Nëse plotësohen 3 kërkesat, Grupi i Partisë Demokratike do angazhohet me seriozitet në jetën parlamentare
Sali Berisha të premten në konferencën e përjavshme garantoi qytetarët se grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk e ka ndërmend bojkotin e Kuvendit. Ai tha se me plotësimin e tri kërkesave për të cilat po zhvillohet beteja politike në parlament, të gjithë deputetët do të jenë të angazhuar maksimalisht në plotësimin e misionit të tyre. ” Ju garantoj se nëse plotësohen tre kërkesat, grupi parlamentar i Partisë Demokratike angazhohet me seriozitetin më të madh në jetën parlamentare. I plotësuat kërkesat – jeta në parlament zhvillohet sipas rregullave”. Gjatë fjalës së tij Berisha u shfaq mosbesues tek fakti se SPAK do të hetojë Edi Ramën për çështjen McGonigal. “Edhe unë kam informacione që SPAK po heton çështjen McGonigal. Por të besosh se po e heton për të fajësuar Edi Ramën, duhet t’i besosh rrethit katror! E hapën hetimin përpara se të merrej në pyetje nga FBI, Edi Rama- pastaj këtu nënkuptohet që një kërkesë ka ardhur për këtë dhe nuk mund të refuzojnë, apo e hapën hetimin, sepse e dinë se do kërkohet kontributi i tyre, se në shkurt është procesi, por të garantoj që në çdo rast, ata janë të aftë, siç e faktoi procesi politik ndaj meje, të fshehin dokumente, të falsifikojnë realitete, për të mbrojtur Edi Ramën.” – tha Berisha. Në lidhje me detyrimin e paraqitjes pranë SPAK të Berishës ditën e hënë, kreu demokrat u tha mediave të bëjnë durim duke thënë se për gjyqtaren Irena Gjoka do të mësoni shumë shpejt gjëra, por ai nuk bëri publike detaje. “Përgjigjen do e merrni më vonë”, -tha Berisha. Mes të tjerash ai tha se do të mësojnë shumë shpejt detaje për gjyqtaren e çështjes së tij, Irena Gjoka. “Nuk thashë asgjë…nëse unë shpreha këtë…Unë u shpreha këtu si zëdhënës i qytetarëve. Nuk jam i ri në këto denoncime. Situata është më e turpshme. Do të mësoni dhe për Irenën gjëra se si zbaton ligjet. Prisni, durim!”,- tha Berisha. “E morët vesh për Muçon? Nuk patën mundësi kurrsesi të kapërcenin një korruptokrate me byk ndërgjegje. Do mësoni të dhëna të tjera për këtë Irenën, për këtë tjetrën, për Blerinën tjetër. E morët vesh ç’ishte? E marrë peng, por në fund të fundit nuk e kapërcyen dot kurrsesi. Një njeri që shkroi në mënyrën më të turpshme, në mënyrë kriminale, ligje në vendimet e saj. Thirri palë atë që nuk ishte kurrë palë. Që kishte refuzuar të ishte palë. U bë pjesë e përpjekjeve të Edi Ramës për të shkatërruar identitetin e një force politike.” – tha Berisha duke ju referuar vendimit të datës 1 nëntor 2023 ku KPK shkarkoi gjyqtaren Blerina Muço.



















