Rama: Do të thellojmë bashkëpunimin me sipërmarrjen, pasi rrit punësimin!

429
Sigal

Kryeministri Edi Rama shprehu dje angazhimin e qeverisë për të thelluar bashkëpunimin me sipërmarrjen, e cila rrit mundësitë për punësim. Në ditën e 1 Majit, festës Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryeministri ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes së fondit prej 2.7 milionë dollarësh akorduar kompanive që punësojnë të rinj. Kjo ceremoni u zhvillua në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ku nga dita e djeshme është hapur dhe Panari i Punësimit. Duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me sipërmarrjen, Kryeministri tha se, është pikërisht sektori privat ai që rrit mundësitë për punësim dhe krijon vende të reja pune. Prandaj, tha ai, fondi i nxitjes së punësimit do të orientohet tërësisht në bashkëpunimin me sipërmarrjen. Kryeministri tha se, ndryshimi radikal i drejtimit të qeverisjes dhe orientimi drejt sfidës së luftës me papunësisë, po i jep mundësinë gjithë shqiptarëve që dëshirojnë të punojnë që të trokasin dhe të tentojnë shansin e tyre, jo vetëm në zyrat e punës, të hapura së fundi, por dhe në hapësira të tjera, si Panairi i Punës. Duke iu referuar fakteve për uljen e shifrave të papunësisë Rama tha se, qeveria e re e ka trefishuar fondin e nxitjes së punësimit dhe që në vitin e parë është e gatshme të krijojë kushte për mbi 3700 vende pune, vetëm me këtë fond.

“Qeveria ka ndërtuar mekanizma për ta vënë në lëvizje këtë fond, në mënyrë që të mos mbetemi tek fasha e parë e vendeve të punës që krijojmë përmes tij, por të hapim dhe shtigje të reja që të shumëfishojmë mundësitë për punësim”, theksoi kryeministri. Në këtë kuadër tha ai, janë 6 programe, nxitja e punësimit përmes formimit në punë, nxitja e punësimit për gratë; për të rinjtë; për punëkërkuesit në vështirësi ekonomike; për personat me aftësi të kufizuar si dhe programi i posaçëm praktika profesionale për të rinjtë e sapodiplomuar.