Rama e ndan Shqipërinë në 4 vilajete/ Qeveria përgatit projektligj, që të rrëmbejë kompetencat pushtetit vendor dhe të krijojë Komitet Kombëtar të drejtuar nga zvkryeministri.Pas reagimit të opozitarve Vasili dhe Boçi reagon Prof. Dr. Kristaq Kume: Do jetë lajthitje e madhe

346
Sigal

Qeveria përgatit projektligj që të rrëmbejë kompetencat e pushtetit vendor 

Opozita: Kryeministri Rama e ndan Shqipërinë në 4 vilajete

Qeveria, pasi ndryshoi Kushtetutën, po përgatit një tjetër ligj, që do rrëzojë një pjesë të rëndësishme të Kushtetutës, që ka të bëjë me  pushtetin vendor. Në P/ligjin “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”, qeveria kërkon ta ndajë Shqipërinë në 4 rajone, por do të krijohet Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin, i cili do të drejtohet nga zv.kryeministri dhe do të ketë të gjitha kompetencat e kushtetuese deritanishme të bashkive, të cilat përmbahen në ligjin organik “Për Qeverisjen Vendore”

Reagimi i opozitës/ Qeveria centralizon pushtetin e vet, në dëm të qytetarëve

Edhe pse në ligj, theksi vendoset tek zhvillimi ekonomik i rajoneve, opozita e bashkuar pretendon se e gjitha është një kamuflim, pasi e vërteta është krejt ndryshe. Sipas tyre, ndryshimet do të dobësojnë fuqinë e pushtetit lokal dhe do të rrisin fuqinë e qeverisë qendrore dhe kontrollin e të gjitha fondeve të huaja dhe të Bashkimit Europian në “duart” e kreut të qeverisë. Opozita shkon edhe më tej me pretendimin se nga ligji do të ketë edhe përfitime elektorale, kjo duke marrë parasysh që PS-ja drejton 60 bashki të vendit, që prej zgjedhjeve të 30 qershorit. “Qytetarët e 57 bashkive të vendit duhet të shkojnë deri në 1 nga 4 bashkitë qendër rajoni, për të marrë një shërbim të caktuar. Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë sesa tani komunikimin mes pushtetit lokal dhe qytetarëve. Në këtë mënyrë, qeveria centralizon pushtetin me të emëruarit e saj, duke dëmtuar rëndë interesin publik. Heqja e shërbimeve ndaj qytetarëve në vendin ku ata banojnë, nuk i intereson Edi Ramës. Interesi i tij për miratimin e ligjit absurd që ndan Shqipërinë në 4 rajone është vetëm politik, elektoral dhe financiar,” -thuhet në deklaratën e opozitës. Por cili është qëllimi i vërtetë i ligjit? A është pjesë e planit të mazhorancës për projektin “Shqipëria 2030”, apo pretendimet e opozitës qëndrojnë? Përse ka nevojë për një ndarje të re, vetëm kur pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet? Deri më tani, edhe pse opozita e bashkuar ka dalë dy herë në konferencë për shtyp duke denoncuar ligjin, ende nuk ka ardhur asnjë shpjegim nga ana e qeverisë…

Neni 4: 1. Territori i Republikës së Shqipërisë ndahet në katër rajone zhvillimi.

Neni 11   1. Plani Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin është dokumenti kombëtar që orienton zbatimin e politikës për zhvillimin rajonal dhe investimet përkatëse, nëpërmjet vendosjes së objektivave dhe parimeve të përbashkëta në nivel kombëtar. 7. Plani Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin hartohet pёr njё periudhё zbatimi 7-vjeҫare nga Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të zëvendëskryeministrit. 8. Procedurat për hartimin e Planit Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 17-  Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin

  1. Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin, krijohet nga Këshilli i Ministrave dhe është organi përgjegjës për zhvillimin, hartimin dhe zbatimin e politikës së zhvillimit rajonal, si dhe për koordinimin e zbatimit të masave për zhvillimin rajonal.
  2. Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal është autoriteti programues dhe monitorues, përgjegjës për miratimin, monitorimin dhe vlerësimin e programit operacional, siç përcaktohet në nenin 23 të këtij ligji. 

