Rama në Korçë: Vota në 21 qershor për bashkitë, Bashkia fillon tek rruga para shtëpisë

319
Kryeminsitri Edi Rama dha mbështetjen për kandidatin Sotiraq Filo në Korçë, duke thënë se qyteti juglindor është bërë qyteti kampion i rilindjes urbane. Në një aktivitet elektoral mbrëmjen e djeshme Rama tha se në 18 muaj të parë qeverisës, nuk është arritur që të ndizet drita në fund të tunelit për shumë familje, por se gjatë kësaj kohe është treguar kthesa në drejtimin e duhur. “Unë dua po ashtu t’ju them se as unë dhe as Ilir Meta, nuk kemi dalë në këtë fushatë për të bërë bilancin e qeverisjes sonë, sepse këtë do ta bëjmë kur të vijë dita për të bërë bilancin e 4 viteve. Kemi dalë për të shpjeguar se për çfarë do të votojmë në 21 qershor. Kemi dalë për të shpjeguar se në 21 qershor nuk maten forcat mes partive në Tiranë. Nuk maten forcat mbi bazën e nevojave që Tirana duhet të përmbushë për njerëzit kudo që janë, por investohet besimi i çdo familjeje për komunitetin dhe për shtëpinë e përbashkët të komunitetit që është këtu, bashkia e re e Korçës”, u shpreh Rama. 
Ai tha se në 21 qershor votohet për pushtetin lokal, ndaj shtoi se Bashkia fillon tek rruga përpara shtëpisë, vazhdon tek plehrat në fund të rrugës, nëse janë pastruar, apo janë ende aty, tek uji që duhet të vijë në shtëpi, apo që duhet të shkojë në çdo parcelë për të ujitur tokën, tek çerdhja, kopshti e shkolla ku duhen çuar fëmijët që në mëngjes, etj., duke deklaruar se kjo është fushata e të majtëve, për atë çfarë votohet në 21 qershor. 
Kryeministri tha para korçarëve se është edhe një fushatë tjetër që duket sikur zhvillohet në një botë tjetër. Ai e cilësoi si një fushatë që ngjan si një film i përsëritur i një përralle nga e kaluara, që Shqipëria e refuzoi me përçmim në 23 qershor të 2013-ës. Rama e tha se “trupa e cirkut” të fushatës tjetër shfaqet shesh më shesh, mbledh disa kureshtarë apo edhe mbështetës të trullosur dhe u flet për çudirat që do të ndodhin në 22 qershor, nëse në 21 qershor do të votohet Partia Demokratike. “Ju thotë se po të votoni PD-në në 21 qershor, në 22 qershor pensionet do të ngrihen dhe do të bëhen të larta si në Europë; po të votoni PD-në në 21 qershor, në 22 qershor do të keni taksat më të ulëta në botë; po të votoni PD-në në 21 qershor, në 22 qershor do të keni dritat pothuajse qyl dhe naftën do ta paguani më pak se lëngun e portokallit. Kjo është sot, fatkeqësisht, Partia Demokratike që, edhe ikur Sudja të ishte në drejtim, do të kishte pasur më shumë dinjitet dhe më shumë lidhje me realitetin, sepse do të thoshte më jepni 1 t’ju jap dy, ndërsa këta thonë më jepni 1 t’ju japim 22”, deklaroi Rama. 
Ai tha se i vjen për të qarë për Partinë Demokratike, sepse sipas tij PD-ja është një pasuri kombëtare, është një forcë që lindi si fuqia e madhe e shpresës dhe që po shpërbëhet në sytë e publikut si të ishte një trupë cirku që ka mbetur rrugëve dhe ka humbur edhe çadrën. Kryesocialisti deklaroi se fushata e të djathtëve me premtimet që bën ka vetëm një synim, të budallalleps kë të mundet dhe të mbledhë aq budallenj sa të mundet. Ai u zotua se sa më shumë korçarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë të votojnë për kandidatët e majtë, aq më e madhe do të jetë përgjegjësia dhe aq më e fortë shtysa për të qenë pranë qytetarëve dhe për të punuar sëbashku, që Korça dhe gjithë qytetet e tjera të bëhen ashtu siç ëndërrohen. 
Sigal