Qëndrimi për Kosovën, Rama: Është e dënueshme çfarë ndodhi, e vetmja rrugë është dialogu

31
Sigal

Kryeministri Edi Rama, nga Kroacia është ndalur te situata dramatike që ndodhi në veriun e Kosovës gjatë javës së kaluar. Rama ka theksuar dhe një herë, moslinjëzimin me deklaratën e BE-së, për të cilën tregon që nuk ka pasur probleme te përmbajtja, por momenti kur u njoftua.

Sipas Ramës, ishte një koordinim i papërshtatshëm, duke përmendur këtu dy veprime të dënueshme të bëra prej Serbisë. E para është vrasja ndaj efektivit të policisë nga një grup i armatosur kriminelësh dhe e dyta shpallja e ditës së zisë për këta sulmues nga shteti serb. Këto veprime, sipas kryeministrit vetëm sa e përshkallëzojnë marrëdhënien mes dy vendeve, ndërkohë që rajoni është drejt rrugës së paqes së përhershme, është shprehur Rama.

Edi Rama: Shqipëria për herë të parë në 10 vitet e fundit, ka vendosur që të mos linjëzohet me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së, që pasonte takimin mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Për arsye proceduriale do të bëhej publike në të njëjtën kohë kur ndodhën zhvillimet dramatike në veriun e Kosovës dhe në Beograd. Ne faktikisht, në pamundësinë tonë për t’u linjëzuar me deklaratën, jo me përmbajtjen, por e nxjerrë në atë moment, kur ishte e nevojshme që të dëgjohej një qëndrim, ndaj Serbisë, për këto arsye deklarata nuk mund të mbështetej nga ne.

Vrasja e një polici të Kosovës, nga një grup kriminal i armatosur deri në dhemb, ushtarakisht në territorin e Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi, janë të pajustifikueshme dhe të dënueshme. Ky është qëndrimi ynë dhe duke qenë promotorë të dialogut të paqes përfundimtare që kalon nga njohja e Republikës së Kosovës dhe duke u përpjekur gjithmonë të jemi anëtarë të përgjegjshëm, e konsiderojmë këtë zhvillim, këto 2 zhvillime, sepse shpallja e zisë kombëtare duke heroizuar disa persona që ishin të përfshirë në vrasjen e një efektivi policie, të eliminuar si kriminel është diçka po aq e rëndë sa vetë ajo që i parapriu.

Në këtë pikë jemi shumë të keqardhur, për këtë zhvillim që e çon pas normalizimin. Jemi të bindur që e vetmja rrugë është dialogu, mbështetja nga BE dhe SHBA dhe jo shfaqjet e ushtrisë serbe me kufirin me Kosovën, që vetëm nxisin tensione dhe rrisin frymën e ndasive që duhet të kurojmë. Është pozitive tërheqja e tyre, por negative që përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë interesave afatgjata dhe këtij momenti ku rajoni duhet të jetë i përqendruar në paqe.