    Prof. Dr. Kristaq Kume: Lajthitje e madhe e qeverisë

    Prof. Dr. Kristaq Kume,  eksperti për çështjet zgjedhore, ish kryetar i KQZ-së dhe specialist edhe në reformën e re zgjedhore pranë Këshillit Politik,  në një prononcim për gazetën “Telegraf”, i pyetur për projektligjin e qeverisë, për të ndarë Shqipërinë në 4 rajone, u shpreh, se nuk e beson se qeveria mund  të lajthisë kaq shumë, sa të ndajë me ligj Shqipërinë  në 4 rajone territoriale, kur Kushtetuta e ka përcaktuar  qartë se Shqipëria ndahet në 12 qarqe dhe kjo është e zbardhur edhe në ligjin organik  “Për qeverisjen e pushtetit vendor”. Nuk mundet që asnjë ligj tjetër, i miratuar nga parlamenti, të rrëzojë Kushtetutën. Por, nëse qeveria, kërkon që të ndajë Shqipërinë në 4 njësi territoriale, njësi elektorale, atë që Prof. Kume e ka mbështetur, madje, shton se opozita mund të dalë më e fituar, pohon se kjo ndarje territoriale elektorale, duhet të pasqyrohet  në Kodin Zgjedhor.

PETRIT VASILI:  Kryeministri Rama me të tijtë vendos që të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete, apo 4 çifligje

Qeverisja e “Rilindjes” po vazhdon në mënyrë të dëshpëruar të shtrembërojë ligjet në fuqi e Kushtetutën. Së fundmi në mënyrë fantomatike, në të njëjtën ditë kur ndryshoi Kushtetuta, përsa u takon çështjeve që kishin të bënin me zgjedhjet, është miratuar dhe ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezionin. Ky ligj sipas të cilit ndërtohen 4 rajone të reja apo 4 rajone në të cilat ndahet e gjithë Shqipëria, është një vendim vetëm i qeverisë shqiptare. Edi Rama me të tijtë vendos që të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete, apo 4 çifligje, të cilat qeverisen nga një dorë vetëm nga qeveria. Pra ndan Shqipërinë në 4 vilajete apo 4 çifligje. Çfarë do të thotë me fjalë të thjeshta? Do të thotë pushtim nga qeveria i pushtetit lokal. Sepse këto rajone i mbivendosen dhe i rrëmbejnë kompetencat qarqeve të cilët janë të përcaktuar qartësisht në Kushtetutën e Shqipërisë e ku ndodhen atje edhe sot e kësaj dite. Pasi flitet shumë qartë që njësitë e qeverisjes vendore, në nenin 108 të Kushtetutës, janë komunat ose bashkitë dhe qarqet. Kufijtë e tyre thotë neni 108 pika 2, nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Nenet në të cilat bazohen këta, praktikisht janë nenet 78 dhe 83. Qytetarët duan të dinë, çfarë thonë këto nene ku janë bazuar këta. Neni 78 thotë: “Kuvendi me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve, vendos, përveç rasteve ku parashikon Kushtetuta ndryshe. Kjo tregon mënyrën sesi votohet një ligj. Nuk ka lidhje fare me përmbajtjen. Po neni 83 çfarë thotë? Meqë këta kanë cituar nenin 83 pika 1. “Projektligji votohet 3 herë, në parim, nen për nen dhe në tërësi”. Ka ndonjë shqiptar që nuk e di që çdo ligj votohet në parim, nen për nen, dhe në tërësi? Kjo është baza ligjore e këtij ligji që krijon 4 pashallëqe, vilajete, çifligje, quajeni si të doni, po të një sulltanati qesharak siç është “Rilindja”. Ne kemi qarqet në Kushtetutë, kemi 12 të tilla, të cilat zgjidhen në bazë të një pushteti lokal i cili u reformua sipas socialistëve të cilët kanë duartrokitur e bërtitur shumë në 2015, e ku nga 384 njësi vendore u ndërtuan 61 vetëm bashki, e mbi bazë të këtyre ndërtohen qarqet, pra me votim. Këto institucione të zgjedhura, të ndërtuara në bazë të një reforme që vetë socialistët, “rilindësit” e promovojnë e bërtasin fort, sot zhbëhen dhe këto kompetenca i rrëmbekan këto agjenci, sipas të cilave ngrihet një agjenci e madhe kombëtare, e cila drejtohet nga një komitet kombëtar i zhvillimit. Ky komiteti kombëtar i zhvillimit rajonal i cili do u drejtuaka nga zv.Kryeministri. Pra pashallëqeve u është vënë dhe bedeli që do ti drejtojë dhe të gjitha këto janë të tëra në varësi të qeverisë. Edhe disa institucione të tjera që duan të ndërtojnë, disa të ashtuquajtura borde, kanë funksione monitorimi. Shqiptarët duan të dinë, çfarë thotë Kushtetuta për qarqet aktualisht dhe që është në fuqi neni 110 pika 2. “Qarku është njësia ku ndërtohen e zbatohen, politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikat shtetërore”. Më qartë dhe në mënyrë më të kristaltë se kaq, Kushtetuta nuk mund të shprehet. Por pushtuesit e pushtetit lokal, kanë shkelur mbi Kushtetutë e ligj duke qenë një ushtri në shpartallim e në ikje, mendojnë që të rrëmbejmë në këtë mënyrë e të marrim, ç’të marrim. Zv.Kryeministri është një çiraku i tij, kështu që në duart e kryeministrit mbetet. Meqë fondi shqiptar i zhvillimit që është një instrument i tij, që punon e prokuron e bën gjithçka që i urdhëron qeveria, dhe praktikisht kemi vetëm disa përfaqësues kukulla të pushtetit lokal, të cilët janë atje vetëm për t’u shpërndarë në ditët e zgjedhjeve për të bërë ca vota dhe kompetencat e tyre janë zero. E gjithë politika, për të rindarë pushtetin lokal në 61 njësi, për të krijuar qarqe më të fuqishme, për të krijuar mundësi të tjera komunikimi rajonale të tjera që ishin qëllimet e reformës në 2015, bëhen zero, sepse babëzia për ta rrëmbyer gjithçka në një dorë, siç e dini nga pushteti lokal, deri te emërimi i një infermieri në fshat, deri të prokurimi i ca lekurinave, ku çdo gjë e merr qeveria, është vetëm për një arsye. Për të përvetësuar, për të grumbulluar miliona në duart e tyre, duke menduar që asnjëherë, as nuk do të kontrollohen, as nuk do të përgjigjen. Sigurisht asnjë nga ne nuk do bëjë asnjë hap pas për ta kërkuar çuarjen e përgjegjësisë deri në fund. Megjithatë një gjë mbetet e palëkundur, këta njerëz, kanë pushtuar pushtetin lokal, nuk e kanë pyetur në asnjë rast popullin, ka vepruar kundër interesave të këtij populli dhe sigurisht do t’i përgjigjen atij populli, i cili e gjykon vetë si ua kërkon hesapin, në ç’ mënyrë dhe sesa fort ua kërkon këtë llogari.

