Një në katër të rritur në Shqipëri konsumojnë duhan apo e thënë ndryshe 25 për qind e popullsisë madhore, duke i shkaktuar vetes dëme shëndetësore dhe ekonomike. Referuar studimit më të fundit të bërë nga organizata e shoqërisë civile DSA (Development Solutions Associates), vendi ynë ka nivel të lartë duhanpirjeje me pothuajse gjysmën e meshkujve apo 42 për qind dhe 7 % në radhët e femrave.
Kostot lidhen me çmimin e paketave por edhe me shpenzimet shëndetësore, që vijnë si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ky produkt. Për këtë arsye propozohet rritje e nivelit të akcizës në kufirin e vendeve të Bashkimit Evropian si një mekanizëm për të ulur konsumin.
Nga ana tjetër duhanpirja është një problematikë që po rritet me shpejtësi në radhët e të miturve dhe shkak kryesor vlerësohet çmimi i ulet i paketave si dhe ambienti nga i cili ndikohen. Sipas studimit, rritja e çmimit të cigareve, do dekurajonte ndjeshëm këtë kategori. Sa i takon konsumit të duhanit tek varfëria, studimet tregojnë se në Shqipëri janë rreth 13 mijë familje me 60 mijë anëtarë që kanë kaluar nën kufirin e varfërisë.