Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka folur mbi hetimet për dosjen e CEZ-it dhe dëshminë e tij në prokurori. Në emisionin “Studio e hapur”, Ruli tha se procesi i nisur së fundmi për këtë çështje i iniciuar politikisht. Disa ditë më parë, Ruli u paraqit në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime për aferën CEZ. “Pretendohet se privatizimi i CEZ-it u bë nën influenca favorizuese nga disa ndërmjetës. Por historia është krejt ndryshe. Privatizimi i CEZ-it është tepër i suksesshëm, i cilësuar i tillë edhe nga tre institucionet që nga shoqëruar gjatë gjithë procesit”, tha Ruli. Ai sqaroi edhe dëshminë në prokurori. “Unë kam një vlerë të veçantë kur dëshmoj për këto fakte. Pasi është një procedurë që ka zgjatur dy vite e gjysmë. Di si është realizuar dhe konkluduar, apo kush kanë qenë aktorët. Tek një hetim nuk mund të kesh paragjykim, të thuash besoj apo jo. Është një proces i iniciuar politikisht”, tha Ruli. Ai u pyet edhe për deklaratën e ambasadorit amerikan për “peshqit e mëdhenj”. “Peshq, balena, çfarë të duan. Nuk i njoh shumë peshqit, përveç dallimit që mëson nga kurioziteti fëminor, pra që dallon balenën nga cironka”, u shpreh Ruli. Ish-ministri foli edhe për marrëdhënien me ish-kryeministrin Berisha. “Berisha ka qenë këmbëngulësi dhe iniciatori i privatizimit dhe kërkonte që të bëhej kjo procedurë. Procesi ka qenë shumë intensiv, që nga fillesa, kur qeveria më autorizoi mua si ministër. Berisha ka qenë iniciatori, këmbëngulësi, e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme këtë proces. Qoftë nga raportimet e mia, apo qoftë nga instancat e tjera”, tha Ruli. Ai mohoi që të ketë pasur ndërhyrje. “Në asnjë rast s’ka pasur. Jo vetëm për CEZ. Në atë kohë janë kryer 4 privatizime. Dhe ai s’ka pasur asnjë rast”, nënvizoi Ruli. Ai shtoi se ishte njeri politik dhe ishte mësuar me sulme politike.




















