Që është një situatë e pazakontë dhe kërkon zbatim strikt të rregullave nga të gjithë qytetarët për të shmangur infektimin nga koronavirusi, kjo nuk ka asnjë dyshim. Por është absurde sjellja e kryeministrit Edi Rama. Së fundi ka ‘hyrë’ edhe në telefonat privat të njerëzve. Nëse keni tentuar së fundi të merrni dikë në celular, dilte kryeministri dhe jo personi të cilin kërkoni.
“Edi jam! Të lutem laj duart shpesh. Mos lëviz nga shtëpia për qejf. Hap dritaret sa te mundesh. Ruaju nga informacioni i rreme. Mos ki frikë, po bëj shumë kujdes. Për çdo shenjë merr 127. Të përqafoj nga larg!,“-shprehet kryeministri. Më pas telefonata ndërpritet. Pra, Rama është duke përdorur cdo mënyrë që t’u imponohet qytetarëve të mos dalin nga shtëpia dhe të lajnë duart.
Kompanitë celulare në vend janë ‘dorëzuar’ përballë tij duke mos u mjaftuar vetëm me një mesazh të shkruar që ka mbërritur tek qytetarët, por duke i dhënë akses Kryeministrit për të depërtuar mesazhin e tij audio në thirrjet private të shqiptarëve. Pra, nëse telefonon mamin, babin apo dikë tjetër, në celular të shfaqet Edi Rama.
Më herët gjatë ditës Rama bëri publike masa të tjera shtrënguese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Duke nisur nga nesër ndalohet lëvizja me makina private, urbane dhe autobusa në 8 qytete të Shqipërisë. Praktikisht Shqipëria po futet e gjitha në karantinë. Askush nuk parashikon dot se sa do të zgjasë kjo situatë. Deri më tani janë konfirmuar 23 të prekur me koronavirus.