Reforma Zgjedhore, Zguri: Momenti i duhur për të diskutuar hapat konkretë

425
Praktika ka treguar se ndikimi i partive tek komisionerët ka shkaktuar probleme në çdo proces zgjedhor gjatë ditës së votimit dhe numërimit 
Reforma Zgjedhore ishte në fokus të tryezës së organizuar ditën e djeshme nga prezenca e OSBE/ODIHR në vendin tonë. Në këtë tryeze i pranishëm ishin edhe Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri. Në fjalën e tij, ndërsa falënderoi ndërkombëtarët për punën e bërë, ai tha se proceset zgjedhore në vendin tonë janë përmirësuar, kanë arritur standarde evropiane dhe janë një gur themeli për demokracinë në vend. Po kështu shtoi se pavarësisht kësaj që është arritur deri tani ka ende shumë punë për të bërë, nga të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, madje edhe vetë zgjedhësit. “Është momenti i duhur për të diskutuar mbi hapat konkretë që duhen bërë për të përmirësuar dhe gjetur zgjidhje problematikave të hasura në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, pasi jemi në prag të reformës zgjedhore dhe kemi kënaqësinë që sot të pranishëm në këtë tryezë janë edhe bashkëkryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Kjo prezencë më nxit të theksoj se reforma e ardhshme zgjedhore nuk mund të jetë vetëm një hap para drejt një standardi më të mirë. Reforma e ardhshme zgjedhore përbën një kusht, një mundësi e një detyrim për zhvillime cilësore, përbën premisën e të gjitha objektivave madhore që Shqipëria ka përpara. Prandaj kjo reformë duhet të bëhet “nëna” e të gjitha reformave, duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse, duhet të jetë transparente, e vendosur, e sigurt dhe altruiste. Kjo reformë nuk pranon tolerime, nuk duron më dështime. Sot është koha që lidershipi politik të tregojë vullnet dhe vendosmëri, është koha të ngjallë besim, të krijojë siguri e të japë garanci. Duhet të korrigjojmë veprimet dhe të ndryshojmë/plotësojmë legjislacionin duke mësuar nga gabimet e bëra në historinë e zgjedhjeve në vendin tonë. Pavarësisht arritjeve që u shënuan në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Raporti i OSBE/ODIHR-it flet për qarkullim të parave të dyshimta në fushatën zgjedhore, flet për intimidimin e zgjedhësve dhe shit-blerje të votës, për përdorim të burimeve të administratës publike dhe politizimin e administratës zgjedhore. Të gjitha këto nuk duhet të pranohen më as si thashetheme, jo më si ngjarje, si fakte apo si shqetësime. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve harmonizimi i legjislacionit, transparenca e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe garantimi i pavarësisë, paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore, kërkojnë ndërhyrje imediate. Rekomandimet e OSBE-ODIHR, por dhe administrimi i procesit zgjedhor nga KQZ, nxjerrin në pah domosdoshmërinë e rishikimit të legjislacionit që rregullon organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor. Praktika ka treguar se ndikimi i partive politike tek komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta ka shkaktuar probleme në çdo proces zgjedhor gjatë ditës së votimit dhe numërimit të votave. Propozimi i komisionerëve nga ana e partive politike në kapërcim të afateve ligjore, ka sjellë trajnim jo të duhur dhe në disa raste mungesë trajnimi për ta. Ndërrimi i tyre vetëm disa orë para fillimit të procesit të votimit, apo procesit të numërimit ka bërë që komisionerët e trajnuar të zëvëndësoheshin me komisionerë të pa trajnuar. Kjo ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në administrimin e procesit. Kufizimi i të drejtës për zëvendësimeve në çdo kohë të administratës zgjedhore vetëm për çështje të përligjura, do të konsolidonte një administratë profesionale në kryerjen e detyrave zgjedhore. Në fakt kujdesi për një administratë të re zgjedhore duhet të kapë dimensione të reja. Ne mbase nuk e kemi mundësinë të ngremë një administratë zgjedhore PROFESIONISTE, por askush nuk duhet të na pengojë që të ngremë një administratë zgjedhore PROFESIONALE. Koha nuk pranon më nga administrata zgjedhore militantizmin vulgar, nuk lejon më diletantizmin infantil, nuk duron më injorancën dhe papërgjegjshmërinë korruptive.”, tha Zguri në fjalën e tij.
Sigal