Rikonstruktohet Spitali Psikiatrik Vlorë, Rama: 18 muaj më pas, premtimi u mbajt

627
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj inspektuan punimet në spitalin Psikiatrik në Vlorë, ku zhvilluan takim edhe me mjekë, infermierë e punonjës së këtij spitali. Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se pas 18 muajsh u mbajt premtimi se do të shlyheshin borxhet e prapambetura të spitaleve dhe do të trajtohej me prioritet shëndeti mendor.
“Sot, 18 muaj më pas, premtimi u mbajt. Sot, spitali e ri Psikiatrik në Vlorë, u ndërtua pas 33 vitesh pa asnjë investim për të sëmurët e lënë në gjendje torture mesjetare. Falë një investimi të këtyre 18 muajve kemi një spital model me standardet më të mira dhe kushte bashkëkohore për trajtimin e pacientëve; një spital i cili përbën një shembull të shkëlqyer të shpenzimit të fondeve publike dhe nuk ka asgjë më pak se sa spitalet e mira të Europës”, u shpreh Rama.
Nga ana e tij Ministri Beqaj u shpreh se shëndeti mendor ishte prioritet, pasi sipas tij rreth 18 muaj më parë, ishte në gjendje të mjerueshme. “Shëndeti mendor është prioritet, është një çështje e rëndë në Shqipëri, jemi më keq se vendet e rajonit. Do të rikuperojmë pjesët e prapamenbtuar, shqiptarët meritojnë shërbim dinjitoz, çështjet e shëndetit mendor janë të ndjeshme sidomos nga ana sociale”, shprehej asokohe nga Vlora Ministri Beqaj, më 24 shtator 2013 gjatë vizitës për përurimin e punimeve të saponisuar për godinën e re të këtij spitali.