Rrëzohet kërkesa e grupit të Bashës për statutin e PD-së / Avokati kërkon përjashtimin e gjykatësit

43
Sigal

Gjykata ka rrëzuar të premten kërkesën e grupit të Lulzim Bashës për paraqitjen e dokumenteve të këshillit kombëtar të Partisë Demokratike. Përfaqësuesi ligjor i grupimit të Bashës, Indrit Sefa ka bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes. Ndërkohë gjyqtari mori vendimin për shtyrjen e seancës gjyqësore për statutin e Partisë Demokratike. Përfaqësuesi i Gazment Bardhit në gjyqin për statutin e Partisë Demokratike, Marash Logu tha për mediat se kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit është e turpshme dhe e paligjshme. “Vazhdimi i lojës së turpshme të Bashës për ta mbajtur pezull dhe zvarritur statutin e Partisë Demokratike. Përfaqësuesit e Bashës përdorin çdo lloj truku për ta shtyrë. Ajo që kemi thënë në këtë proces gjyqësor, pavarësisht çdo mjeti nuk ka gjykatë, që mund të legjitimojë vendimmarrjet e Kuvendit të 2 shtatorit. Frika që kanë përfaqësuesit e Bashës i shtyu sot të bëjnë aktin e radhës të turpshëm dhe të paligjshëm për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit”, -tha Logu. Në fund u mësua se seanca e radhës në lidhje me ndryshimet e statusit të 2 shtator do të mbahet më 13 nëntor ora 15:00.