë civile. Mbrojtja e shëndetit dhe përkujdesja sociale të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e të moshuarve, me qëllimin që gjithnjë e më shumë njerëz të mund të jetojnë një jetë sa më të qetë e të shëndetëshme  – Eshtë e kuptueshme që pleqëria bën punën e saj,por një i moshuar është mbartës i një përvoje shumë vjeçare e profesionale dhe jetësore që i transmetohet të rinjve në forma nga më të ndryshmet dhe që i bën ata më të nderuar e respektuar për gjithë shoqërinë. Në dialektikë funksionon një ligj sipas të cilit e reja e mohon të vjetrën, por nuk e asgjëson plotësisht, ajo merr pozitivet e të vjetrës dhe këto i çon përpara. Pra, brezi i ri ka çfarë merr nga ata. Këto i ka për detyrë ta çojë më tej, ndryshe do mohohet zhvillimi. Gjithmonë e më shumë sot po bëhet e domosdoshme të rritet interesimi i shoqërisë për të moshuarit. Ashtu si dhe fëmijët, edhe të moshuarit kanë nevojë për një shërbim në strukturë. Pra, krijimi i një rrjeti profesional bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare me fokus të moshuarit, do të ishte gjithashtu një tjetër arsye e fortë për përmirësimin e jetës së pensionistëve. Plakja e kujdesi për të moshuar është përgjegjësi e shtetit, por dhe shoqërisë civile që e ka përjashtuar veten nga kjo detyrë. Përkatësisht 92% të personave të moshuar kanë të paktën një sëmundje kronike dhe 77% kanë më së paku dy. Sëmundjet e zemrës, kanceri dhe diabeti janë sëmundjet më të zakonshme dhe shkaktojnë 1/3 e vdekjeve çdo vit. Çdo i moshuar duhet të kontrollohet te mjeku rregullisht: të zgjedh ushqim të shëndetshëm për konsumim dhe të bëjë ushtrime, aktivitete fizike për të parandaluar sëmundjet kronike. Obeziteti është një nga problemet më të zakonshme te të moshuarit, i cili po rritet vazhdimisht. Trajtuam disa nga shqetësimet e moshës së tretë: Kryesisht ato ekonomike duke mos lënë pas dore ato shëndetësore. Eshtë detyra e të gjithëve që të kujdesen ndaj kësaj moshe që aq shumë ka bërë për rritjen dhe edukimin e brezit të ri. Përfundimisht, të gjithë jetojmë në këtë ambient, por kur trajtoj këto shqetësime jo s’e zgjidh problem, por thjesht lehtësohem…!