Rovertos Spiropullos, “arkitekti” i “Prashini Karta”-Karta Jeshile e emigrantëve në Greqi

863
Sigal

Jani GJOÇA

Rovertos Spiropullos, me cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të OAED (Dikitis tis OAED) në 1997 hartoi projektligjin e Emigracionit të qeverisë “Simitis” tashmë e njohur si “Prashini Karta” ose Karta Jeshile për emigrantët. Në 1998 filloi për herë të parë në Greqi legalizimi i emigrantëve, ku shumica mbi 80 % ishin emigrantët shqiptarë. Në saj të këtij ligji, qeveria greke, nëpërmejt OAED (Institucioni shtetëror për Punësim në Greqi) u dha emigrantëve që ndodheshin në Greqi për herë të parë leje qëndrimi. Ideatori i kësaj reforme ligjore për të legalizuar për herë të parë të gjithë emigrantët që punonin dhe jetonin në Greqi ishte Rovertos Spiropullos, i cili, përveçse ishte Drejtor i Përgjithshëm i OAED, ishte edhe njeriu më i besuar i kryeministrit grek Kostas Simitis, sepse ishte edhe drejtori adminsitrativ i PASOK, partia qeverisëse greke. Në saj të kësaj reforme ligjore të qeverisë greke, në 1998 u pajisën me leje qëndrimi në Greqi mbi 600.000 shqiptarë, dhe shumica e tyre, që e vazhduan qëndrimin në Greqi sot kanë përfituar edhe shtetësinë greke, pikërisht, nga “Karta Jeshile” që morën në 1998.

Rovertos Spiropullos iniciatori i marrëveshjes Greqi – Shqipëri për të drejtat e pensioneve të emigrantëve

Në vitin 2001, deputeti grek Rovertos Spiropullos, me detyrën si zëvendësministër i Punës i qeverisë greke, merr iniciativën dhe fillon bisedimet zyrtare me qeverinë e Shqipërisë për të arritur një marrëveshje dypalëshe për transferimin e të drejtave të pensionit për emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, por edhe të atyre që kanë paguar sigurime shoqërore në Greqi dhe pastaj janë larguar nga Greqia në Shqipëri. Asaj kohe, unë kam bërë edhe një intervistë ekskluzive me Roverto Spiropullos, pikërisht për këtë marrëveshje, ku në 2002 zëvendësministri i Punës i qeverisë greke  Rovertos Spiropullos  flet për shtypin shqiptar se kji iniciativë është marrë nga vetë ai dhe shpreson se deri në 2004 do të përfundojë me nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe. Mirëpo, ardhja në qeveri e Kostas Karamanlis i ngriu këto bisedime për transferimin e ndërsjelltë të të drejtës të pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kohë më vonë, në 2011, Rovertos Spiropullos, me cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të IKA-s (Sigurimi Shoqëror shtetëror grek) në një intervistë të dytë për shtypin shqiptar, shprehet, se marrëveshja dypalëshe greko – shqiptare është ngrirë, sepse të dy qeveritë nuk u intereson më, ndërsa po të kishte vazhduar qeveria e PASOK deri në 2005-s, kjo marrëveshje do të ishte nënshkruar. Deri më sot, asgjë nuk është bërë nga ajo iniciativë që ndërmori Roverto Spiropullos në 2001, me cilësinë e zëvendësministrit të Punës greke, edhe pse zhvilloi në Tiranë dhe Athinë shumë herë bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare. Me dëshpërim, Rovertos Spiropullos, në 2010 u shpreh se “ …sot asnjë qeveri, as e jona (greke) dhe as qeveria juaj (shqiptare) nuk e dëshirojnë ta nënshkruajnë marrëveshjen për transferimin e ndërsjelltë të të drejtës së pensioneve emigrantëve shqiptarë, për interesa të ngushta, në dëm të emigrantëve shqiptarë…”

Rovertos Spiropullos: Ligji t’i shërbejë jetës së Njeriut

Rovertos Spiropullos ishte njeri human, por edhe një dashamirës i emigrantëve. Më ka rastisur ta njoh nga afër, unë emigrant i 1992-it dhe Rovertua  politikan, dhe përherë pashë që Ai tregohej i njerëzishëm t’u gjendej pranë, pavarësisht përkatësive fetare, etnike, politike. Nuk e dëgjova kurrë t’i thoshte ndokujt: Unë jam Ligji! Nuk ndihmoi askënd për të marrë rrushfet! Nuk premtonte me fjalë të mëdha, por bënte gjithëka! Nëse një institucion shtetëror grek nuk të zgjidhte problemin, nëse i drejtoheshe Roverto Spiropullos, atëhere e gjeje menjëherë të drejtën e mohuar. Në 19 gusht 2002 në mesnatë marr në telefon zëvendësministrin grek Rovertos Spiropullos në telefonin e shtëpisë dhe i them, se vëllai im është aksidentuar dhe është në reaminacion në spitalin universitar të Janinës dhe e lut që të përkujdesohet, se ndoshta mjekët nuk e kujdesojnë ngaqë është emigrant. Edhe pse në mesnatë, Rovertos Spiropullos më përgjigjet: Nuk ndodh që mjekët tanë të bëjnë dallime, por unë do të interesohem personalisht”. Në orën 08.00 drejtori i Spitalit Universitar të Janinës më thërret dhe më thotë që për të aksidentuarin emigrant është interesuar vetë zëvendësministri grek Spiropullos, duke u kërkuar, që, nëse është e domosdoshme, ta trasnferojnë edhe urgjent në klinikën më të specializuar të Europës me shpenzimet e shtetit grek. Pas disa mujsh, në mars 2013, në trajnim mjekësor në një klinikë private të klasit të parë në Athinë, IKA na njofton se nuk mundet që vëllanë ta trajtojmë si pacient në klinikë private të klasit të parë, pasi IKA ka marrëveshje ligjore me klinikat private vetëm 3 muaj kohor. Madje, drejtori i IKA-s për të na bindur, na dëfton edhe ligjin përkatës grek dhe na pohon se vetëm për një ditë trajtim mjekësor në spital privat IKA paguan për pacientin 500 euro. Vëllai ishte në komë, ku nuk mund të mbijetonte dot nëse nuk trajtohej në klinikë të specializuar. I drejtohemi zëvendësministrit grek të Punës Rovertos Spiropullos. Ditën tjetër, në klinikën private mbërrin shkresa zyrtare e Ministrisë së Punës greke, e nënshkruar nga zvministri Spiroullos me këtë përmbajtje: Pacienti të trajtohet për sa kohë që është e domosdoshme dhe shpenzimet do të përballohen nga IKA. Ligji duhet t’i shërbejë jetës së Njeriut!

Më 22 qershor 2019 Rovertos Spiropullos Iku nga Jeta. Por Rovertos Spiropullos do të mbetet për emigrantët shqiptarë “arkitekti” i legalizimit të emigrantëve në Greqi, ku në saj të ligjit që Spiropullos hartoi, fillimisht në 1998 përfituan leje qëndrimi në Greqi mbi 600.000 emigrantë shqiptarë e shumica e tyre tashmë kanë përfituar edhe shtetësinë greke. Nëse një ditë emigrantët shqiptarë që punojnë dhe kanë punuar në Greqi do të marrin të drejtën e transferimit të pensioneve, kudo që ata jetojnë, ajo është iniciativa e parë e ndërmarrë nga zëvendësministri i Punës greke Rovertos Spiropullos.