Fatos Lubonja: Letrat janë fasadë e grisur, shteti peng i mafies

204

Lubonja për letrat e kryeministrit: Fasadë e grisur, shteti është kapur nga mafia dhe oligarkia

Analisti Fatos Lubonja komentoi dje letrat që kryeministri Rama i dërgon kundërshtarit politik Lulzim Basha. Analisti Lubonja: “Këto letra i duhen thjesht për fasadë, për të vënë fasadën e grisur të kësaj krize që ka krijuar, të kapur nga mafia dhe oligarkia ku nuk ekzistojnë institucionet, ku nuk funksionin ekonomia dhe as mediat. Në këto kushte i thotë, hajde këtu, ulu në tryezë të të ha unë. Nuk i thotë, eja ulemi për të zgjidhur kriza. Kampioni i krizës është Edi Rama. E vetmja mënyrë e opozitës është, jo vetëm të protestojë, por të përfaqësojë të pa përfaqësuarit. Gjithçka ndodh e shoh si dialogun e ujkut me delen. Po të lexosh letrën e Ramës kupton se protesta nuk e shqetëson fare, e shqetësojnë protestat e dhunshme që bëjnë lajm. Besoj që opozita e ka tërhequr vëmendjen, por bota nuk i ka sytë tek Shqipëria vazhdimisht. Këto protesta mund të ishin më të rëndësishme dhe më të fuqishme, nëse do kishte më shumë ndërgjegjësim mes njerëzve dhe më shumë besim tek partia që i nxjerr njerëzit nga ky regjim. Rrëzimi i një regjimi kërkon më shumë forcë, forcën e njerëzve të revoltuar që kërkojnë të përmbysin një regjim. Duhet punë dhe këmbëngulje. Opozita duhet edhe të punojë për t’i ndërgjegjësuar njerëzit, që në këtë vend të ndryshojë diçka rrënjësisht për interesat e tyre. Nuk duhet të harrojmë se me mbarimin e zgjedhjeve në Evropë që morën rrjedhë jo shumë në favor të atyre që mbështesin hyrjen e shpejtë të Shqipërisë në BE, në këtë rast duhet marrë si e panjohur, se deri ku do ndërhyjnë ndërkombëtarët për të zgjidhur krizën. Këtu ka një luftë nervash dhe një luftë blofesh, por kartat më të forta edhe në këtë poker i ka ai që ka pushtetin, Edi Rama. Ky i fundit i do zgjedhjet me opozitën, për shkak të imazhit. E do delen të ulet aty dhe ta hajë. Më mirë nuk duhet hyrë në këto zgjedhje. Të vazhdohet me denoncimet.