Qeveria ka dështuar, opozita është e paaftë për pushtet

443
Politikani Dashamir Shehi e shikon të forcuar opozitën shqiptare pas dy vitesh. Në një intervistë ekskluzive për newsbomb.al Shehi gjykon se kreu i opozitës “ka bërë një copë rrugë”, por i duhet të ç’kompleksohet nga gabimet e Berishës dhe t’i rikthehet temave të mëdha politike siç janë ndryshimet Kushtetuese. 

Si po shkon opozita? A është opozita reale që duhet në këtë vend apo duhet t’i japim të drejtë skeptikëve që thonë se Basha është më shumë mediatik?
Unë gjykoj që Basha e ka bërë një copë rrugë në kuptimin opozitar, por pjesa më e vështirë është të bindë krahun opozitar që ai është lideri opozitar. Për sa kohë do ketë dyzime edhe personale edhe të linjës, kjo do konsiderohet si një kthim mbrapa.

Ju thatë një copë rrugë. Çfarë është një copë rrugë për ju?
Një copë rrugë është që e ka filluar krijimin e një profili krejt të ri. E dyta, mbas dy vjetëve që opozita ishte mbështetur te zullumi i qeverisë, tani paralel ka projektuar një ofertë tjetër, një plan për ekonominë. Përtej defekteve në këtë platformë, brenda kësaj për herë të parë hidhet ideja që duhet të ofrojmë një platformë.

Po, por nuk ka shumë njerëz që e ndjekin…
Unë gjykoj se nuk ka shumë njerëz, se populli opozitar është i tronditur. Humbi njëherë me shifra të mëdhaja, herën e dytë nuk ishin shifra optimiste prandaj unë gjykoj që ky është fillimi real. Mbas dy vjetësh ju thoni zhvillim, kur kanë mbetur dhe dy vjet është shumë vonë… Jo unë them është goxha, se, nëse nuk merren vendime të prera mund të jetë vazhdim edhe për dy vite të tjera.

Ka një lloj rebelimi brenda PD. P.sh. Topalli, Ruli që nuk e kanë pëlqyer këtë politikën e të rinjve që dalin nëpër ekranet televizive, por nuk kanë jetë politike dhe nuk i njeh askush.
Kjo është një temë brenda partisë: A do qëndrojë sistemi i meritokracisë apo do vijojmë të rinovojmë klasën politike çdo 4 vjet sipas shefave. Unë them që Basha duhet të gjejë ekuilibrat mes atyre që kanë dhënë në qeverisje dhe këtyre të rinjve…Basha me sa kemi parë nuk ka se si i mbledh aleatët dhe diskuton për vendime të mëdha.

Cili është takimi juaj i fundit? Kam përshtypjen, se ju keni kaq shumë kohë që s’e keni takuar.
Unë dy-tri herë kam pas takime dhe kanë qenë personale. Mua kjo nuk më shqetëson dhe rri me shpresë që Basha do të ma kuptojë mesazhin. Basha duhet t’i rikthehet temave të mëdha politike, ndryshimit kushtetues, ndryshimit të Kodit Zgjedhor, brenda kushtetutës të inkorporojë edhe reformën e drejtësisë dhe të ofrojë një platformë të re ekonomike. Këtë e ka bërë pjesërisht.. Por temat e mëdhaja politike atakojnë pushtetin në Shqipëri dhe pushtetin e Bashës, domethënë ligjin zgjedhor që favorizon vetëm Bashën e Ramën. Basha duhet ta ketë ndërgjegjen e qetë që duke humbur pak nga pushteti duke pranuar ta ndryshojë Kushtetutën do bënte një shërbim të madh. Do vendoste në pozicionin e drejtë Presidentin që ka humb shumë të drejta. Basha nuk duhet të vuajë kompleksin që po shkon të korrigjojë gabimet e paraardhësit të tij.

Po gjithsesi, Berisha ka influencën e vet…
Le ta ketë influencën e vet. Ne nuk po gjykojmë kush është më i zoti. Ja po ua them, po të ishte për zotësi Berisha ka zotësi më tepër, ka eksperiencë më të gjatë, ka ndenjur 8 vite në pushtet… Nëse do shohim për të rindërtuar opozitën shqiptare, kjo rrugë nuk kalon më nga Berisha, sepse ka kaluar dy herë.

Të kthehemi te realiteti i Ramës. Ka një deziluzionim të përgjithshëm ekonomik, social e politik pse jo?
Unë them, që kjo qeveri po i shkurton këmbët e karriges vetë.

Po i shkurton, si?
Po i shkurton me të ashtuquajturat reforma, të cilat nuk janë reforma, por masa represive për të mbuluar paaftësinë qeverisëse. Çfarë bën kjo qeveri? Sa herë i del përpara një pengesë ndryshon ligjet. Një teori krejt e gabuar që vuri gjithë biznesin kundër, vendas e të huaj.

