Berisha: Siç ndryshuam veten, duhet të ndryshojmë shoqërinë! Ky është misioni i ri jetik

138
Sigal

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi nga Durrësi se misioni i ri i demokratëve duhet të jetë ndryshimi i shoqërisë, që ata të reagojnë ndaj të keqes.

“Në një kohë të shkurtër, establishmenti po dridhet. E keni konstatuar vetë ju. Për PS-në, për kreun e saj, prokuroria speciale është bërë më e dashur se komiteti qendror.

Por tani na pret një mision tjetër jetik për interesat e qytetarëve, për qenien tonë dhe identitetin tonë kombëtar. Për të ardhmen tonë.

Misioni ynë është që të bindim secilin që kemi në krah, që njohim dhe dimë, që edhe ai të thotë ndal ndaj kësaj rrokulliseje. Para syve tanë po ndodh shkretimi i kombit. Një vjedhje e pasurive të saj. Ndodhin përçudnira të pabesueshme. Disa prej tyre pasqyrohen direkt në interesin kombëtar. Por një pjesë e madhe e shoqërisë i përcjellin me indiferencë këto. Rinia thotë se këtu nuk është për t’u jetuar. E thonë për vendin e pasurive të mëdha.

Por përse të gjitha këto? Sepse ne si shoqëri vazhdojmë të tolerojmë, të mos reagojmë, vazhdojmë të mos përgjigjemi. Çfarë ndodh që ne, del problemi i inceneratorëve, aty është e qartë si drita e diellit që kreu i qeverisë ka firmosur për të vjedhur 400 e ca milionë euro me një procedurë ligjore që nuk ekziston në ligjet e vendit, por ku është reagimi ynë? Ku është reagimi i shoqërisë? Askush nuk është më përgjegjës për këtë mungesë reagimi se ne demokratët për këtë mungesë reagimi. Ne jemi përgjegjës.

Siç ndryshuam veten, duhet të ndryshojmë të tjerët. Pastaj të shohim nëse do reagojnë apo jo,” tha Berisha.

“Ç’po ndodh me shqiptarët? Hiç, thonë, se kanë frikë të flasin. Se me arrestimet masive për fatura drite, për fatura uji, u ka kallur njerëzve frikën dhe kjo është e vërteta. Ç’po ndodh? Po ikim, thonë. A ka dënim më të madh për një vend nëse banorët e tij thonë se nuk bëhet, ndërkohë që është vendi i pasurive më përrallore?

Pra shoqëria është topitur. Misioni për të ç’topitur shoqërinë është i juaji, është i anëtarëve të PD-së. Ky vend do dalëzotës dhe jo indiferentë”.