Luçiano Boçi: Katër “territore”, për t’i vjelur me katër banda dhe një tutor

Me një ligj antikushtetues të miratuar hajnisht, (Ligji 102/2020 Mbi zhvillimin rajonal dhe kohezionin), kryeministri Rama kërkon të formojë katër Rajone me mbikëqyrje qendrore. Thënë në gjuhën e mafias, katër “territore”, për t’i vjelur me katër banda dhe një tutor. Tani për tani tutori është Braçja, e pronari i vetëshpallur, ai dora vetë. Koncepti Rajon bie ndesh me Qarkun dhe e eleminon atë. Ndërkohë që Kushtetuta ka sanksionuar qartazi në nenet e saj,  se njësitë e qeverisjes vendore janë Komunat ose Bashkitë dhe Qarqet (12 gjithësej).  Pra aspak Rajonet. Me anë të këtij copëtimi të kontrolluar, Rama i rrëmben kompetenca pushtetit lokal dhe mbjell drejtori qendrore superpotente që administrojnë pasuri, interesa, vendime e gjithfarë. Njëkohësisht rraskapit me kilometra rrugë e shkresash qytetarin e thjeshtë, që dhe sot me organizimin e ri administrativ, vuan kalvarin e firmosjes së një “dy gisht letre” që i siguron bukën. Po kjo nuk është rrufe në qiell të pastër.  Rama ka kohë që po punon për këtë copëtim kontrollues. Disa drejtori të rëndësishme, si p.sh ato arsimore, kanë kohë që janë zhvendosur në formate rajonesh. Dhe duket që ky copëtim nuk synon vetëm grabitje të pasurive. Ai fsheh dhe një “hile” tjetër. Atë të ndryshimit të përfaqësimit politik në Kodin Zgjedhor. Nga përfaqësim në rang qarku ta kalojë në përfaqësim rajonal, duke larguar akoma më shumë përfaqësuesin e parlamentit nga votuesi e qytetari. E gjitha kjo bëhet nga ai për interesat imediate të grabitjes së votës. Kështu i dalin llogaritë. Në ëndrra gjithmonë. Idem si me ndryshimet kushtetuese për koalicionet. Nuk është aspak fare çudi që ai ta bëjë këtë kërkesë me Damianin e Dibrës në Këshillin politik, në bashkëpunim me të famshmen “opozitë të re”. Rama nuk po le gur pa lëvizur, për të shembur dhe ata pak gurë që i mbetën konsesusit politik të para do kohësh. Tmerri që e ka kapluar për humbjen që e pret, i ka hequr dhe atë fije arsye që i kishte mbetur që nga fëmijëria. Coftina që copëton, sado të coptojë në fund do dalë nga kjo “lojë”… si coftinë!