Rezultati zgjedhor i manipuluar. Dështim i plotë i identifikimit elektronik në zgjedhjet e 25 prillit

292
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pse KQZ mban të fshehtë listën e plotë të votuesve?

Në shumë qendra votimi më 25 prill, nuk funksionoi fare aparatura e identifikimit të kartave ID të votuesve dhe identifikimi u bë manual. Në shumë qendra të votimit, që shkuam, morëm përgjigje nga komisionerët e Qendrave të Votimit: Kemi njoftuar KQZ-në, që nuk punon aparatura e identifikimit elektronik të kartave të identitetit dhe na thanë, që të vazhdojë votimi në mënyrë manuale.

Akush nuk u interesua, që koncesionarit, që kishte marrë përsipër procedurën e identifikimit elektronik të kartave të identitetit të votuesve t’i kërkonte llogari, përse u prishën aparaturat në ditën e votimit? Cila është përgjegjësia ligjore që është marrë deri tani ndaj këtij dështimi?

KQZ-ja nuk ka bërë me dije asgjë. Ndoshta, koncesionari mori gjithë shumën e miliona euro, pavarësisht se procedura e përdorimit të elektronikës dështoi.

“Vendimmarrja e KAS me shumicë votash, për të heshtur ndaj provave dhe fakteve të krimit zgjedhor, e bën KAS dhe KQZ-në  “lavatriçe” të krimit zgjedhor, për të certifikuar një rezultat zgjedhor tërësisht të manipuluar, të vjedhur”

Mirëpo, tani në KAS po zbardhet shkaku i vërtetë i mospërdorimit të aparaturave në identifikimin e kartave të identitetit të votuesve.

Së pari, në shumë kuti votimi janë gjetur më shumë fletë votimi, sesa numri i regjistruar i votuesve. Pra, mospërdorimi i aparaturave të identifikimit elektronik të ID-së të votuesve, la hapësirë që të manipulohet rezultati zgjedhor. Nuk ka rëndësi sa janë,  më shumë fletët e votimit në kuti, sesa numri i votuesve.

Së dyti, edhe pse është përdorur aparatura e identifikimit të ID-së të votuesve, në KAS dëshmohet që në të gjitha qarqet, për të cilat janë shqyrtuar ankimimet, ka votues që kanë votuar më shumë sesa një herë, madje edhe shenja e gishtit të një votuesi, del se ka votuar më shumë sesa një herë. Që më thjesht, do të thotë, që as aparatura e identifikimit elektronik nuk mundi të pengojë manipulimin e rezultatit zgjedhor. Votuesit e regjistruar në votime nuk kanë qenë fare në Qendrat e Votimit, mirëpo, meqë patronazhistët e ‘Rilindjes’, kanë të gjitha të dhënat e Kartës së Identitetit të tyre, siç u dëshmua publikisht, atëherë komisionerë kanë votuar në emër të tyre.

Së treti, përdorimi i kamerave në Qendrat e Votimit, deri tani kanë dëshmuar në KAS, se numërues dhe komisionerë në Qendrat e Numërimit në KZAZ, kanë përdorur lapsa dhe kanë vënë shenja mbi fletë votimi, prandaj shpjegohet që në bazë të të dhënave zyrtare të KQZ-së janë mbi 83 mijë fletë votimi, që janë nxjerrë të pavlefshme, e barabartë me mbi 5.3%  të numrit të votuesve. Mjafton vetëm një provë e dëshmuar në KAS, në bazë të kamerave në KZAZ, kur komisionerë përdorin lapsa që të bëjnë fletët e votimit të pavleshme, që të merret vendim për anullimin e të gjithë procesit të votimit në atë KZAZ, sepse, në të kundërt, rezultati zgjedhor është i manipuluar nga vetë komisionerët e KZAZ-së.

Zbardhen të dhënat edhe për Tiranën, 51 persona votuan 123 herë

Pas Qarkut të Shkodrës, ku nga të dhënat dyshohet se 13 qytetarë kanë votuar 34 herë në Qendra të ndryshme Votimi, parregullsi janë zbuluar edhe në Qarkun e Tiranës. Pas kërkesës së KAS, administrata e KQZ ka zbardhur përmes kryqëzimit të të dhënave nga pajisja e identifikimit elektronik (PEI) se në zgjedhjet e 25 Prillit, në Qarkun Tiranë, 51 qytetarë dyshohet se kanë votuar 123 herë në Qendra te ndryshme Votimi. Me shenjën e gishtit, 48 persona kanë votuar plot 117 herë.

KAS “lavatriçe” e krimit zgjedhor

Dje në KAS u dëshmua se administrata e KQZ-së ka zbardhur përmes kryqëzimit të të dhënave nga pajisja e identifikimit elektronik (PEI) se në zgjedhjet e 25 Prillit, në Qarkun Tiranë, 51 qytetarë  dyshohet se kanë votuar 123 herë në Qendra te ndryshme Votimi. Me shenjën e gishtit, 48 persona kanë votuar plot 117 herë.

Atëhere pyesim:

-Sa ndihmoi identifikimi elektronik në zgjedhjet e 25 prillit?

Nëse një person voton shumë herë, qoftë edhe një rast i vetëm, ka dështuar gjithë sistemi elektronik në votime. Ndërkohë, që në KAS dëshmohen dhjetëra raste në shumë qarqe, që dhjetëra persona në shumë Qendra Votimi kanë votuar me dhjetëra here, votues që nuk kanë qenë fare në votime. Që do të thotë, nuk mund të jetë i ligjshëm i gjithë procesi i votimit në zgjedhjet e 25 prillit. Madje, sipas provave që kanë sjellë në KAS, PD dhe LSI dhe tashmë edhe KAS i ka marrë këto prova të mirëqena, në të gjitha qarqet, disa persona kanë votuar më shumë sesa 1 herë, ndërkohë, që edhe shenja e gishtit nuk ka mundur të pengojë persona që të votojnë më shumë se 1 herë. KQZ nuk bën publike listën e votuesve, që të ballafaqohen ata votues që janë regjistruar se kanë votuar. Shumë shqiptarë, që ndoshta kanë qenë në emigrim, mbase do gjejnë emrat e tyre, se “kanë votuar”…

Përballë provave dhe fakteve të manipulimit të rezultatit zgjedhor të dëshmuara në KAS, ku të njëjtë persona kanë votuar me dhjetra herë, ku komisionerë të KZAZ-ve nxjerrin të pavlefshme fletët e votimit, KAS nuk zbaton Kodin Zgjedhor, as për të dënuar personat që kryen krimin zgjedhor, dhe as për përsëritjen e procesit të votimit, pasi rezultati zgjedhor është i manipuluar, do të thotë, se vendimmarrja e KAS me shumicë votash, për të heshtur ndaj provave dhe fakteve të krimit zgjedhor, e bën KAS dhe KQZ-në  “lavatriçe” të krimit zgjedhor, për të certifikuar një rezultat zgjedhor tërësisht të manipuluar, të vjedhur, që ka tjetërsuar vullnetin e votuesve.