Një 66-vjeçar në fshatin Goriçan, të Dimalit, është arrestuar për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”.
Nga njoftimi i policisë mësohet se ai i vuri flakën barishteve në tokën e tij, por si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën një sipërfaqe me bimësi dhe rreth 200 ullinj.
Shërbimet e Policisë Dimal, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Goriçan, Dimal, kishte rënë zjarr i cili ishte përhapur nga era dhe po digjte një sipërfaqe të madhe me bimësi dhe ullinj, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe së bashku me shërbimin zjarrfikës, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, falë veprimeve të shpejta profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënës, shtetasit B. T., 66 vjeç, banues në fshatin Goriçan, Dimal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.