Kanadaja hap dyert për 310 mijë emigrantë

    517
    Kanadaja hap dyert, 310 mijë emigrantë për vitin 2018
    Arrin në nivele rekord plani për të pranuar rezidentë të përhershëm për të mbështetur sipërmarrjen dhe nevojat e tregut të punës
    Qeveria kanadeze ka miratuar kuotat e emigrantëve që do të pranojë në vendin e saj për vitet e ardhshëm. Ministri për Imigracionin, Refugjatët dhe Shtetësinë, Ahmed Hussen, bëri të ditur se plani për nivelin shumëvjeçar të imigracionit do të arrijë në shifrat më të larta historike. Për këtë arsye, sipas ministrit, do të bëhet një rritje graduale e numrit të rezidentëve të përhershëm, të cilët do të pranohen çdo vit në Kanada. Kjo rritje do të fillojë nga viti 2018, kur qeveria kanadeze do të pranojë 310 mijë rezidentë të përhershëm, ndërsa në vitin 2019 të huajt që do të jetojnë e punojnë në Kanada do të jenë 330 mijë. Rritja do të vazhdojë edhe në vitin 2020, kur numri i rezidentëve të përhershëm do të shkojë në 340 mijë. Sipas ministrit kanadez, plani arrin në nivelet më ambicioze të imigracionit në vitet e fundit. Ky numër, i rritur gradualisht, pritet të arrijë në 1 % të popullsisë në vitin 2020. Sipas njoftimit zyrtar, plani shumëvjeçar i imigracionit do të mbështesë sipërmarrjen kanadeze dhe nevojat e tregut të punës. Gjithashtu, shtimi i numrit të të huajve, të cilët do të punojnë e jetojnë në Kanada, parashikohet të nxisë rritjen ekonomike përballë uljes së shtimit të forcës së punës dhe plakjes së popullsisë. Me një rritje prej rreth 60 % gjatë periudhës 3-vjeçare, në kategorinë ekonomike, ky plan do të ndihmojë për shpërndarjen e të mirave të imigrimit në të gjithë Kanadanë, duke iu përgjigjur kërkesave unanime nga provincat dhe territoret e ndryshme gjatë verës së shkuar. Në njoftimin zyrtar thuhet se rritja e nivelit të imigrantëve do të krijojë hapësirën e nevojshme për të pakësuar ngecjen dhe rënien e kohës së procedimit për familjet, duke mbështetur bashkëshortët, fëmijët, prindërit dhe gjyshërit. “Plani për nivelin shumëvjeçar të imigracionit përmbush plotësisht angazhimin tonë për t’u ofruar atyre mbrojtjen që ju nevojitet”, thuhet në deklaratë.
    Sistemi i menaxhimit të imigracionit në Kanada është unik në botë. Ai u kushton shumë vëmendje, duke u dhënë asistencë, të sapombërriturve për ta përballuar mirë periudhën tranzitore të emigrimit, të mësojnë anglisht ose frëngjisht, të gjejnë një punësim të përshtatshëm dhe të stabilizohen në komunitetet e tyre. “Garantimi që emigrantët e rinj të jenë të integruar dhe të kontribuojnë në ekonominë e komunitetet tona është prioriteti ynë”, thuhet në njoftimin e qeverisë kanadeze. Aty nënvizohet se kjo rritje historike menaxhohet nëpërmjet një rritje graduale gjatë tre viteve të ardhshëm. Kjo do të mundësojë përshtatjen dhe integrimin e të ardhurve, duke krijuar edhe mundësinë për qeverinë kanadeze të garantojë cilësinë e këtij program. 