Megjithatë, njëfarë rregulli te biznesi e ka vënë…
Rregulli nuk ka nevojë për të ndryshuar kodin. Rregulli ka nevojë për të ndryshuar nëpunësit e korruptuar, ministrat e pazotë si në gjithë botën.

Domethënë, ju jeni për ndryshim ministrash?
Absolutisht po, disa e kanë tepruar.

Kush?
Shumica e atyre që merren me fushën ekonomike janë jashtë lojë fare.

Në fushën ekonomike janë Cani, Gjiknuri…duhet të ikin?
Të gjithë, të gjithë, unë gjykoj se nuk kanë prodhuar asgjë. Edhe një lloj raporti që e vuante edhe qeveria Berisha, po jo në këtë lloj mase. Ekzekutivi shqiptar nuk është një byrek që porositet në Korçë e i thua gjysmën ma bëj me qepë, gjysmën me domate. Ekzekutivi është një trup unik. Këtu është: Kjo është pjesa e PS nuk atakohet, kjo është pjesa e LSI nuk atakohet. Kjo nuk ndodhte më parë. Berisha kishte një autoritet më të madh në ekzekutiv.

Domethënë Rama nuk e ka?
Nuk e ka absolutisht. Këto dy trupa veprojnë në mënyrë të pavarur edhe kundër njëri-tjetrit.

Ku veprojnë kundër njëri-tjetrit?
Në çdo ministri ka një lloj dualizmi të hapur. Po të shkosh të kërkosh një vendim te Drejtoria e Tiranës të Ministrisë së Shëndetësisë, të thonë kjo nuk është e jona, është e LSI-së. E njëjta gjë ndodh anasjelltas për shumë fusha të tjera. Ka ardhur dita që këta zotërinj që e drejtojnë t’i gjejnë një zgjidhje kësaj pune, se ky sherr lart nuk ka pse bie në kurriz të qytetarëve.

Vërtet e mendoni se ka një lloj sherri apo kjo është një lloj dukje?
Po, po ka sherr, por nuk është për ide po për interesa. Kush të kontrollojë më shumë territor, më shumë pushtet nga politika e Shqipërisë në projeksion të zgjedhjeve 2017.
Në 2017-ën ju mendoni se, do ketë një garë reale mes opozitës dhe mazhorancës? Domethënë do ketë një ngritje të opozitës dhe ulje të maxhorancës apo mazhoranca…
Unë kam besim se opozita do të ngrihet. Por a do ngrihet në atë pozicion për të fituar apo do ngrihet në raport me veten në zgjedhjet e fundit, ky është problemi dhe ky është thelbi i çështjes dhe këtu duhet të ngrihet roli i Bashës. Opozita nuk duhet të mbesë peng i korrupsionit që denoncon çdo ditë që është mirë por nuk është mjaftueshëm. Nga këtu deri në 2017 ka kohë të mjaftueshme që kjo shumicë që është sot të shkërmoqet nëse vazhdon me këto ritme. Unë uroj që jo se do ishte një dëm i madh në kurriz të shqiptarëve. Po hymë te viti i tretë i qeverisë dhe mesa duket mandati parë po konsumohet…

Mandati i parë thatë ju. Domethënë ka mundësi për një mandat të dytë?
Jo, po them. Ky është katër vjet, është një mandat. Kjo mazhorancë mund ta marrë edhe një tjetër po mund edhe mos marrë. Prandaj them që ka kohë për ta shkërmoqur.

Mustafaj thotë në një nga komentet e veta, se Edi Rama është një karikaturë e Berishës. Çfarë mendoni ju?
Unë shpresoj mos jetë karikaturë, sepse do presim dhe këto dy vjet për ta konsumuar inercinë politike që i dha shumë vota para dy vjetëve. Po të jetë karikaturë e Berishës i bie që këtë vend ta hajë dreqi fare, sepse Berisha vetë para dy vjetëve përfundoi me një të tretën e votave të shqiptarëve. Përtej termit letrar, ka edhe ca faktorë.

Po çfarë është Rama, nëse nuk është karikaturë?
Rama është një personazh i pazot për të përmbushur atë që ka premtuar. Është një njeri që e ka reduktuar të gjithë personazhin e vet në llafollogji politike, në debate, në kënaqësi personale për të atakuar kundërshtarët. Rama po rikthehet vetë në editorialistin që ishte njëherë e një kohë, një artisti disident. Nëse do i thosha një karikaturë dhe këtu po hy pak te fusha e Mustafait, Rama do ishte karikaturë e Konicës, atë ka imituar me vite. Mirëpo Konica është gjithnjë i vlefshëm, kur është në opozitë. Një Konicë në pushtet…
Çfarë është Basha?
Basha është një njeri që shpresoj se e ka kuptuar, se për t’u ngjitur në kat të pestë, shkallët duhet t’i bësh vetë dhe janë të lodhshme.
Dhe në çfarë kati është Basha?

Them se është ngjitur në katin e dytë.
(Marrë me shkurtime)
Sigal