Nuk shkohet në Europë duke i prerë dritat një gruaje 99- vjeçare

460
Gazeta online “Shekulli” me botues, deputetin e PS Koço Kokëdhima, botoi dje një reportazh me titull: Nuk shkohet në Europë, duke i prerë dritat një gruaje 99- vjeçare” dhe pas kësaj, iniciativën e një emigrant shqiptar në Itali, që duke u prekur nga qëndrimi arbitrar dhe antinjerëzor i qeverisë socialiste, ka pranuar që t’i paguajë të gjitha detyrimet e gjyshes 99-vjeçare ndaj OSSHE dhe çdo faturë drite në vijimësi, meqë qeveria socialiste nuk ka ndjeshmëri që të zbatojë politikë sociale, sikurse kishte premtuar. 

Koço Kokëdhima: Politika e Gjiknurit kundër shtresave sociale në nevojë
Deputeti Koço Kokëdhima, nëpërmjet reportazhit të gazetës së tij, i dërgon mesazhe politike ministrit Gjiknuri, se politika që ai po zbaton në OSHEE nuk është njerëzore, nuk është sociale, derisa po dënon njerëzit e varfër, madje, arbitrariteti i zbatimit verbal të ligjit shkon deri aty, sa t’i ndërpresë dritat edhe një gjysheje 99- vjeçare, e cila jeton e vetme dhe pa të ardhura ekonomike. Koço Kokëdhima është tërësisht në kundërshtim me politikën që ndjek ministri Damian Gjiknuri, që të marrë masa represive, penalizuese edhe ndaj atyre njerëzve dhe shtresave që janë vërtet të varfra, që jetojnë në kufijtë e mjerimit të plotë, por shteti, ministri Gjiknuri, duhet t’u sigurojnë të paktën, minimumin për të (mbi)jetuar me dinjitet, me dritën elektrike dhe të mos të jenë edhe në errësirën e plotë të varfërisë absolute. 

E para, qeveria është Majtë, dhe ajo që e dallon një qeveri të Majtë nga qeveritë e djathta, është pikërisht ndjeshmëria sociale, politika në ndihmë të njerëzve në nevojë, që nuk kanë të ardhura. Të mos harrojmë se Partia Socialiste, në programin e saj elektoral, por edhe në objektivat që mori përsipër ministri Gjiknuri ishte se do të ulte çmimin e energjisë elektrike, nëpërmjet uljes së TVSH në 6 %. Pavarësisht reformës që zbatoi në OSHEE, me detyrimin që të gjithë të paguajnë energjinë elektrike duke shmangur abuzimet dhe mospagesat, ministri Gjiknuri shkoi në ekstrem. Së pari, rriti çmimin e kilovatorit që u shet konsumatorëve, nga 7,7 lekë /kilovatori, në 9,5 lekë/kilovatori, pa TVSH, duke e bërë kështu çmimin e energjisë më të shtrenjtin në Ballkan. Së dyti, nuk po funksionin në të vërtetë, as kompensimi, që gjoja do t’u bëhet shtresave e familjeve të varfra, që harxhojnë më pak se 300 kilovatorë në muaj. Nga reforma e penalizimit të mospagimit të energjisë elektrike, kanë shkuar në burg mijëra të varfër, që nuk kanë asnjë qindarkë të hanë bukë, por kanë nevojë për dritë, ndërkohë, që bizneset e mëdha, edhe pse janë debitorë me miliona lekë OSHEE, për energjinë e papaguar, nuk janë penalizuar. 

Mandati i Kokëdhimës të mërkurën në Kushtetuese, shqyrtohet kërkesa e PD
Gjykata Kushtetuese shqyrton të mërkurën (më 28 tetor) kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima. Partia më e madhe e opozitës i është drejtuar Gjykatës për të kundërshtuar vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të marrë më prill të këtij viti, që nuk lejoi dërgimin në Gjykatë të konstatimit se Kokëdhima ka shkelur Kushtetutën, pasi përfitoi fonde publike, duke pasur mandat deputeti. Partia Demokratikë në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese i referohet edhe precedentit te krijuar me deputetin Ilir Beqja, te cilit iu hoq mandati për të njëjtën arsye, pasi kishte përfituar fonde publike gjate kohës qe ishte anëtar i parlamentit. Demokratët janë të bindur se rasti i deputetit Koço Kokëdhima është disa herë më i rëndë se rasti i deputetit Ilir Beqaj. 
Sigal