    Prej marrjes së detyrës, ministri Hussen ka udhëtuar në mbarë vendin për të mbledhur vlerësimet e shumë aktorëve të shoqërisë kanadeze, duke përfshirë sipërmarrje, provinca, familje dhe zyra avokatie. “Të gjithë ata kanë dërguar një mesazh se rritja e imigracionit është një nevojë për rritjen ekonomike, mbështetjen e komuniteteve dhe ruajtjen e kompetivitetit global të Kanadasë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
    Ndryshimi mes programit amerikan e kanadez
    Çdo vit dhjetëra mijëra shqiptarë aplikojnë për të përfituar nga Lotaria e Vizave të Emigrimit. Në rast të përzgjedhjes në Lotarinë e Vizave, aplikantët fitues pajisen me “Kartën e Gjelbërt” (Green Card), duke ju krijuar mundësinë e punësimit dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Në këtë program përzgjedhja e fituesve është tërësisht rastësore, ndërsa paketa e re, në rast se do të miratohet, do të vendosë një selektim në bazë të aftësive. Një program i ngjashëm zbatohet nga Kanadaja për të marrë çdo vit mijëra emigrantë. Në këtë përzgjedhje, përparësi marrin profesione dhe mosha të caktuara.
    Profesionet dhe sistemi i pikëve
    Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësoni formularët e duhur, në bazë të interesit. Nëse jeni një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk keni një ofertë pune, atëherë duhet të pajiseni me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin në të cilin ju dëshironi të punoni. Ekziston një listë prej 520 lloje punësh. Profesionet më të kërkuara janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikologë, asistentë socialë, elektricistë, hidraulikë dhe ndërtues. Pasi të keni identifikuar profesionin, do t’i nënshtroheni një testimi, ku duhet të grumbulloni të paktën 67 pikë ndaj 100 pikëve të mundshme.
    Shteti kanadez për të vlerësuar emigrantët e mundshëm përdor sistemin e vlerësimit me pikë. Duke u bazuar në pikët që do të mblidhen, aplikantët krijojnë një ide, se sa të favorizuar janë për të fituar një vizë punësimi në Kanada. Faktorët kryesorë për vlerësimin me sistemin e pikëve janë: mosha, niveli i arsimit, vlerësimi për edukimin e nevojshëm për profesionin (ETF), profesioni që do të ushtroni në Kanada, përvoja e punës, aftësitë në gjuhën angleze dhe frënge, faktori demografik (i përcaktuar 8 pikë), aftësia për t’u përshtatur a integruar në Kanada si dhe të afërmit që jetojnë atje. 
    • Sa i përket moshës, personat nga 21 deri 44 vjeç, marrin pikët maksimale, 10 pikë. 
    • Për sa i përket arsimimit, komisioni i vlerësimit jep18 pikë për ata që kanë diplomë Master apo Doktoraturë, 15 pikë personat që kanë diplomë Bachelor, 13 pikë për ata që kanë mbaruar të paktën një vit universitet dhe 10 pikë për ata që kanë mbaruar vetëm gjimnazin apo shkollën e mesme profesionale. 
    • Më të favorizuarit, sipas këtij drejtimi janë grupi i parë dhe i dytë i aplikantëve. 
    Për vlerësimin e arsimimit të kërkuar për profesionin (ETF), përcaktimi i pikëve bëhet në bazë të profesionit dhe ky vlerësim bëhet nga një komision i quajtur “Human Resources Canada Center”. Sipas profesionit, që individët fitues do të ushtrojnë në shtetin e Amerikës Veriore, vlerësimi me pikë për profesionin është i përcaktuar në një listë të përcaktuar që quhet: “General Ocupation List”. Lidhur me përvojën e punës, vlerësimi në pikë bëhet në varësi të pikëve që merr profesioni në listën e përcaktuar të ETF­së. Për shembull nëse profesioni ‘arkitekt’ merr 15 pikë në ETF, për një vit pune jepen 2 pikë, për 2 vite­ 4 pikë e kështu me radhë. Aftësia për t’u përshtatur është një faktor që përcaktohet nga oficeri i imigracioni, i cili i merr aplikantët në intervistë.
    Sigal