Zef Preçi:Albtelekom zhvat qytetarët, në qershor rritet tarifa fikse

704
Sigal

Kush e mbron konsumatorin? Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi: Ja sesi rritja e taksave mbi fitimin me “bekimin” e enteve shtetërore bie mbi qytetarët

 Dy mesazhe të dërguara nga kompania Albtelekom në dy kohë të ndryshme në lidhje me shërbimet që ajo u ofron abonentëve të vet ka sjellë reagimin në rrjetet sociale të ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi. Ai ka sjellë pikërisht shembullin e vet për të treguar se ashtu si bankat, edhe utilitete të tjera ( në rastin konkret Albtelekom) po shtojnë fitimet abuzive në dëm të konsumatorit. Ky është një problem me një interes të gjerë publik të cilën e ka paraqitur herë pas here edhe gazeta “Telegraf”.

Mesazhet

Mesazhet i përkasin njëra nëntorit të 2013-s dhe tjetra ditës së djeshme. Z. Preçit sqaron se këto mesazhe e tregojnë qartë se “kjo është rritja e dytë e tarifës fikse (nuk di për masën e rritjes së tarifës për minutë, sepse nuk kam se ku ta verifikoj sa ka qene kjo tarifë në periudhat e mëparshme)”. Ai pyet entin përkatës rregullator, agjencitë rregullatore të konkurrencës në treg dhe Kuvendin e Shqipërisë, ku këto agjenci raportojnë periodikisht se ku mbështetet rritja e tarifës fikse dhe asaj për njësi, dmth rritja e çmimit të shërbimit të telefonisë fikse?

 Abuzimi

“Mendja ta do që duhet të ketë shërbime/produkte të reja, që të hapet tregu për konkurrencën e lirë (që në fakt çon në uljen dhe jo në rritjen e çmimit). Me rritjen e taksave (kjo ka ndodhur në fakt qysh më 1 Janar 2014) kompania ALBTELEKOM po “kujdeset” për të bartur tërë efektin e kësaj rritjeje drejtpërdrejt te konsumatori fundor, domethënë te qytetarët duke rënduar nivelin e jetesës së tyre. Kështu kompania ruan fitimet dhe qytetarët po gjobiten edhe me disa dhjetëra miliona euro në vit nga… qeveria e tyre… Kudo në botën që na rrethon (duke përfshirë edhe vetë vend-origjinën e pronarëve të kompanisë) ky do të ishte një skandal i vërtetë që do të provokonte ndërhyrjen e agjencive ligj-zbatuese për mbrojtjen e konsumatorit dhe të konkurrencës në treg, sepse sipas ligjit shqiptar unë di që është rritur vetëm tatimi mbi fitimin (e kompanisë) dhe jo TVSH-ja që është një taksë mbi konsumin. Nëse kompania ka bërë ndonjë investim dhe për rrjedhojë është përmirësuar shërbimi ndaj qytetarit apo janë ofruar shërbime/produkte të reja, kjo nuk mund të jetë pjesë e lirisë së kompanisë për të rritur tarifën fikse, por subjekt i seancave dëgjimore me Entin Rregullator të Telekomunikacioneve (ERT), shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve, publikun e gjerë, etj.”, shprehet në postimin e tij z. Preçi.

 Të reagojnë entet shtetërore

Më tej ai shpreson që këtë shënim të tij ta ketë lexuar “edhe ndokush nga ata që “përgjërohet” për hallet e popullit dhe ndoshta do të jepet edhe ndonjë përgjigje “diplomatike” kur entet rregullatore përkatëse do të raportojnë në Kuvendin e Shqipërisë (A nuk bëhen të gjithë… të zezat, ku bën pjesë edhe “rrjepja” me ligj e konsumatorit, “për të mirën” e popullit?). Nuk po them që të dalë njeri nga mizëria e OJF-ve që “mbrojnë” konsumatorin të gjuajë përsëri me letër higjenike kompaninë në fjalë (apo sipërmarrje të tjera që zhvatin çdo ditë konsumatorin ne ilaçe, karburante, banka, etj., ditën për diell nën “mbrojtjen” e ligjit), se kjo ndodhte në “kohët e vjetra”, domethënë atëherë kur protagonistët e “betejës për qytetarët” ishin në “anën e kundërt të barrikadës”… Nëse jam gabim, unë jam gati t’i kërkoj ndjesë kompanisë që i cenova imazhin me sa shkrova, edhe pse, me siguri rritja e tarifës në fjalë, fiks mbas një muaji, po bëhet “për të mirën e klientit”…” shkruan z. Preçi.

Z. Preçi përfundon duke u shprehur se “në fund të fundit, të gjithë e kuptojmë se bizneset janë këtu për të fituar sa më shumë që të jetë e mundur, por problemi është se me këtë shembull doja të sillja në vëmendje faktin domethënës e tronditës: Ja se si pjesa e rritjes se taksave mbi fitimin/kompaninë (që qeveria ndërmori në fillim të vitit) po bartet padrejtësisht te qytetari, ndoshta edhe me “bekimin” e enteve shtetërore (gjë që nuk dua ta besoj) dhe po pres që dikush që paguhet me taksat tona, të sqarojë publikisht dhe institucionalisht rrethanat e kësaj që po ndodh…”.

 Mesazhet

30.04.2014

I nderuar abonent, ALBtelecom ju informon se duke nisur nga data 1 Qershor 2014, pajtimi mujor për paketën standarde të shërbimit të telefonisë fikse për abonentët familjare do të jetë 700 Lekë (me TVSH). Vizitoni faqen www.albtelecom.al për t’u informuar mbi benefitet dhe ofertat e ALBtelecom. Faleminderit!

 30.11.2013

I nderuar Abonent, ALBtelecom Ju informon se me vendim të AKEP, duke filluar nga dt. 01.01.2014, hyn në fuqi Plani i ri i Numeracionit Kombëtar. Për t’u informuar mbi tarifat e reja të telefonisë fikse dhe numërformimin, na vizitoni në www.albtelecom.al, si dhe duke telefonuar në XXX ose 04xxxx. Faleminderit.