Qendra shëndetësore si kasolle, koncesionarët përfitojnë miliona euro në vit

583
Sigal

Në fshatin Ravonik të Korçës, banorët detyrohen të marrin shërbim shëndetësor në një godinë të ngjashme me një kasolle. Godina që nuk ka as kushtet minimale, si drita apo ujë dhe për afro 10 vite është në gjendje të degraduar. Kryeplaku i fshatit Roland Dalipi kërkon ndërhyrje urgjente te qeverisë për rikonstruksionin. Roland Dalipi: “Për mua është turp që të vij në fshat dhe të shikoj këtë. Shpresoj shumë që të ta mbajnë fjalën për ta rregulluar.” Në kushte të vështira ekonomike, banorët thonë se detyrohen t’i drejtohen spitalit të Korçës për të marrë një shërbim shëndetësor. Një banor pohon: “Imagjino të kesh nënën ose babain atje të sëmurë. Kur është kohë me shi, çfarë bie jashtë, bie edhe brenda. Kush ka makinë shkon në Korçë. Së fundmi kemi ngritur zërin edhe për sjelljen e një infermiereje, për një njeri që të jetë këtu në shërbim të komunitetit. Nuk është zgjidhje që të shkosh gjithmonë në Korçë.” Ndërkohë, që ministria e Shëndetësisë ka dhënë me dhjetëra koncesione në shërbimin shëndetësor publik, kur buxheti i shtetit paguan dhjetëra milionë euro çdo vit. Milionat euro çdo vit të buxhetit të shtetit për shërbimet shëndetësore nuk shkojnë në shërbim të shëndetit të popullit, por për të mbushur xhepat klientët biznesmenë të qeverisë, pasi koncesionet që ata kanë (për)fituar nuk ofrojnë shërbimet e nevojshme në shëndetin publik, nuk investojnë në ndërtimin dhe pajisjen me materiale dhe ilaçe të spitaleve, qendrave shëndetësore etj.