1 Qershori, Totozani: Më shumë vëmendje për të drejtat e fëmijëve

546
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka uruar ditën e sotme të gjithë fëmijët me rastin e festës së tyre, të 1 Qershorit. Gjatë fjalës së tij, Totozani ka deklaruar se duhet bërë më shumë lidhur me të drejtat e fëmijëve, pasi në vendin tonë, për disa kategori fëmijësh, gëzimi është ende i brishtë. Sipas tij duhet bërë më shumë që të dëgjohet edhe zëri i fëmijëve të komunitetit romë, atyre me aftësi të kufizuara apo jetimëve, duke e përqendruar vëmendjen më tepër edhe tek ata.
“Prioritetet e punës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve janë mbrojtja e tyre nga dhuna, krijimi i hapësirave për të dëgjuar zërin dhe idetë e tyre, krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët. Pavarësisht përpjekjeve apo iniciativave të gjithë jemi të vetëdijshëm se realiteti i gëzimit të të drejtave të fëmijëve në vendin tonë, për disa kategori është ende i brishtë. Sot kur jetojmë në epokën e internetit, pjesëmarrja dhe mendimi i vetë fëmijëve duhet të jetë i rëndësishëm për të gjithë. Varfëria apo niveli ekonomik i ulët i të ardhurave të familjeve, ndikojnë në cilësinë e jetës dhe në vetë projektimin e të ardhmes së shoqërisë sonë. Dhe sesa realizohen e mbrohen të drejtat e njeriut në vendin tonë, tregohet dhe nga mënyra e trajtimit të rupeve më vulnerabël të shoqërisë. Pa dyshim këtu rendisim fëmijët e komunitetit rom, fëmijët me aftësi të kufizuara, jetimët apo fëmijët në kontakt me drejtësinë. 
Vëmendja jonë duhet përqendruar tek ata, për një mbrojtje më të veçantë e ndihmë për familjet e tyre. Dhe të punosh për mbrojtjen dhe promovimin e interesit më të lartë të fëmijës, të gjesh parregullsitë apo veprimet e paligjshme, të hartosh rekomandimet për përmirësimin e jetës së fëmijëve, të ndërmjetësosh tek administrata publike për më të mirën e fëmijëve e realizimin e të drejtave të tyre, përbën një mision të rëndësishëm për Avokatin e Popullit në Shqipëri dhe për Komisionerin e Veçantë për Mbrojtjen dhe Promovimin e Të Drejtave të Fëmijëve, i cili së shpejti do të krijohet pranë kësaj Zyre. ”, u shpreh Avokati i Popullit.
Sigal